The news is by your side.

Liberalizmi i tregut të lirë nevojitet më shumë se kurrë!

Nga cikli: “Liberalët thonë:”

Shumë prej nesh hamendësuam, ose të paktën është e sigurt që shpresuam, se pas pasojave katastrofale sociale, ekonomike dhe njerëzore të shoqërive me planifikim qendror gjatë shekullit të 20-të, dështimet për faqe të zezë dhe korrupsioni që rezultoi nga ndërhyrjet e qeverisë në ekonomi, mund të rizgjohej vlerësimi dhe të kuptuarit për një shoqëri liberale të tregut të lirë.

Gjatë dekadave të fundit, njerëzimi ka dëshmuar një fund dramatik dhe fantastik të varfërisë në gjithnjë e më shumë pjesë të botës, së bashku me disponueshmërinë e shpikjeve të paimagjinueshme teknologjike për një numër shumë të madh të miliarda njerëzve në këtë planet. Por në vend të një vlerësimi se si forcat pjesërisht të lira të tregut e kanë bërë të mundur këtë gjë, veçanërisht në ato zona që më parë njiheshin si bota e tretë e pazhvilluar, anti-revolucioni kundër lirisë njerëzore duket se po mbledh edhe njëherë forcat me thirrjet për “socializëm demokratik,” një Marrëveshje të Re të Gjelbër dhe një rritje masive në programet e shtetit të mirëqënies sociale dhe përtej.

Për më tepër, miqtë e lirisë janë të penguar me një fushatë shumë të suksesshme propagandistike nga ata në “të majtën” politike, të cilët kanë keqinterpretuar dhe kanë këmbëngulur se sistemi ekonomik në të cilin ne të gjithë jetojmë është një sistem i kapitalizmit të tregut të lirë. Në realitet, 100 vite të një rritjeje të vazhdueshme dhe me ndërhyrjen e pushtetit qeveritar e kanë transformuar sistemin ekonomik modern në diçka shumë të ndryshme nga çfarë ndjekësit e ekonomisë liberale kanë bërë thirrje dhe mbrojtur historikisht.

Kuptimi i liberalizmit të tregut të lirë

Le të fillojmë me disa përkufizime. Çfarë është një shoqëri e tregut të lirë apo një shoqëri liberale? Që nga koha e Adam Smith në vitet 1770, përgjithësisht është kuptuar se një ekonomi e tregut të lirë është një ekonomi e bazuar në njohjen e një game të gjerë lirie individuale si në zgjedhjet e konsumatorit ashtu edhe në ato të prodhuesit. Këto zgjedhje të lira ndodhin brenda një rregullimi institucional të pronësisë private mbi mjetet e prodhimit (toka, puna, kapitali), në të cilën transaksionet dhe partneritetet njerëzore janë të bazuara në dakordësimin me vullnet të lirë dhe shkëmbimeve me përfitim të përbashkët.

Ndërveprimet e hapura dhe konkurruese të të gjithë pjesëmarrësve si nga pala e kërkesës ashtu edhe e ofertës gjenerojnë kushtet e tregtisë për çdo gjë që blihet dhe shitet. Këto, në këmbim, sigurojnë strukturën e çmimeve të tregut që koordinon ndërveprimet e pjesëmarrësve të shumtë në sistemin aktual social të ndarjes së punës. Prodhimi iniciohet nga sipërmarrja private, nga sipërmarrësit, të cilët drejtojnë biznesin e tyre me misionin për të siguruar fitime dhe për të shmangur humbjet.

Por të vetmet mjetet sociale në dispozicion të tyre janë të drejtojnë sipërmarrjet nën pronësinë e tyr dhe të kontrollojnë prodhimin dhe ofertën e atyre mallrave dhe shërbimeve që konsumatorët dhe kërkuesit e tjerë janë të gatshëm të blejnë prej tyre, në vend të mallrave dhe shërbimeve të tjera që po ofrohen në treg nga rivalët e tyre paqësorë dhe konkurrues, të cilët gjithashtu po ndjekin fitimet dhe uljen e kostove.

Roli i qeverisë në liberalizmin e tregut të lirë

Detyrat dhe përgjegjësitë kryesore të qeverisë në liberalizmin e tregut të lirë janë që të mbrojë të drejtën individuale të çdo qytetari për jetën e tyre, lirinë dhe pronën e fituar me ndershmëri, së bashku me detyrimin dhe zbatimin e kontratave të lidhura me vullnet të lirë dhe ruajtjen e anëtarëve të shoqërisë nga agresionet e kriminelëve të brendshëm dhe sulmuesve të mundshëm nga jashtë vendit përmes përdorimit difensiv të policisë dhe forcave të armatosura.

Liberalët e tregut të lirë kanë debatuar mes tyre mbi rolet dhe detyrimet e tjera që një qeveri duhet të ndërmarrë ose të mos ndërmarrë që të sigurojë lirinë në vend që ta dhunojë atë. Kjo dilemë zakonisht ka përfshirë shpenzimet qeveritare dhe përfshirjen në arsimim, shpenzimet për infrastrukturën, përgjegjësitë regulatore specifike dhe shpenzime të caktuara për mirëqënien minimale.

Por premisa që fshihet në rastin e ekonomisë liberale të tregut të lirë është se individët duhet të konsiderohen si qëllime në vetvete dhe nuk duhet të cilësohen si mjete për qëllimet e të tjerëve përmes përdorimit të dhunës dhe kërcënimeve. Dhe për këtë qëllim, të gjitha rrugët për iniciativë private dhe ortakëri vullnetare duhet të konsiderohen si mjetet e dëshirueshme për të zgjidhur problemet sociale përpara se të ndërmerret në konsideratë një përfshirje serioze e qeverisë. Mosndërhyrja është pozita normale, çdo pozitë tjetër duhet të ketë arsye dhe prova strikte.

Në mbështetje të parimit “të mosndërhyrjes” të qeverisë në aspektin social dhe ekonomik, që nga koha e Adam Smith është marrë e garantuar se individët janë në përgjithësi më të mirëinformuar mbi dëshirat e tyre dhe rrethanat në të cilat duhet t’i ndërmarrin vendimet e përditshme se sa politikanët dhe burokratët që jo vetëm u mungon totalisht dijenia e zotëruar nga qytetarët respektivë, por kanë qëllimet dhe interesat e tyre që pak kanë të bëjnë me ata mbi të cilët sundojnë.

/ Burimi: American Institute for Economic Research

Shaqir Sulaj

Leave A Reply

Your email address will not be published.