The news is by your side.

Letra e Bashës për bankat: Shqipëria nëse nuk është e imja nuk do të jetë e askujt!

Nga Shaqir Sulaj

Në natyrën njerëzore është e zakonshme që kur kalohet shumë kohë duke u marrë me diçka të vjen në majë të hundës, thotë populli. Zakonisht ikën plotësisht vullneti për t’u marrë me atë gjë dhe shpeshherë përfundojmë duke e shkatërruar atë që po ndërtonim. Kjo është e justifikueshme deri diku në njëfarë mënyre. Problematika fillon e bëhet më komplekse kur kjo situatë kalon në përmasa makro. Më konkretisht, kur çështja në fjalë është një vend si Shqipëria, ndërsa të irrituarit janë politikanët tanë.

Në një letër drejtuar bankave të nivelit të dyt lideri i partisë Demokratike, z. Lulzim Basha u bën thirrje bankave të nivelit të dytë që të mos financojnë PPP-të. Në një fragment të letrës thuhej si më poshtë:

PD ka një projekt të qartë dhe me masa drastike e konkrete për të luftuar këto fenomene dhe për të vënë përpara përgjegjësisë personat e përshirë në to. Të tilla janë, por pa u kufizuar vetëm në to, ngritja e strukturave që do të verifikojnë plotësimin e kushteve nga operatorët ekonomikë privatë që kanë përfituar leje ndërtimi apo kontrata publike, mundësitë financiare që këta operatorë kanë pasur duke i krahasuar me kostot reale të investimeve të kryera dhe çmimet e shitjes së produkteve e shërbimeve të tyre, gjurmimin e financimeve të tyre etj. Të gjitha këto masa do të shoqërohen, gjithashtu, me veprime të tjera nga ana e organeve tatimore/ligjzbatuese, të tilla si revokimin e lejeve apo përfundimin e kontratave të dhëna në mashtrim me ligjin apo në kundërshtim me të, kalimin në favor të shtetit të gjithë pasurisë së fituar nëpërmjet apo të përfshirë në të tilla aktivitete etj.

Në fund, më lejoni t’ju shpreh angazhimin tonë, që, me të njëjtën forcë që do të godasim dhe luftojmë fenomenet negative dhe personat e përfshirë në to, me të njëjtën forcë dhe vullnet do të mbështesim të gjithë ata operatorë dhe subjekte që besojnë në konkurrencën dhe tregun e ndershëm, si dhe punojnë në përputhje me ligjet e vendit dhe praktikat e gjithëpranuara ndërkombëtare.

Padyshim është e vërtetë që aktiviteti kriminal në vend është rritur duke qenë çdo ditë dëgjojmë lajme kriminaliteti. Madje është e sigurt që po të gërmojmë pak jo shumë, mund të gjejmë prova financimi nga aktivitetet kriminale në shumë sektore të ekonomisë shqiptare qoftë ndërtim, infrastrukturë, turizëm etj. Dilema në këtë rast nuk është nëse thirrja e Bashës është e drejtë apo jo sepse padyshim që është. Çështja është a i duhej vendit kjo thirrje publike ndaj bankave për të mos financiuar aktivitete ekonomike në vend. Për mendimin tim jo, ja pse:

Kohët e fundit, kryeqyteti vuajti dhe mbase ende po vuan, por thjesht u mësuam me një sagë mungese uji. Situata shko deri aty sa jo vetëm që nuk kishte ujë për t’u larë, por as për tualetet. Arsyeja pse po e bëj këtë analogji nuk është se dua të fajësoj paraardhësin e kryetarit aktual të bashkisë së Tiranës, që do ishte sërish z. Basha, siç bëjnë rëndom liderët në Shqipëri për të justifikuar paaftësinë e tyre për ta nxjerrë vendin nga situata. Thjesht sepse kur nuk ke ujë, do të pish edhe në gjurmët e kalit, thotë populli. E njëjta gjë ndodh edhe me ekonominë shqiptare, që është e dobët, jovitale dhe e kriminalizuar në masë është një konstatim i drejtë, por për sa kohë nuk jeni në gjendje t’i ofrosh një alternativë, për sa kohë nuk ke hedhur ide, nuk ke një plan të prekshëm se si të sjellësh epokën e re të ekonomisë shqiptare, mos e ndot gjurmën e kalit sepse aty pi ujë një popull i tërë.

Së dyti, të përhapësh panik në sektorin financiar, shkakton pasiguri në aktorët  e tregut. Duke gjykuar pasojat e rënda që po shkakton pasiguria në treg edhe në ekonomitë më të shëndetshme botërore siç janë SHBA-të, Kina apo edhe Gjermania, si do e përballonte ekonomia shqiptare tkurrjen e atyre investimeve që janë të tkurrura në vetvete.

Shqiptarët janë vetë një popull që nuk e kanë shumë në kulturë që të dërgojnë kursimet e tyre në banka, duke qenë se në vendin tonë është një prirje relativisht e re. Të “kërcënosh” bankat me anullimin e projekteve të financiuara nga ato sjell një efekt domino në ekonomi. Nëse projektet anullohen, bankat nuk do marrin paratë e tyre mbrapsht, rrjedhimisht do të kenë vështirësi në pagesat e interesave të individëve që u kanë besuar kursimet, që do t’i nxisë ata që të mos dërgojnë më para në bankë.

Tkurrja e depozitave bankare do të thotë më shumë para të thata në qarkullim. Sipas një takimi të Bankës së Shqipërisë mbi informalitetin, citohej se një nga shkaktarët kryesorë të informalitetit në ekonomi është qarkullimi në masë i parasë cash në vend. Vetëm nga ky faktor çdo vit ekonomia shqiptare ka humbje në masën 1 % të GDP-së, që korrespondon me 175 milionë dollarë.

Ndoshta me të vërtetë, Shqipëria aktualisht është në një moment të errët të historisë së saj, por kjo nuk do të thotë se kushdo mund të bëjë ctë dojë me të. Nuk i kam ende përgjigjet për të gjitha problemet e vendit tonë, por e di që zgjidhja e një problemi nuk është thellimi i tij. Secila palë po shfaq simptomat e një sëmundjeje që ka kohë që zgjat mes pushtetarëve shqiptarë. Quajeni ego, lakmi, grandiozitet, nuk na intereson. Na intereson të kemi qëllime të reja. Duhet diçka ndryshe!

Leave A Reply

Your email address will not be published.