The news is by your side.

Zhvillimet teknologjike kanë krijuar 4 lloje liderash në treg. Ja cilët janë!

Jemi akoma në fazat e hershme të të ashtuquajturit Revolucioni i Katërt Industrial, i cili bën bashkë asetet fizike – përfshirë makineritë dhe automjetet me teknologjitë digjitale si inteligjenca artificiale apo Internet of Things. Kjo lidhje e komponentëve shumë performantë fizikë me aspektet digjitale ndihmon në krijimin e një vendimmarrjeje më holistike e të mirë informuar.

Ama ky mjedis gjithnjë në ndryshim krijon pasiguri tek menaxherët që përpiqen të përgatisin organizatat e tyre për Revolucionin e plotë 4.0. Thënë kjo, epoka e re digjitale me gjithë ndryshimet e herëpasherëshme, ka sjellë gjithashtu edhe lloje të ndryshme liderash dhe drejtuesish.

Një raport i ri nga Deloitte Global, i cili bazohet në një studim të më shumë se 2,000 menaxherëve nga 19 shtete, zbuloi se ekzistojnë katër lloje drejtuesish do dominojnë tregun në këtë fillim revolucioni të katërt.

  • Drejtuesit socialë:

Ndërsa shumica e drejtuesve të anketuar pretendojnë se ndikimi shoqëror është një përparësi organizative, shumë ende luftojnë me dyzimin midis krijimit të një ndikimi social pozitiv dhe maksimizimit të fitimeve. Sidoqoftë, drejtuesit socialë duket se e kanë thyer kodin. Këta udhëheqës kanë kuptuar se si të “bëjnë mirë duke bërë mirë”. Kështu ata gjenerojnë të ardhurat përmes ofrimit të produkteve ose shërbimeve të ndërgjegjshme shoqërore apo mjedisore. Ata gjithashtu besojnë se nismat shoqërore, kontribuojnë në përfitim.

Drejtuesit socialë i konsiderojnë nismat sociale si themelore për modelet e tyre të biznesit në epokën aktuale të revolucionit të katërt industrial dhe e përkthejnë optimizmin e tyre për të bërë mirë në besim e përfitim edhe në fusha të tjera. Ata kanë prirje për të investuar në teknologji të reja dhe demonstrojnë gatishmëri shumë më të madhe për të trajnuar punëtorët e tyre, se sa llojet e tjera të liderave. (54% kundrejt 37% tek drejtuesve të tjerë).

  • Drejtuesit që bazohen tek të dhënat:

Një metodikë e drejtuar nga të dhënat, me qëllim zhvillimin e një strategjie të suksesshme biznesi, i jep besim dhe siguri këtij grupi udhëheqësish. 62% e tyre bien dakord se janë të gatshëm të udhëheqin organizatat e tyre në kapitalizimin e mundësive, e cila është pothuajse dy herë më shumë sesa udhëheqësit e tjerë të anketuar (32%).

Krerët e drejtuar nga të dhënat gjithashtu paraqesin karakteristika lidershipi që i pozicionojnë organizatat për një sukses afatgjatë. Këta udhëheqës  janë më të guximshëm, më të përkushtuar ndaj forcave të punës së organizatave të tyre dhe shumë të hapur për implementimin e teknologjive të reja.  

Por padyshim, pavarësisht kostos dhe mundimit,  të qenit i drejtuar nga të dhënat në vendimmarrje ka përfitimet e veta. Pothuajse gjysma e organizatave të udhëhequra nga drejtues të tillë, deklaruan në anketë se gjeneruan një rritje vjetore të të ardhurave me 5% më shumë se organizatat e tjera.

  • Drejtuesit e guximshëm që nuk i tremben ndryshimit:

Drejtues të tillë nuk kanë frikë të investojnë në teknologji të reja për të ngritur më tej biznesin e tyre në treg. Përkundrazi kur ata bëjnë investime të tilla teknologjike, rezultatet tregojnë se ata kanë arritur ose tejkaluar synimet e vendosura më herët. Këta drejtues në fakt janë ata që kanë më shumë gjasa të përshpejtojnë përmbushjen e plotë të Revolucionit të Katërt Industrial (45% kundrejt 32% të udhëheqësve të tjerë).

Drejtuesit që nuk kanë frikë të guxojnë janë gjithashtu  dukshëm më të predispozuar të besojnë se kanë forca pune me aftësi për të ardhmen (54% kundrejt 33% të udhëheqësve të tjerë) dhe planifikojnë të vazhdojnë trajnimin e punonjësve të tyre aktualë edhe më gjerësisht, që këta të fundit të jenë gati për të ardhmen.

Tek ta vihet re gjithashtu një tendencë interesante, kanë arritur të kapërcejnë sfida të tilla si: përqëndrimi në rezultatet afatshkurtra, mungesa e të kuptuarit të teknologjive industriale dhe mungesa e vizionit të udhëheqjes.

  • Drejtuesit që gjurmojnë talente:

Tek kjo kategori hyjnë  ata ekzekutivë që besojnë se e dinë se çfarë aftësie u duhet kompanive të tyre dhe mendojnë se tregu ka plot të talentuar që thjesht duhen gjetur për t’u bërë pjesë e stafit dhe fuqisë punëtore.

Pavarësisht këtij besimi, këta drejtues nuk janë të vetëkënaqur, por përgatisin në mënyrë agresive forcat e punës për të ardhmen. Ata përqafojnë përgjegjësitë e tyre për të trajnuar punonjësit e tyre (51% kundrejt 41% të të gjithë të anketuarve të tjerë) dhe gjithashtu kanë më shumë të ngjarë të investojnë në teknologji, si formë për të siguruar avantazh konkurrues (42% kundrejt 32%).

Ky përqendrim në zhvillimin e fuqisë punëtore çon në një numër përfitimesh: 64% e tyre kanë qenë në gjendje të gjenerojnë rrjedha më të larta të ardhurash përmes iniciativave të ndërmarra ( vlera rezulton 51% tek homologët e kategorive të tjera). Kjo do të thotë që, duke vendosur zhvillimin e fuqisë punëtore në pararojë, punonjësit mund të jenë më të harmonizuar dhe të motivuar për të shtrirë ndikimin në çuarjen përpara të kompanisë si një e tërë.

Pra, pasi u njohëm me llojet e ndryshmme të drejtuesve që tregu aktual ka, po ju a e njihni veten — tek cili grup bëni pjesë?  

/ Burimi: Forbes

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.