The news is by your side.

TVSH për bizneset ping-pong mes tatimeve dhe doganave

TVSH, është një taksë që i merret konsumatorit për mallra dhe shërbime. Në një farë mënyre bizneset janë agjentët e shtetit për mbledhjen e kësaj takse duke qënë se ata janë në mardhënie direkte me klientin. Pra ndryshe nga cthuhet ata nuk taksohen kurrësesi për këtë veprimtari ekonomike por vetëm konsumatori. Bizneset që kanë qarkullim 2 milionë-5 milionë xhiro vjetore deklarojnë cdo tre muaj shitjet dhe blerjet e tyre pranë tatimeve. Në këtë mënyrë llogaritet dhe vlera totale e mallrave të shitur gjatë kësaj përiudhe dhe duke zbritur koston e blerjes së mallrave ato duhet të paguajnë TVSH e mbledhur nga konsumatori. Në tërsi për vende të varfëra TVSH është e ardhura kryesore e buxhetit të shtetit. Në Shqipëri për vitin 2019 ato përfaqësonin 31% të totalit të të ardhurave në buxhet nga tatimet dhe doganat. Pra thuajse një e treta e të ardhurave vjen direkte nga TVSH. Besoj kuptohet rëndëisa e menaxhimit të kësaj takse nga këndvështrimi i shtetit.

Por pavarsisht këtij parimi të thjeshtë politika vendase ka luajtur në mënyrë të përsëritur me pragun e aplikimit të TVSH në vend. Njëherë e rrisin pragun njëherë e ulin sikur këto të ishin në vetvete politika ekonomike. Për shembull Në vitet 1996 – 1997 pragu i regjistrimit në TVSH ka qenë qarkullimi vjetor prej 2 milion ALL. Ndërsa në muajin Janar të vitit 1998 pragu i regjistrimit në TVSH bëhet 5 milion ALL. Nga 1 janari i vitit 2001 pragu i regjistrimit në TVSH bëhet 8 milion ALL dhe në Shkurt të vitit 2010 kufiri ndryshon sërish dhe ulet deri në 5 milion ALL. Më pas në vitin 2018 qeveria Rama vendosi që të ulë sërish pragun e aplikimit të TVSH për bizneset me xhiro vjetore nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë. Dhe sot rikthehemi në hipotezëne  përjashtimit nga TVSH të të gjitha bizneseve që kanë xhiro vjetore deri në 140 milionë lekë.

Duke parë historikun e ndryshimit të pragut të TVSH duket e qartë se shteti shqiptar nuk ka politikë ekonoimke për biznesin e vogël e të mesëm por ka prioritet të mbledhë sa më shumë taksa e në të njëjtën kohë të bëjë politikën e ditës. Është e pakuputueshme sesi e njëjta qeveri që para dy muajsh betohej se ulja e pragut të TVSH do të ulte informalitetin premton rritje të pragut të TVSH deri në 14 milionë lekë për të luftuar të njëjtin fenomen.

Mbretëria e Bashkuar sot e ka pragun e aplikimit të TVSH për bizneset që kryejnë xhiro vjetore deri në 85.500 pound ndërkohë që Shqipëria synon ta bëjë këtë prag 120.000 pound. Pra praktikisht dhe më të lartë se Mbretëria e Bashkuar. Në rast se do e vlerësonim këtë prag në varsi të të ardhurave për frymë Mbretëria e Bashkuar ka një prag sa dyfishi i të ardhurave për frymë ndërkohë që Shqipëria synon ta ketë këtë prag sa 60 fishi i të ardhurave për frymë. Gjetja e nivelit perfekt të pragut të hyrjës në skemën e TVSH nuk është e thjeshtë e fakti që e kemi ndryshuar kaq shpesh vërteton këtë. Në vetvete TVSH është një mekanizëm i mirë vetëmenaxhues në zinxhirin e furnizimit e prodhimit. Ku firmat kanë interes të bëjnë presion njëra tjetrës të lëshojnë fatura pasi klienti final e kërkon këtë gjë.

Në Shqipëri vihet re se sa herë është ulur pragu i hyrjes në skemën e TVSH për bizneset shteti ka patur rezultat më të ulët në mbledhjen e TVSH. Për shembull në vitin 2010 kur u ul pragu nga 8 në 5 milionë lekë të ardhurat totale nga TVSH ranë nga 40% e totalit të të ardhurave në 34% në vitin 2018. Më pas me uljen e pragut të TVSH ato ranë akoma më shumë nga 34% në 2018 në 31% në fund të 2019. Duke bërë të mendosh se rritja e pragut ndihmon në rritjen e të ardhurave nga TVSH.

Në fakt FMN sugjeron që vende në zhvillim si Shqipëria duhet ti japin më shumë prioritet menaxhimit të TVSH me bizneset e mëdha, që janë më të vogla në numër, sesa të merren me mijra biznese të vogla. Kosto dhe koha për t’i mbikqyrur ato do të jetë më e lartë sesa përfitimi financiar nga të ardhurat e mbledhura nga TVSH. Por shqetësimi me ndryshimin e pragut mbtetet mungesa e presionit nga poshtë për të formalizuar ekonominë. Nga ana tjetër bizneset do të duan të raportojnë më pak shitje për të qëndruar nën pragun zyrtar e jashtë radarit të tatimeve.

Argumenti mbetet dhe duhet të jetë se NUK ka biznes të vogël dhe të mesëm, por ka biznes. Pragu apo vlerësimi se biznesi që bën më shumë se 140 milionë lekë xhiro në mënyrë magjike quhet i madh dhe ai që bën 139 milionë lekë xhiro quhet i vogël është subjektivitet teknik i shtetit por jo realitet ekonomik. TVSH është taksë që aplikohet mbi konsumatorin e për këtë arsye të gjitha bizneset duhet të jenë agjentë të barabartë për të mbledhur këtë taskë. Ndryshimi i pragut të pagimit të TVSH nuk sjell asnjë avantazh për biznesin. I vetmi avantazh real është mungesa e korrupsionit, ulja e taksave lokale dhe ulja e tatim fitimit ( por jo heqja e saj). Nuk ka asnjë nxitje teorike biznesi në të ardhmen që të “kulturohet”nga administrata tatimore që të mbajë libra shitje e blerjeje e të formalizojë veten e në këtë mënyrë tërë ekonominë. Teksa në mënyrë periodike flitet për pragun e TVSH harrojmë “elefantin në dhomë” që janë doganat. Arsyeja e vetme përse Shqipëria ka informalitet është korrupsioni dhe mungesa profesionalizmit në dogana. Ku malli i padeklaruar futet në treg e shitet pa faturë tatimore.  Bizneset e vogla apo të mesme janë përballë një realiteti që nuk e kontrollojnë dot. I serviret një mall pa faturë ndërkohë që shteti i kërkon të pagaujë TVSH me kupon tatimor. Në vend që të luajmë me pragun e TVSH në mënyrë të përherëshme do të ishte e udhës të luftohej informaliteti në dogana nga ku duket se rrjedh dhe gjithë problemi i formalizimit të ekonomisë. E për këtë qeveria nuk ka asnjë masë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.