The news is by your side.

Pagat jo vetëm janë të ulta por do të mbeten të ulta në Shqipëri

Në një lajm të ndarë gjerësisht në mediat shqiptare u fol për faktin që Shqipëria ka pagën më të ulët në Ballkan. Ky interpretim i thjeshtë i statistikave bëri që shumë qytetarë të mendojnë që Shqipëria i ka mundësitë për paga më të larta por janë bizneset apo shteti që nuk do. E në këtë mënyrë e interpretojnë vendimarrjen në ekonomi si dëshirë e disa njerëzve e jo si reflektim i shumë fakotrëve ekonomik, politik e social.

Le të shohim debatin përse pagat mbeten në vend në një shtet e përse rriten në një tjetër. Teoria bazë e ekonomisë tregon se pagat e punonjësve reflektojnë në rradhë të parë produktivitetin e punonjësit. Sa më shumë e sa më mirë të mundet të prodhojë një punëtor në njësi kohe aq më e lartë do të jetë dhe paga e tij. Në teorinë mikroekonomike paga reflekton produkitvitetin marxhinal të punonjësve dhe sa e më e lartë ajo aq më e lartë paga. Në këtë mënyrë në rast se punonjësit prodhojnë shumë e me cilësi të lartë firma ka interes të rrisë pagat por po ashtu të rrisë prodhimin e për rrjedhojë dhe punësimin e punonjësve. Ka po ashtu dhe një argument tjetër ekonomik që në rast se pagat rriten më pak se produktiviteti i punonjësve atëherë krijon mundësinë që firmat të mundet të marrin më shumë njerëz në punë.

Produktiviteti i punonjesve ne Shqiperi

Po të shohim të dhënat e produktivitetit për punonjës në Shqipëri shohim një panoramë jo optimiste. Për pothuajse katër vite, nga viti 2014 deri në fund të vitit 2018 produktiviteti i punonjësve shqiptar ka qënë në territor negativ. Po ashtu një studim i BERZH thotë se “punonjësit shqiptar prodhojnë sa 1/3 e mesatares rajonale dhe thuajse 1/5 e mesatares së Bashkimit Europian”. Pra me këto të dhëna kosto për punëtor në Shqipëri duhet të ishte sa 1/3 e punonjësve të Ballkanit. Pra nëse në Serbi paga është 826 euro për punonjës (shtetëror) teorikisht paga në Shqipëri duhej të ishte 275 euro dhe jo 430 euro sa është aktulaisht.  Po ashtu funksionon dhe për sektorin privat. Një ndër arsyet përse punonjësit shqiptar kanë produktivitet të ulët lidhet me aftësinë e kulturën shqiptare në orar të punës si dhe me aftësitë profesionale të përvetësuara në shkollë apo në vendin e punës. Duke qënë se ne jemi ndër vendet që shpenzon më pak për Kërkim e Zhivllim në Europë është e qartë që punonjësit tanë nuk mundet kurrësesi të rrisin produktivitetin me vitet kur njohuritë e të bërit biznes apo të ofruarit shërbim janë kryesisht për tregun e brendshëm dhe shumë pak konkurues për rajonin dhe për botën.

Së dyti, qeveria shqiptare në vend që të kishte një strategji kombëtare për përmisimin e aftësive profesionale të punonjësve shqiptar dhe për të nxitur inovacionin dhe teknologjinë ka vendosur që në mënyrë artificale dhe për arsye votash të rrisë pagat e administratës publike pa e lidhur atë me diferencim për njësi të prodhuar nga punjonjësit  por vetëm me vjetërsi pune dhe hirearki burokratike. Pra nëse je ekspert i shkëlqyer IT e punon në shtet por ke vetëm dy vite në punë paga që merr do të jetë më e ulët se e një sociologu që ka 10 vite në një Ministri. Këto paga të ngurta bëjnë që njerëzit të mos motivohen që të punojnë në shtet apo të rrisin prodhimin e po ashtu bën që njerëzit të cilët kanë vlerë më të ulët pagash në tregun privat të synojnë medoemos të punësohen në shtet. Ky deformim i tregut të punës bën që punonjësit që kanë më pak aftësi të shkojnë në shtet ( teoria e tregut të limonave). E po ashtu punonjësit që kanë aftësi e mundet të përmisohen gjatë viteve në privat devijojnë sjellje dhe bien në ekuilibër për një pagë pak më të lartë në fillim duke punuar në administratën shtetërore por një pagë më e ulët mestare në rast se do të punësoheshin në privat. Ndaj rritja e pagave shtetërore në mënyrë jo profesionale dhe e pastudiuar në 2017 ishte e gabuar në një kohë kur shteti ka rritur taksat privatit dhe këta nga ana tjetër nuk kanë mundur dot të rrisin pagat e punonjësve të tyre. Politika kombëtare nuk duhet të jetë për paga por për trajnim e përmisim të produktivitetit të punonjësve. Nuk na duhen këto kohë autostrata qytetesh por autostrata qytetërimesh. Duhet më shumë investim në dije e kulturë. Në këtë mënyrë do të kemi rehatinë shoqërore për të prodhuar më shumë. Në rast se vazhdojmë me investimet publike sic kemi bërë deri tani pagat do të mbeten njësoj e nuk do të rriten pavarsisht sa ankohemi ne si shoqëri. Nuk është habi që në pytësorin e bërë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë sipërmarrësit tanë shqetësim kryesor nuk kishin nivelin e taksave por gjetja e punonjësve të trajnuar e kualifikuar.

Leave A Reply

Your email address will not be published.