The news is by your side.

Suleimani vdiq, por diplomacia ndërkombëtare duhet të mbahet gjallë!

Të premten e javës së kaluar, pas një sulmi ajror amerikan, mbeti i vrarë gjenerali iranian Qassem Suleimani. Kaq mjaftoi që njerëzit të bënin një paralelizëm me të kaluarën, duke e menduar ngjarjen si shkëndijën e parë të një Lufte të Tretë Botërore. Tensionet u intensifikuan dhe tranzirat vazhdojnë ende, aq sa iranianët tani kërkojnë “Vdekje për Amerikën!” dhe rrjetet sociale vlojnë nga hashtaget #WWIII dhe #FranzFerdinand. Është befasuese që kujtime të tilla ndjekin vetëdijen kolektive në kohë si kjo.

Kudo nëpër botë ekspertët mendojnë sot se ka një jehonë të vërtetë të krizës së parë të imperializmit Evropian. Siç shpjegon bashkë-skenaristi i filmit të Luftës së Parë Botërore 1917 Krysty Wilson-Cairns, “Në Luftën e Parë Botërore, motivet ishin të paqarta. Ishte pjesërisht për përfitime, apo pjesërisht sepse perandoritë kishin filluar të humbnin pushtetin e tyre jashtë vendit.”

Sot fuqitë globale dhe rajonale përballen me çështje të ngjashme në Lindjen e Mesme moderne. Pax Americana është në dyshim pasi ndikimi i superfuqisë së Shteteve të Bashkuara është shtrënguar pas gati 30 vjet lufte vazhduese. Partneriteti amerikan me Arabinë Saudite kundër Iranit gjithnjë e më shumë i ngjan fitimit të luftës.

Nga ana tjetër, Rusia përpiqet të shtrijë ndikimin perandorak Sovjetik në Siri dhe po shpenzon gjak dhe para jashtë vendit, pavarësisht se përballet me sfida edhe më kritike në shtëpi, pasi presioni i ekonomisë së ngadalësuar dhe buxhetit në vështirësi, vazhdon të rritet ndjeshëm. Turqia po vendos trupa për të luftuar në Libi, si një përpjekje për të ringjallur lavdinë e Perandorisë Osmane që u shkatërrua në Luftën e Parë Botërore dhe për këtë është duke ringritur territorin e humbur nga rrënojat e Sirisë. Kështu, në të njëjtën mënytrë se si Archduka Franz Ferdinand në 1914 u bë preteksti i një lufte botërore, edhe Suleimani, një udhëheqës simbolikisht domethënës, i cili u vra i ngatërruar me interesat e fuqive të mëdha, po bëhet fillimi i shumë sulmesh të përgjakura që nuk dihet si si do vazhdojnë apo përfundojnë.

Por, më tepër se sa frikën e një lufte të tretë, e sotmja duhet të ofrojë shpresë, se bota ka një gamë  mjetesh dhe opsionesh diplomatike, të cilat ishin të padisponueshme që udhëheqësit e 1914 të shmangnin luftën. Pa dyshim, tashmë ka pasur gabime diplomatike; mosarritja e administratës Trump për të përmbushur angazhimet për marrëveshjen bërthamore të Iranit, e bën atë pjesërisht përgjegjëse për përshkallëzimin e shpejtë të krizës në Lindjen e Mesme.

Megjithatë kundërshtarët e konfliktit duhet të shikojnë mjetet që bota ka për të zgjidhur krizën, të cilat atëherë nuk ekzistonin. Në vend të klithmave fataliste të Luftës së Parë Botërore, amerikanët dhe iranianët duhet t’i kujtojnë udhëheqësve të tyre nevojën për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve. Ndoshta mësimi më i rëndësishëm i Luftës së Parë Botërore është vlera e diplomacisë – për të shkuar në tryezë dhe për të bërë marrëveshje, për të gjetur një zgjidhje përmes nënshkrimit dhe ratifikimit dhe për t’iu përmbajtur angazhime që kanë rëndësi pavarësisht nga përshtatshmëria politike.

