The news is by your side.

Sipas INSTAT papunësia ra gjatë tremujorit të dytë, por pse rezultati nuk tregon të vërtetën?

  • Sipas INSTAT, në qershor papunësia e tremujorit të dytë rezultoi 11.5%.
  • Rënie me 0.9% krahasuar me vitin e kaluar.
  • Por një sërë faktorësh tregojnë se papunësia realisht nuk ka rënë. Thjesht nuk llogarit shumë prej të papunëve të kategorive të veçanta.

Të dhënat e fundit zyrtare referuar papunësisë në vend janë ato të tremujorit të dytë të vitit aktual publikuar nga Instituti i Statistikave. Sipas vlerësimve të INSTAT në raportet në fjalë, rezulton se gjatë gjysmës së parë të vitit, papunësia pësoi rënie dhe vlera e qershorit u përllogarit rreth 11.5%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezulton se papunësia në vend u ul me rreth 0.9%.

Nga ana tjetër, sipas të dhënave të INSTAT vihet re një tjetër përfundim shqetësues. Papunësia e të rinjve rezulton rreth 20.9%, duke shënuar nivele të larta, tregues i qartë i mungesës së mundësive që ata të fillojnë të ushtrojnë profesionin ose edhe thjesht të bëhen pjesë aktive e tregut të punës.

Megjithatë, duke pasur parasysh realitetin shqiptar, natyrëshëm lind pyetja, ka rënë vërtet papunësia ashtu siç rezulton nga të dhënat e institucioneve në vend? Në fakt ka disa elementë që lenë shumë hapësirë për dyshime.

Së pari, mënyrën sesi matet papunësia është një nga arsyet. Sipas institucioneve, zyrtarisht të papunë quhen vetëm ata që regjistrohen si të tillë pranë zyrave të punësimit dhe në një kohë kur shqiptarët gjithmonë e më pak kanë besim tek institucionet dhe zgjidhjet që mund të vijnë prej tyre, dihet se jo të gjithë të papunët regjistrohen.

Përveç kësaj, në bazë të legjislacionit shqiptar, ata që jetojnë në fshat dhe kanë një zotërim një tokë, quhen të punësuar, edhe pse këtë ngastër mund të mos ta shfrytëzojnë e të mos nxjerrin prej saj të ardhura. Si pasojë në rradhët e fermerëve shqiptarë dhe atyre që merren me bujqësi, është thuajse e pamundur të identifikohet se sa janë realisht të punësuar dhe sa jo. Aq më tepër që shumica e tyre, nuk e llogarisin fare punën e vet në bujqësi, duke e marrë atë për të mirëqënë, pa mundur realisht të sigurojnë të ardhura prej saj.

Nga ana tjetër, sipas instutucioneve vlerësohet se papunësia ka rënë, por të njëjtën tendencë ka pasur edhe popullsia shqiptare në tërësi. Kështu një tjetër element që ka çuar në uljen e papunësisë është edhe largimi i mijëra shqiptarëve në emigtracion, ç’ka automatikisht çon edhe në reduktimin e numrit të të papunëve. Prandaj kur publikohen të dhëna të tilla, duhen analizuar të gjithë komponentët, para se të arrihet në përfundime.

Leave A Reply

Your email address will not be published.