The news is by your side.

Strategjia e daljes nga karantina si strategji “ruajtje fytyre”

Nga Besart Kadia

Intuita popullore thotë se vazhdimi i masave të marra nga qeveria duken të paqëna dy muaj pas mbylljes totale të ekonomisë. Operatorë turistikë, shoqata biznesi, operatorë shërbimesh bar restorantesh e parti politike, si LSI, kanë filluar të materializojnë sinjalet e para që vijnë nga “poshtë-lart”, se mbyllja po e dëmton më shumë se po e ndihmon shoqërinë. Por përballë kësaj intuitë të pamateralizueshme në fakte kemi qëndrimin e njëanshëm të qeverisë që në emër të së mirës publike nuk tërhiqet nga kufizimi i orareve apo nga mbyllja e njerëzve në shtëpi dhe për fundjavë. Po kjo e mirë publike e shprehur nga qeveria është po ashtu e pamaterializueshme në shifra bindëse. Për shembull qeveria thotë se në rast se nuk do ishin marrë këto masa deri në 18.000 njerëz do kishin humbur jetën. Më pas tha 1800 e sot publikut i mbetet të zgjedhë cilën shifër mendon se është më e arsyeshme. Qeveria mundohet të përkufizojë të mirën publike vetëm në terma të një hipoteze numerike të jetëve të njerëzve që nuk do ishin më. Përvec kësaj nuk ka asnjë njësi tjetër matëse të të mirës publike të ruajtur si pasojë e masave drakoniane të mbylljes në shtëpi.

Por si gjithmonë përkufizimi i së mirës publike është thuajse i pamundur, pasi e mira publike nuk qëndron e veçuar nga kompleksiteti i qindra mijra jetë njerëzish që kanë probleme e shqetësime nga më të ndryshmet. Në rast se i thua një popullate, që është kryesisht e re në moshë, se masat dy mujore të mbylljes janë të rëndësishme sepse personat me moshë madhore mundet të preken nga një virus i panjour, atëherë ata do të mund të mos bien dakord me qeverinë se kjo përbën interes publik. Në masë ata mendojnë se kjo nuk vlen. Nga ana tjetër nëse pyet njerëz në moshë për masat do të japin përgjigje tjetër. Gjithësesi kjo përpjekje për të gjetur nëpërmjet sondazheve nëse populli është pro apo kundër mbylljes së bërë nga qeveria duket jo rezultative. Gjithmonë do të kemi përkufizime të ndryshme të së mirës publike dhe po ashtu të analizës së masave të qeverisë.

Duke anashkaluar këtë debat vijmë tek pasojat anësore të mbylljes së shoqërisë. Ato janë të matëshme dhe po ashtu frikësuese pasi si pasojë e këtyre masave, të cilat vazhdojnë akoma edhe sot kur shifrat mbeten kokëfortë të ulta, shoqëria shqiptare është të paktën 1.5 miliardë euro më keq nga ç’ishte parashikuar në fillim të vitit. Janë me mijra qytetarë që kanë humbur vendin e punës, me mijra biznese që nuk kanë para për të shlyer detyrime, me mijra vendime ekonomike që mbeten pezull se çdo të bëhet me të ardhmen.  E strategjia lënguese e hapjes së shoqërisë tregon vetëm një gjë: qeveria po mundohet të gjejë një mënyrë të vështirë të daljes për të vërtetuar shoqërisë që prej meje ia dolët. Se “armiku” po luftohet deri në minutën e fundit të jetës së tij e duhet akoma kufizim orari e rregulla strikte pasi prej këtyre rregullave shqiptarët të gjithë përfituan nga zgjuarsia e qeverisë për të luftuar një armik të padukshëm. Por pyetja është: përse nuk lufton me të njëjtën mënyrë qeveria armikun e dukshëm? Varfërinë që po kap me shpejtësi cdo familje shqiptare? Përse nuk ka krijuar në kohë mekanizma e instrumenta financiare për të ndihmuar bizneset në nevojë për kredi apo për grante? Përse ka akoma me mijra njerëz që nuk kanë marrë akoma pagën e parë të paketës sociale? Përse nuk është akoma gati paketa e dytë prej 150 milionë eurosh për garanci sovrane? Përse nuk u mblodh asnjëherë një komitet ekonomik për të menaxhuar më mirë situatën? Përse bizneset e qytetarët duhet të jenë të kufizuar në orar pune e jo në orar lirie qytetare?

Këto pyetje kanë një përgjigje e përgjigja është e qartë, se qeveria nuk ka para për të dhënë. Se qeveria paratë ka zgjedhur ti investojë nëpërmjet disa biznese në invetime të mëdha rrugore e fasada qytetesh, sepse qeveria nuk diti dhe nuk ka instrumenta për të reaguar në kohë dhe në mënyrë profesionale për këto sfida të dukshme. Ndaj zgjatja në kohë e hapjes së shoqërisë është vetëm një mënyrë për t’i hedhur hi syve njerëzve se “e mira publike” vazhdon dhe mbetet lufta me armikun e padukshëm. Këto pasoja të dukshme ekonomike  janë rezultat i ilaçit të fortë të përdorur, janë të parëndësishme dhe që vetëm devijojnë mendjen nga problemi real : “virusi shërben si fabul e një fushate elektorale tashmë të filluar”. Me të do të mbulojmë të gjitha plagët e shoqërisë e do fuqizojmë akoma më shumë pushtetin politik të qeverisë, duke mbuluar  hallet dhe problmet e dukshme ekonomike të mijra qytetarëve. E mira publike në këtë rast ka vetëm një armik: njëanshëmrinë e interpretimit të fakteve e këtu qytetarët mbeten vetëm!

Leave A Reply

Your email address will not be published.