The news is by your side.

Lëvizje historike- Norvegjia përdor fondin e rezervave të pasurisë, shkak nafta

Norvegjia mori në mënyrë të papritur gati 400 milion dollarë nga fondi i saj i pasurisë shtetërore në gusht, duke shënuar tërheqjen e parë brenda një viti pasi prodhuesi më i madh i karburantit në Evropën Perëndimore po përballet me një rënie të çmimeve të naftës.

Përdorimi i fondit më të madh të pasurisë në botë mbetet një dukuri jashtëzakonisht e rrallë në Norvegji. Qeveria bëri tërheqjen e saj të parë në histori në 2016-ën, pas një kolapsi të çmimeve të naftës së papërpunuar. Madje ka qënë siguria e këtij fondi, ajo që ka ndihmuar Bankën Qendrore të Norvegjisë të shmangë disa nga ekstremitetet e stimulit monetar.

Tërheqja, e cila vjen pasi çmimet e naftës u ulën në një minimum prej shtatë muajsh në fillim të gushtit, u bë për të mbajtur një ekuilibër midis të ardhurave dhe shpenzimeve të parave të naftës, tha të marten Ministria e Financave. “Informacioni i deritanishëm sugjeron gjithashtu se edhe më shumë tërheqje do të jenë të nevojshme në muajt e ardhshëm,” shtoi më tej institucioni, duke thënë: “Ndërsa fluksi i parave nga prodhimi i naftës do të bjerë, do të bëhet më e zakonshme që transferimet të kompensohen nga fondi. Do të jetë një masë normale më vonë. “

 Megjithatë, tërheqja e gushtit nga fondi i pasurisë erdhi shumë e befasishme. Qeveria tha në buxhetin e saj të rishikuar në maj se pret të depozitojë gjithsej 34 miliardë korona (3.7 miliardë dollarë) në fond deri në fundin e vitit aktual. Por tërheqja bëri që depozitat neto deri në gusht të rezultojnë vetëm 19.9 miliardë korona, duke e pozicionuar qeverinë larg arritjes së objektivit vjetor.

Norges Bank, një njësi e bankës qendrore që administron fondin, nuk pranoi të komentojë tërheqjen e gushtit, duke thënë se pyetjet do marrin përgjigje kur qeveria të paraqesë buxhetin e saj për vitin 2020 në 7 tetor, përfshirë në raport edhe parashikimet e azhurnuara për vitin 2019.

Cmimi i naftës bruto ra në rreth 56 dollarë për fuçi në fillim të gushtit, mes shqetësimeve të luftërave tregtare dhe rritjes së ngadalshme globale në kërkesën për naftë. Kjo shifër rezultoi shumë poshtë vlerësimeve të qeverisë në buxhetin e rishikuar, i cili i supozoi çmimet e naftës midis 67 dhe 70 dollarë për fuçi gjatë gushtit dhe pjesës tjetër të vitit.

Banka Qendrore e Norvegjisë tha në fund të gushtit se kishte planifikuar të rriste blerjet ditore të letrave me vlerë, me 40% në shtator, shenjë e mundshme se shumë nga të ardhurat e naftës do të shndërrohen në shpenzime qeveritare.

Norvegjia, e cila ka prodhuar naftë dhe gaz që nga vitet 1970, përdor të ardhura nga taksat e naftës, për të balancuar deficitet e buxhetit, me një rregull të vetë-imponuar për të mos shpenzuar më shumë se 3% të fondit të pasurisë në vit. Deri në vitin 2016, të ardhurat totale të naftës ishin superiore ndaj deficitit, duke lejuar qeverinë të transferonte bilancin më të lartë ndonjëherë në fondin e pasurisë, i cili është rritur në më shumë se 1 trilion dollarë që nga krijimi në vitet 1990.

Kryeministri konservator Erna Solberg, kreu i parë i një qeverie norvegjeze që përdor fondet e pasurisë kombëtare, ka rritur përdorimin e të ardhurave të naftës së vendit në nivele të larta. Qeveria po planifikon të shpenzojë 238 miliardë pasuri të naftës në 2019, nga 214 miliardë vitin e kaluar.

/ Burimi: Bloomberg

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.