The news is by your side.

Të rinjtë, më të dëmtuarit nga kriza. Do i ndiejnë pasojat për dekada me rradhë

Tronditjet e shumta me të cilat përballen të rinjtë nga pandemia e Coronavirusit mund të rezultojnë që ata të ndikohen gjatë gjithë jetës së tyre të punës, duke krijuar një “gjeneratë të tërë izolimi”, paralajmëroi agjensia e punës e Kombeve të Bashkuara. Më shumë se një në gjashtë të rinj, të moshës 18-29 vjeç, kanë ndaluar punën që nga fillimi i pandemisë së Coronavirusit, tha Organizata Ndërkombëtare e Punës e KB në raportin e saj të katërt mbi ndikimin e Covid-19 në fuqinë globale të punës.

Ndërsa kjo është vetëm një rritje e vogël në gati 14% të të rinjve të papunë krahasuar me vitin 2019, ILO theksoi se shkalla e papunësisë së të rinjve ishte tashmë më e lartë se çdo grup tjetër. Ndërkohë, ata të rinj që kishin mbetur të punësuar gjatë pandemisë kishin parë që orët e tyre të punës të binin me 23%. ILO tha që më shumë se katër në 10 të rinj, të moshës 15-24 vjeç, të punësuar globalisht punonin në sektorë me goditje të forta kur filloi kriza dhe gati 77% e kësaj shifre ishin të punësuar në punë informale, krahasuar me 60% të punëtorëve të rritur në moshën 25 e sipër.

Një studim tjetër i ILO i kryer kohët e fundit me UNESCO dhe Bankën Botërore zbuloi se 98% e të anketuarve raportuan një mbyllje të pjesshme ose të plotë të shkollave dhe qendrave të trajnimit. Prandaj, ILO argumentoi se të rinjtë po “preken në mënyrë disproporcionale” nga kriza e Coronavirusit, me tronditje të shumta në arsim, trajnime, punësim dhe të ardhurat e tyre.

Guy Ryder, drejtori i përgjithshëm i ILO, tha se nëse “talenti dhe energjia e të rinjve shoqërohen nga mungesa e mundësive ose aftësive, ajo do të dëmtojë të ardhmen tonë dhe do ta bëjë shumë më të vështirë rindërtimin e një ekonomie më të mirë, post-COVID.” Ai argumentoi se “veprim i rëndësishëm dhe i menjëhershëm” duhej të ndërmerret për të përmirësuar gjendjen e tyre, ndaj ILO ka rekomanduar që programet që garantojnë punësimin dhe trajnimin të zbatohen si në ekonomitë e zhvilluara, ashtu edhe në ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Leave A Reply

Your email address will not be published.