Para Luftës së Parë Botërore, shumica e vendeve e konsideronin diplomacinë si ad hoc, të ngushtë në shtrirje dhe të përshtatur për të arritur objektiva specifikë kur të krijohej mundësia. Qasja diplomatike shihej me dyshim, në shumë raste thjesht sepse nuk ishte normë. Qeveritë komunikonin në nivelet më të larta për të formuar aleanca dhe adresuar tregtinë, por kishte pak diplomatë dhe madje edhe më pak vende përmes të cilave mund të lehtësoheshin negociatat shumëpalëshe. Për shkak të mungesës së teknologjisë së komunikimit, pamundësisë për të udhëtuar dhe normave që ndalonin ndërhyrjen në punët e brendshme, diplomacia u bë më pak e zbatueshme, pasi informacioni i saktë jo vetëm nuk ishte i disponueshëm, por ishte më tepër i prirur të gjendej mbi llogaritje të gabuara.

Bisedimet kryesore ndërkombëtare, veçanërisht ato që kërkonin të zhvillonin konsensus rreth formimit të së drejtës ndërkombëtare, u mbajtën në samite sporadike si Konferencat e Paqes në Hagë në 1899 dhe 1907. Nuk kishte asnjë entitet objektiv të respektuar botërisht, të cilit mund t’i besohej për të lehtësuar negociatat, ndaj bisedimet zhvilloheshin nga ekspertë të caktuar të çështjeve lëndore dhe zyrtarë qeveritarë, të cilët shpesh nuk njiheshin me homologët e tyre dhe për këtë arsye nuk u besonin atyre. Ndaj kur arriihej një marrëveshje, nuk kishte organizata të respektuara ose palë të treta, të cilave mund t’u besohej për të verifikuar pajtueshmërinë.

Njëqind vjet më vonë, amerikanët dhe iranianët duhet të ulin udhëheqësit e tyre në tryezë për të tejkaluar pengesat e tyre në mënyrat në të cilat liderët e Luftës së Parë Botërore nuk mundën; dhe duke përdorur mjetet që u munguan. Udhëheqësit modernë të botës, përfshirë ata të Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, kanë një armatë mjetesh diplomatike shumë më të fortë e të informuar nga diplomacia e rregulluar, si dhe mjetet e duhura për ta mbështetur atë. Natyra e diplomacisë është shumë më e avancuar dhe ka shumë partnerë të gatshëm të mundësojnë rrugën përmes së cilës Uashingtoni dhe Teherani mund të komunikojnë me bisedime dhe jo me raketa.

Mungesa e marrëdhënieve diplomatike zyrtare, të cilat janë më të rëndësishme midis armiqve sesa midis aleatëve, mbetet absurde. Por duke u mbështetur në palë të treta si Zvicra që për vite ka qënë kanali për të komunikuar diplomatikisht, Shtetet e Bashkuara dhe Irani janë akoma të aftë të shkëmbejnë mesazhe me fjalë e jo me armë e sulme të përgjakura. Madje vendet mund të përdorin inteligjencën e brendshme dhe palët e treta, të tilla si Kombet e Bashkuara ose organizatat joqeveritare, për të verifikuar pajtueshmërinë e palës tjetër, për shembull, lëvizjet e trupave, dërgesat e armëve dhe lëshimet e raketave .

Angazhimi diplomatik midis tyre rëndohet nga faktorët destabilizues si trazirat politike të brendshme, rrjedhjet e informacionit, fushatat e dezinformatave, presioni i mediave sociale dhe ndryshimi i klimës, që vështirësojnë arritjen e marrëveshjeve të vlefshme ndërkombëtare. Por tejkalimi i këtyre faktorëve është mënyra më e mundshme se si shmanget një tjetër luftë në Lindjen e Mesme.

/ Foreign Policy

Leave A Reply

Your email address will not be published.