The news is by your side.

Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme

Si pasojë e gjendjes së rëndë me të cilën po përballet vendi pas tërmeteve shkatërrimtare të ditës së djeshme, Kryeministri Rama ka dalë mëngjesin e sotëm në një konferencë për shtyp. Duke folur rreth situatës së vështirë në Durrës dhe Thumanë ku ekipet e kërkim- shpëtimit vazhdojnë ende operacionet për nxjerrjen e të bllokuarve nga rrënojat e godinave të shembura, Rama njoftoi gjithashtu shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kështu më shumë se 24 orë pas tërmetit vdekjeprurës, gjendja e jashtëzakonshme është shpallur për dy qarqe të vendit, Tiranë dhe Durrës. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë, ku kryeministri shpjegoi se i ishte dashur pak kohë për reflektim dhe se dje nuk ishte momenti për ta bërë një gjë të tillë.

Gjatë deklaratës Rama ka thënë: “Ne sot do të shpallim gjendje e jashtëzakonshme bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin përkatës. Ashtu sikundër Kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke u nisur nga natyre e problematikës dhe premietri situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve që janë prekur drejtpërdrejt dhe ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranës. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e  di a janë të gatshëm ata që e predikonin për t’iu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore. Është e zgjatshme në vend, por për një periudhë 30 ditore gjendja e jashtëzakonshme ka disa detyrime për ata që do ta qeverisin gjendjen e jashtëzakonshme, që mbase nuk do tu vijë përshtat atyre që e kanë predikuar, duke menduar se ka qenë një temë me të cilën mund të bënin politikë, ndërkohë që Shqipëria ishte në lot.”

Leave A Reply

Your email address will not be published.