The news is by your side.

Shengeni Ballkanik, Albin Kurti kritik ndaj qeverisë shqiptare: Projekte të tilla të fillojnë me Kosovën

Shengeni Ballkanik, projekti më i fundit i cili bën bashkë shtetet e rajonit, po vijon me takimin e liderave, të cilët diskutojnë vendimet rreth tregtisë dhe masave të nevojshme për të nxitur ekonomitë e shteteve respektive, nëpërmjet një bashkimi tregtar. Por në një kohë që liderat e tre vendeve të Ballkanit janë mbledhur disa herë në Ohër apo Novi Sad dhe pritet të takohen përsëri në Durrës gjatë dhjetorit, nuk ka munguar as reagimi nga Kosova.

Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes dhe kandidati më i mundshëm si kryeministër i ardhshëm i vendit, ka folur lidhur me Shengenin Ballkanik, me tone kritike drejtuar Tiranës zyrtare dhe kryeministrit Rama. Siç raportohet nga Top Channel, Kurti është shprehur se e sheh takimin si të nxituar dhe para realizimit të tij, duhej të ishte pritur të paktën krijimi i qeverisë së re të Kosovës. Më tej ai ka shtuar se projekte të tilla bashkimesh tregtare dhe nxitjeje ekonomike, Shqipëria duhet t’i ketë së pari me Kosovën, pastaj me Serbinë.

Në deklaratën e tij lidhur me Shengenin Ballkanik, Albin Kurti ka theksuar: “ Një lloj vrapi në Novi Sad dhe në Shkup, është gabim në hapa. Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare, Shkup zyrtar e Beogradi në fund. Sepse i tillë çfarë është ai, i pa penduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara, në luftim të vazhdueshëm me Moskën e Putinit. Rrjedhimisht mendoj që edhe mbledhja e Novi Sadit edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa. Shqipëria zyrtare u ankua se nuk ka pasur qeveri të denjë në Kosovë, për bashkëpunim çfarë ajo ka dashur, e ka qenë e nevojshëm për të gjithë ne. Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare për një qeveri të denjë të Kosovës shumë vjet, ka mundur të pres edhe pak javë që të formohet kjo qeveri e të bashkëpunojmë siç dum të gjithë ne. Unë nuk e kuptoj pse kjo nguti, pse ky nxitim me Novi Sad e me Ohër e nesër në Durrës, kur jemi ne prag të formimit të Qeverisë së Kosovës. Nëse kanë pritur shumë vite është dashur të presin edhe pak javë.”

Leave A Reply

Your email address will not be published.