The news is by your side.

Posti i Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF-së dhe kufizimi “drakonian” i panevojshëm i ligjit për AMF-në!

Nga Elvin Meka

Pak ditë më parë u njoftua vakanca e postit të Drejtorit të Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, pas mbarimit të mandatit të drejtorit aktual z. Ervin Koçi.

Në krye të herës duhet thënë se, formalisht gara është e “hapur”, por vetëm formalisht, pasi kuadri ligjor kufizon në mënyrë mbresëlënëse kandidimin e profesionistëve specialistëve të fushave që mbikëqyr dhe rregullon AMF si ent rregullator. Përtej kritereve profesionale, plortësisht të justifikuara dhe më se të domosdoshme, praktikisht ligji vendos një kufizim “drakoninan”, thuajse të panevojshëm dhe kompromentues, mbi kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të AMF-së:

“nuk mund të jetë anëtar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare personi, i cili në tri vitet e fundit ka qenë ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; ka lidhje familjare me ndonjë subjekt që është ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura; dhe në tri vitet e fundit ka qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.”

Pra në finale, gjithkush që ka vite të tëra eksperiencë pune në tregun sigurimeve, të kapitaleve dhe letrave me vlerë, të fondeve të pensioneve dhe investimeve, e që natyralisht dhe profesionalisht do të duhet, dhe është mëse i mirëpritur të punojë në organe drejtuese të këtyre kompanive, nuk mund të kandidojë për këtë post, ose do të duhet vullnetarisht të qëndrojë larg çdo posti, qoftë edhe si anëtar i thejstë jo-ekzekutiv i bordeve drejtuese të tyre, me qëllim që të ketë shansin, por jo sigurinë, që mund të propozohet, e më pas të mund të emërohet në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të AMF-së.

Ky kufizim, në kufijtë e qesharakes, nuk ekziston as për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, e këtu flasim për BANKEN E SHQIPERISE, roli dhe funksionet e së cilës, dhe pesha rregullative e së cilës, është ku e ku me AMF-në; tregu dhe aktivet financiare që mbikëqyr dhe rregullon Banka e Shqipërisë janë rreth 9 herë më të mëdha se ato respektive të AMF-së. E kur për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së dhe vet Guvernatorin nuk vendosen kufizime të tilla të pakuptimta, deduktohet lehtë se sa e pazakontë dhe e çuditshme, të paktën profesionalisht, është vendosja e një kufizimi t tillë për gjithë anëtarët e Bordit të AMF-së dhe vete Drejtorit të Përgjithshëm të saj. Ndërkohë, do të ishte logjike që kufizime për persona të tillë të mund të viheshin pas përfundimit të mandatit të tyre, siç ndodh rëndom edhe në botë, por të vihen kufizime në hyrje, kjo është tejet e pakuptimtë. Pra teknikisht në Shqipëri kriteret hyrëse për anëtarët e Bordit të AMF-së janë ku e ku më rigoroze e më strikte e të forta sesa ato për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë! Si mund të interpretohet profesionalisht kjo?

Në finale, një kufizim i tillë, e mbyll rrethin e personave aspirantë për Kreun e AMF-së jashtë pjesës dërrmuese të profesionistëve të fushës dhe personave që kanë eksperiencën e duhur dhe që kanë kompetencën profesionale dhe drejtuese, për të sipërmarrë një detyrë të tillë të rëndësishme.

Sigurisht që ky ku kufizim nuk ka qenë gjatë gjithë kohës në ligj dhe nuk ka asnjë lloj arsye profesionale të justifikojë këtë kufizim “drakonian”, që dekurajon dhe mban larg përgjegjësisë publike dhe drejtimit profesional dhe me integritet të një prej institucioneve më të rëndësishme të mbikëqyrjes së sistemit financiar në vend. Shmangia e pretenduar e konfliktit të interesit është thuajse e papërshtatshme me nje kufizim të tillë dhe vetëm kjo masë nuk mundet kurrë të shmangë këtë konflikt, ndërkohë që mund të vendosen të tjera mekanizma kontrolli rreth shmangies së konfliktit të interesit në këtë drejtim.

Në përfundim, ky kufizim duhet të hiqet nga ligji përkatës i AMF-së, për t’i mundësuar tregut financiar shqiptar dhe institucioneve mbikëqyrëse shërbimet e profesionistëve dhe kompetencës më të mirë të mundshme të menaxhimit të çështjeve që lidhen me tregun jo-bankar shqiptar. Konkurrenca dhe kompetenca profesionale, si dhe tërheqja e profesionistëve të fushës, në drejtimin e AMF-së, duhet të jetë objektivi madhor i bazës ligjore, dhe jo kufizimi ekstrem i bazës, nga ku do të përzgjidhen dhe më pas emërohen funksionarë të tillë!

Leave A Reply

Your email address will not be published.