The news is by your side.

QKB: Mbi 3 mijë biznese kërkojnë pezullim aktiviteti

Të dhënat e fundit zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit bëjnë me dije se rreth 1000 biznese kanë kërkuar mbylljen e përhershme dhe më shumë se 3000 të tjera pezullim të aktivitetit gjatë periudhës së pandemisë, për shkak të izolimit dhe kufizimit të lëvizjes. Të dhënat gjithashtu thonë se deri më tani janë miratuar rreth 2000 kërkesa për pezullim, ndërsa pjesa tjetër mbetet ende në pritje, por të shumta kanë qenë edhe kërkesat për mbyllje të përherëshme të aktivitetit, duke kapur shifrën e 1000 aplikimeve.

Sipas QKB listën e atyre që kanë kërkuar ndërprerje të përkohshme të biznesit e zenë në shumicën e rasteve të vetëpunësuarit ose personat fizikë që kanë pasur pronësi mbi ndonjë biznes të vogël familjar që tashmë kërkojnë ta pezullojnë përkohësisht, ose në rastin më të keq, ta mbyllin plotësisht. Për të aplikuar për pezullim të aktivitetit, kushti i paravendosur është mospasja e detyrimeve të pashlyera, pasi në të kundërt aplikimi nuk do të ishte funksional.

Pezullimi i bizneseve vjen në një kohë kur aktiviteti gradualisht po rifillon, ndërkohë që pasojat e krizës Coronavirus bëhen gjithmonë e më të rënda. Gjatë periudhës së pandemisë, për të shmangur përhapjen e virusit, qeveria për thuajse dy muaj mbylli plotësisht çdo aktivitet të cilësuar si jo-thelbësor dhe kjo padyshim pati një ndikim të rëndë mbi ekonominë vendase që mbahet nga bizneset e vogla private.

Leave A Reply

Your email address will not be published.