The news is by your side.

Reforma Zgjedhore si instrument për mos pranuar asnjëherë fituesin

Reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore. Reforma zgjedhore. Thujase një axhendë ciklike e elitës politike në Shqipëri në këto 30 vitet e fundit. Arsyeja kryesore përse reforma zgjedhore mbetet në debatin publik në mënyrë të përsëritur është qasja afatshkurtër e partive politike për të synuar amendime deri në zgjedhjet e ardhëshme dhe jo për të patur një objektiv afatgjatë të ndërtimit të institucioneve demokratike. Në tërsi kompromiset për reforma zgjedhore në rastin e Shqipërisë arrihen për t’u zhbërë në një periudhë të dytë. Reforma zgjedhore në varsi të rezultatit ka shërbyer kryesisht për të mos pranuar fituesin. Ky është ekulibri i përhershëm politik në vend që nuk do të zhbëhet as me këtë reformë të prezantuar së fundmi. Teknikalitet e ofruara në tavolinë janë e do të mbeten përherë jo shteruese të fenomenit të “deformimit të votës” e për rrjedhojë rezultati do të jetë përherë i kontestuar.

Teknikalitet e ofruara në tavolinë janë e do të mbeten përherë jo shteruese të fenomenit të “deformimit të votës” e për rrjedhojë rezultati do të jetë përherë i kontestuar.

Për të patur një reformë zgjedhore që synon me të vërtetë konsolidimin e demokracisë në vend atëherë qasja duhet të ishte e plotë dhe e pakthyeshme e kodit elektoral. Në periudhë tranzicioni politik synimi i zgjedhjeve është dhënia e plotë e legjitimitetit qeverisës partisë fituese dhe mos kontestimi i zgjedhjeve, për të arritur në një shoqëri me demokraci të konsoliduar, paqe dhe stabilitet.  Por fakt është që nga zgjedhjet e vitit 1996, përjashtuar zgjedhjet e 2005, cdo parti politike në vend që ka humbur zgjedhjet ka kontestuar procesin zgjedhor duke cuar në polarizim të shoqërisë. “Hap kutitë ose largohu”, “ largim nga parlamenti”, “djegje mandatesh”, “krimi dhe vota” janë pasoja të një sistemi përfaqësimi partiak që ka frikë të marrë përsipër realizimin e një kodi zgjedhor të pakontestueshëm. Kjo pasi humbja ka gjithnjë nevojë për një justifikim e ndaj të gjitha partitë politike nuk duan e nuk kanë arritur dot një kod elektoral që heq mundësinë e kontrollit të procesit zgjedhor apo që të jetë institucionalisht i pakontestueshëm në legjitimimin e fituesit.

Kodet zgjedhore në Shqipëri kanë qënë kryesisht mekanizma të dobët që kanë përkeqësuar krizën politike në vend e nuk kanë konsoliduar demokracinë vendase. Në 2009 opozitari Rama kërkonte justifikim për humbjen e zgjedhjeve nëpermjet hapjes së kutive e sot opozita djeg mandatet sepse sipas saj janë vjedhur votat.  Teorikisht tre fazat e tranzicionit politik janë: pushteti autoritar liberalizon sistemin politik, mbahen zgjedhjet e para pluraliste dhe së treti arrtija e një kompromisi të rregullave të lojës dhe konsolidimi i tyre. Ne teorikisht jemi në fazën e konsolidimit të procezit demokratik e jemi në fund të tranzicionit. Por partitë politike nuk po ngrihen dot mbi politikën e ditës dhe shfrytëzojnë gjithnjë periudhën para zgjedhjeve për të bërë amendime të kodit elektoral në varsi të sfidave afatshkurtëra të tyre. Duke analizuar sjelljen historike të partive politke në vend duket e qartë se dhe kjo reformë zgjedhore do ti shërbejë partive politike për të marrë norma apo rekomandime ndërkombëtare për axhenda politike lokale. Kështu reforma zgjedhore në vetëvete shërben vetëm si një proces për kontroll e për aleanca të reja me ndërkombëtarë por jo si vullnet reformimi real politik. Klientelizmi mes votuesit dhe politikanit nuk mundet të luftohet nga procedurat teknike të menaxhimit të procesit zgjedhor. Të gjitha partitë politike në fushtatë janë pre e kërkesave të elektoratit për vende pune, për tendera, për fonde apo për mbrojtje. Partitë nuk votohen për program por për akses kryesisht në sktrukturën shtetërore gjatë qeverisjes. Sa më i varfër të jetë elektorati e sa më shumë pushtet të pakontrolluar të ketë shteti aq më e madhe është kjo kërkesë.  Dhe vullneti politik për zhbërjen e klientelizmit nuk është i qartë. Ndaj në mungesë të kësaj të fundit dhe reforma e vitit 2020 do të ketë të njëjtin fat si reformat e shkuara. Do të zhbëhet për të mos pranuar asnjëherë fituesin sepse humbja e privilegjeve shtetërore është shumë e lartë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.