The news is by your side.

Rotacioni modest politik në Kosovë dhe triumfalizmi i pajustifikueshëm i fitimtarëve

Nga Adri Nurellari

Periudha që pasoi zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit u karakterizuan nga një sjellje super arrogante e liderit të partisë fitimtare që nuk ka asnjë lidhje qoftë me kulturën politike të një vendi demokratik e qoftë me numrat e rezultati modest që pati kjo parti. Shumë kohë përpara se të niste parlamenti, lideri i Vetëvendosjes u pa duke u shëtitur dhe sjellur si kryeministër ndërkohë që kjo sjellje delirante mund të konsiderohej thjeshtë “peshku në ujë e fërtelja në zjarr”. Përpos kësaj, sjellja ishte tejet arrogante jo vetëm ndaj partnerit potencial të qeverisjes me të cilin e ndanin në rezultat fare pak vota, por edhe me institucionet kushtetuese si presidenti e me vetë procedurën demokratike.

Së pari njëherë duhet theksuar se në një demokraci funksionale, një ndër vlerat kryesore që duhet të mbizotërojë është vetëpërmbajtja. Në një demokraci të konsoliduar partia që fiton zgjedhjet ka të drejtë të qeverisë por jo të sundojë me prepotencë duke shpërfillur pluralizmin politik. Për një lider në demokraci është thelbësore që të jetë në gjendje të bëj kompromis dhe të dijë se si ta mundësojë bashkëpunimin edhe me forca rivale. Kjo do të thotë që politika në një sistem demokratik si ky i Kosovës duhet bazohet në dialog e kompromis mes palëve të ndryshme e pa u përpjekur që të azgjësohet apo mohoet partia tjetër. Me këtë gjë nënkuptohet që partia në pushtet nuk duhet të antagonizojë ose poshtërojë opozitën në mënyrë të panevojshme por duhet të tregojë vetëpërmbajtje e të përpiqet që të bashkëpunojë me gjitha palët për të mirën e përbashkët.

Toleranca, bashkëjetesa, dialogu e konsensusi janë të gjitha pjesë të kësaj vetëpërmbajtjes që duhet të tregojnë liderët në mënyrë që demokracia mos të kthehet në tirani të shumicës. Sjellja që synon shpagim apo revansh nuk e çon aspak përpara një qeveri apo mazhorancë të re por përkundrazi, historia ka treguar se duke u marrë me të kaluarën harxhohet aq shume energji e vëmendje sa nuk bëhet asgjë për të ardhmen. Një politikan mund t’ia dalë të ngjallë zellin e turmave duke bërtitur se “kurrë nuk do të pajtohet me këta apo atë gjë apo “asnjëherë nuk do bashkëpunojë me këtë apo atë politikan apo parti” mirëpo kjo qasje në qeverisje garanton vetëm dështim. Ky ton i cekët moralist e populist mund të shitet e të ketë efekt për të siguruar vota apo mobilizimin e masave, por nuk jep asnjë rezultat e nuk ka kuptim në një sistem demokratik ku ndërtimi i konsensusit sa më të gjerë në vendim-marrje është thelbi i qeverisjes. Për më tepër që Kosova ka përpra sfida të rënda që në mënyrë të pashmangshme kërkojnë gjithëpërfshirje në vendim-marrje dhe jo anatemim e polarizim të skajshëm me rivalët politik.

Së dyti, rezultati i zgjedhjeve që ka pasur LVV nuk është ndonjë triumf i pashoq për t’u shitur kinse politika kosovare ka pasur një përmbysje. Vetëvendosja po shitet sikur e ka hapur një kapitull të ri politik me këto zgjedhje, faktikisht ka marrë vetëm 26.27% të votave dhe 29 deputet. Pra bëhet fjalë për një shumicë të brishtë që kurrsesi nuk e justifikon retorikën mburravece që po përdor sot VV dhe mbështetësit e saj. Sa për të krijuar një ide të përmasave minimale të rotacionit, mjafton të kujtohet që në zgjedhjet e vitit 2007 kur Partia Demokratike e Kosovës ishte në situatë të ngjashme dhe bëri rotacionin, fitoi me 34.7% të votave dhe mori 37 deputetë. Pra shumë më shumë se VV sot dhe e njëjta gjë vlen edhe për distancën nga partia e dytë. Asokohe PDK mori 11.7% më shumë se LDK ndërsa sot VV ka marrë vetëm 1.72% më pak. Megjithatë PDK u tregua shumë më e vëtëpërmbajtur dhe bashkëpunuese me LDK-në duke i dhënë pa shumë zhurmë e bujë edhe postin e presidentit partisë së dytë.

