The news is by your side.

Në kriza si kjo, nevoja më themelore është liria!

Në javët e kaluara, në të gjithë botën, qeveritë “kanë mbajtur peng në shtëpi” qytetarët e tyre në emër të “mbrojtjes së jetëve njerëzore”. Ajo që ata nuk kanë kuptuar është se, çdo kufizim që ata vendosin vjen me një kosto. Duke detyruar bllokimin e qytetarëve të saj, një qeveri i ka hequr mundësinë e individëve që ta vlerësojnë vetë këtë kosto.

Plagët që Coronavirusi i ka shkaktuar shoqërisë do të thellohen edhe më nga sasia e pakontrolluar e ndërhyrjes së qeverive, sepse ato i kanë dhënë popullit edhe një armik për të luftuar në këtë luftë kundër Coronavirusit, mungesën e lirisë. Ata që argumentojnë se masat e marra janë të domosdoshme për të parandaluar vdekjet e panevojshme, nuk janë në gjendje të shohin se këto masa do të kushtojnë pa dyshim shumë për jetesën e tyre në të ardhmen. Shumë shpesh duket se vetëm njëra anë e ekuacionit merret në konsideratë gjatë kësaj krize. Kohët e fundit, Kombet e Bashkuara publikuan ​​një raport ku thuhej se për shkak të rënies ekonomike të shkaktuar nga bllokimi, qindra mijëra fëmijë mund të vdisnin vetëm këtë vit. Ata gjithashtu vlerësojnë se 42-66 milionë fëmijë mund të bien në varfëri ekstreme në vitet e ardhshme. Megjithëse këto shifra janë vlerësime, kjo shtron një pyetje për autoritetet: Sa është shumë? Sa mund të përballohet?

Qeveritë, edhe në përpjekjen për t’iu përgjigjur pyetjeve, tashmë po dështojnë. Ne kemi parë gjatë historisë që planifikimi qendror nuk funksionon. Kufijtë e tillë si tridhjetë persona në një varrim dhe dhjetë në dasma janë shembuj të kufizimeve arbitrare që vijnë si rezultat i një numri të vogël burokratësh që përpiqen të planifikojnë në mënyrë qendrore një zgjidhje optimale. Një qeveri që përpiqet të organizojë shoqërinë në këtë mënyrë, nuk është ndryshe nga ekonomia e komanduar e atëhershme e Bashkimit Sovjetik, duke u përpjekur të kuptojë se sa patate duheshin prodhuar në vit. Ndaj zgjidhja e vetme është të lejohen individët të vendosin lirshëm veprimet që bëjnë bazuar në preferencat e tyre të rrezikut.

Edhe pse Coronavirusi është në të vërtetë një pandemi, nuk është ndryshe nga asnjë skenar tjetër në të cilin një individ duhet të veprojë. Individi duhet të vendosë bazuar në llogaritjen e tij të kostos kundrejt përfitimit, pasi secili e di vetë më mirë se kushdo se çfarë vendimi është optimal për preferencat e tij të rrezikut dhe situatës personale, jo qeveria.

Shqetësimi se kapaciteti i sistemit mjekësor dhe aftësia e tij për të trajtuar mbingarkesën e pacientëve është ngritur deri në atë pikë sa justifikimi i “ulja e kurbës” është bërë një argument i mbipërdorur. Vendimi optimal shoqëror mund të jetë që të kufizohet rreziku deri në atë pikë sa kurba të jetë rrafshuar, sidoqoftë, përdorimi i kësaj si arsye për të imponuar kufizime është i pajustifikuar, për shkak se burokratë të cilët bëjnë llogaritjet për të “optimizuar” përfitimin shoqëror janë në të vërtetë njerëz si ne. Ndaj ato i nënshtrohen paragjykimit, ndikimit dhe gabimit njerëzor.

Mos harroni asnjëherë faktin se në situata si këto, interesat e qeverisë rrallë përputhen me ato të njerëzve. Interesat e tyre mbështeten tek fakti se ata në gjendje t’ju mashtrojnë duke menduar se po ju mbajnë të sigurt. Kjo do të përfshijë përdorimin e gjuhës orwelliane në një vend të ngarkuar emocionalisht në frymën e “mos lejimit të një krize të kalojë pa shfrytëzuar politikisht”. Ndaj ne nuk na bie kurrë rasti të dëgjojmë asnjë drejtues në televizion të flasë për koston ekonomike të bllokimit, megjithatë, individët e bëjnë këtë çdo ditë, në të gjitha aspektet e jetës së tyre. Një individ e kupton rrezikun e çdo veprimi ose mosveprimi në përditshmërinë e vet. Ndaj kjo liri e zgjedhjes duhet të mbrohet, veçanërisht në kohëra si këto. Coronavirusi padyshim që do të ketë efekte negative në mirëqenien e njerëzve dhe kështu heqja e kësaj lirie të zgjedhjes paralizon më tej një shoqëri tashmë të gjymtuar.

Në një artikull të fundit të postuar në The Lancet, mjeku suedez i sëmundjeve infektive Johan Gieseck shkruan se bllokimet nuk zvogëlojnë vdekjet e përgjithshme dhe më tej ai pretendon se juridiksionet e mosbllokimit ka të ngjarë të kenë nivele të ngjashme të vdekjeve me zonat e izoluara. Ai beson se është e pashmangshme që e gjithë popullata të ekspozohet ndaj Coronavirusit në një moment dhe se bllokimi do të vonojë vetëm rastet e rënda për një kohë të caktuar. Nëse kjo është e vërtetë, mbetet ende të shihet, por tregon se sakrifikimi i verbër i lirive të dikujt në emër të sigurisë do të ishte naiv. Nëse është e vërtetë që qeveritë thjesht i kanë vonuar rastet, por kanë shkaktuar një cunami ekonomik, a do të ngrihet qeveria dhe të marrë përgjegjësi? Nuk ka gjasa! Strategjitë e detyruara si “rrafshimi i kurbës” ose “bllokimi deri në vaksinim” justifikohen bazuar në këshillat e ekspertëve të shëndetit, të cilët vetë janë në kundërshtim, por strategjia e vërtetë optimale do të jetë e mbështetur nga veprimet e individëve të lirë, si gjithmonë.

Nën dritën e këtij arsyetimi, duket e pakuptimtë t’i dorëzojmë fatin tonë qeverisë dhe t’u besojmë atyre që të llogaritin se sa njerëz mund të marrin pjesë në qoftë edhe në aktivitetin më modest, që të mos tejkalohen kriteret e të mos rrezikohet ekspozimin. Me informacionin e ri publikuar nga OKB, është e qartë se qeveritë në të gjithë botën janë të paafta për të vlerësuar rezultatet e interesit më të mirë të shoqërisë. Sado joshëse të duket të besosh që qeveria na mbrojti me izolimin, ata thjesht kanë dëmtuar shoqërinë më shumë sesa po e ndihmojnë atë, ashtu si veprojnë me të gjitha rregulloret e tjera të detyruara të tyre. Ndaj në një kohë kur një gabim nga qeveria është më i kushtueshëm se kurrë, ruajtja e lirive tona individuale është thelbësore!

/ Mises Institute

Leave A Reply

Your email address will not be published.