The news is by your side.

Përveç papunësisë nga pandemia, ulen edhe pagat

Ulen me 11 milionë € të ardhurat nga sigurimet! Eksperti: Përveç papunësisë nga pandemia është rritur edhe informaliteti në paga.

Të dhënat e Ministrisë së Financave flasin për rënie të të ardhurave nga sigurimet me 11 milionë euro, duke dëshmuar për më pak të punësuar. Ndërsa eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli thotë se është rritur edhe informaliteti dhe pronarët po deklarojnë paga të ulta për punonjësit.

87 mijë persona dolën të papunë gjatë karantinës dhe jo të gjithë i janë rikthyer tregut të punës. Kjo faktohet nga të ardhurat në rënie tek kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që prej muajit mars të këtij viti.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në 10 muaj janë arkëtuar nga sigurimet shoqërore e shëndetësore 80.4 miliardë lekë ose 11 milionë euro më pak se në 2019, duke dëshmuar rritje të numri i të papunëve.

Një rënie e tillë e të ardhurave përllogaritet në 92 mijë kontribuues më pak se një vit më parë. Një e dhënë e tillë nxirret nga përpjesëtimi i të ardhurave të munguara me kontributin prej 14.800 lekë që paguhet për një pagë mesatare që në vend arrin në 53 mijë lekë.

Eksperti për ekonominë Fatos Çoçoli thotë se përveç largimeve nga puna, rënia e të ardhurave lidhet edhe me rritjen e informalitetit në deklarime në rroga.

Leave A Reply

Your email address will not be published.