Përpos kësaj, përtej mëndjemadhësisë apo krekosjes për fitoren e cekët që ka bërë Vetëvendosja, duhet analizuar edhe roli i saj në opozitë dhe fakti që kjo parti ka dalë më keq në rezultate se në zgjedhjet e mëparshme sepse në 2019 marrë 1.22% apo 3 deputetë më pak se në vitin 2017. Nga ana tjetër nëse pretendohet për ndonjë penalizim të qeverisjes së kaluar me kryeministër Haradinaj, duhet theksuar se faktikisht koalicionit të deritanishëm qeverisës, votat vetëm i janë shtuar. Nëse e formuan qeverinë me vështirësi me 41 deputetë (pa 20 të pakicave), sot PDK bashkë me AAK, Nismën dhe AKR kanë 43 deputetë. Kjo do të thotë se po të kishim të njëjtin konfiguracion koalicionesh si në 2017, prapë LVV dhe LDK do të kishin ngelur në opozitë.

Kur përmendet LDK duhet thënë gjithashtu se kjo arroganca e tepruar nga LDK është gjithashtu për tu tallur, sepse në fund të fundit, LDK sërish ka dalë humbëse dhe nuk ka gojë që të pretendojë të sillet si fitimtare. Kjo parti ka që në vitin 2004 që humb zgjedhjet dhe siguron pushtet vetëm prej ujdive të tavolinave e jo kutive të votimit. Për këtë arsye i takon edhe të tregohet më e përulur dhe e përmbajtur me oreksin e pangopshëm që ka për pozita politike. Për më tepër duhet parë gjithashtu edhe rezultati i kësaj partie përkundrejt zgjedhjeve të kalura dhe trajtuar me këmbë në tokë efekti i kandidates Vjosa Osmani. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, LDK sapo kishte dalë nga koalicioni i PDK-së e prapëseprapë lista e drejtuar nga Avdullah Hoti mori 25.53% të votave apo 29 deputetë. Ndërsa në zgjedhjet e fundit kur gjithë fushata ishte anti-PDk mori 24.55% të votave apo 28 deputetë. E gjitha kjo do të thotë që Osmani si kandidate për kryeministër ka marrë 1% dhe 1 deputet më pak se Hoti. Prandaj janë krejt pa vend këto lëvdatat që po i thurren të ashtuquajturit sukses elektoral të Vjosa Osmanit.

Për sa i përket flirtimit parazgjedhor LVV me LDK, doli qartë që ai ishte i gjithi një taktizim elektoral për të goditur rivalin kryesor të përbashkët, dhe nuk kishte asgjë të bënte me ndonjë përputhje vizioni mes këtyre partive për të ardhmen e vendit. Taktizimi konsistonte në demonizimin e PDK-së në mënyrë që të krijonin bindjen tek elektorati i lëkundur që vota për PDK-në do ishte një votë e humbur kot sepse edhe po të dilte e para, PDK sdo kishte mundësi të gjente aleatë për të formuar numrat e shumicës së nevojshme për qeveri. Për dy vjet me radhë LVV dhe LDK kërkuan rrëzimin e qeverisë Haradinaj dhe rakorduan bashkë qëndrimet ndërkohë që kaluan 80 ditë pas zgjedhjeve dhe nuk u morrën veshë për të ndarë karriget. Këto dy parti brenda një dite u morën vesh për programin, pavarësisht se ishin ideologjikisht krejt të kundërta (njëra e mban veten për të majtë e tjetra për të djathtë) mirëpo kur erdhi fjala tek karriget, vështirë se ranë dakord se si do ta ndanin “plaçkën e luftës”. Nga “koalicioni i shpresës” siç e quajtën veten në fillim brenda pak javësh e katandisën veten në “shpresë për koalicion”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.