The news is by your side.

Ministria e Financave sqaron ndryshimet në procedurat tatimore

Ministria e Financave sqaroi ndryshimet në udhëzimin “Për procedurat tatimore”, konkretisht pikën 90.1 të tij, për urdhrat e bllokimit të llogarive bankare.

Në faqen zyrtare të këtij institucioni thuhet se ndryshimet e udhëzimit unifikojnë qëndrimin që duhet të mbajë administrata tatimore brenda kompetencave që i lejon ligji “Për procedurat tatimore”.

Konkretisht, sipas Ministrisë të Financave, ndryshimet vetëm sqarojnë procedurën e bllokimit të llogarive, si masë preventivuese; kohëzgjatjen e bllokimit dhe përparësitë e urdhrave; mënyrën e procedimit me urdhrat e bllokimit jo të sakta dhe kohën kur mund të kërkohet borxhi tatimor i papaguar nga pronarët  e biznesit.

Por në ndryshimet e botuara në Fletoren Zyrtare, në një paragraf të udhëzimit thuhet se nëse pas zbatimit të masave shtrënguese, duke përfshirë sekuestrimin dhe shitjen e pasurive, subjektet nuk shlyejnë detyrimet, shuma e papaguar i transferohet ortakut, aksionarit dhe administratorit. Për këtë qëllim, fillimisht administrata tatimore garanton mbledhjen e detyrimit nëpërmjet vendosjes së urdhër bllokimit mbi llogaritë dhe depozitat e ortakëve, aksionarëve dhe administratorëve të subjekteve.

Këto ndryshime që sanksionojnë urdhrin e bllokimit të llogarive bankare për ortakët, aksionarët apo administratorët e shoqërive në rast mos shlyerje të detyrimeve u kundërshtuan nga sipërmarrje, pasi ato konsiderohen antikushtetuese. Përfaqësuesit e studiove ligjore më me zë në Shqipëri, vlerësuan se ndryshimet janë në kundërshtim, si me ligjin “Për Procedurat tatimore”, ashtu edhe me atë “Për shoqëritë tregtare”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.