The news is by your side.

Korrupsioni në Shqipëri si gangrenë për investimet, edukimin dhe shëndetësinë

Indeksi i perceptimit të korrupsionit tregon se Shqipëria ka 36 pikë nga 100 në total dhe renditet e 99-ta nga 180 vende. Krahasuar me rajonin, Shqipëria ka indeksin më të lartë të korrupsionit. Serbia ka 39 pikë dhe renditet në vendin e 97-të. Kosova ka 37 pikë dhe renditet në vendin e 93-të. Maqedonia ka 37 pikë dhe renditet në vendin e 93-të. Mali i Zi ka 45 pikë dhe renditet në vendin e 67-të.

Korrupsioni shfaqet në shumë forma, por format më të zakonshme janë korruptimi i punonjësve publikë, përdorimi jo i duhur dhe shpërdorimi i fondeve publike ose keq përdorimi i pushtetit politik për të përfituar ekonomikisht. Ekonomitë me korrupsion të lartë nuk zhvillohen aq shumë sa ekonomitë me korrupsion të ulët. Kjo ndodh sepse korrupsioni pengon ligjet natyrale ekonomike që të funksionojnë ashtu si duhet. Sipas Bankës Botërore, të ardhurat mesatare të ekonomive me korrupsion të lartë janë gati sa 1/3 e të ardhurave të ekonomive me korrupsion të ulët.

Si ndikon korrupsioni në ekonomi?

Nëpërmjet korrupsionit shumë biznese arrijnë që të shndërrohen në oligopol ose monopol. Duke qenë se nuk kanë më konkurrencë në produktet që ofrojnë, i rrisin çmimet edhe pse nuk përmirësojnë cilësinë e produktit. Shumica e të ardhurave që krijohen në ekonomi përqendrohen në duart e tyre duke bërë që të ekzistojë klasa elitare, klasa e ulët që merr pak të ardhura dhe një klasë e mesme shumë e vogël.

Për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe mungesës së besimit për funksionimin e ligjeve, investitorët potencialë ngurojnë të investojnë. Niveli i kredisë për sektorin privat u zvogëlua me 5.4% në vitin 2018, tregues ky që investimet nga ky sektor janë ulur. Kjo bën që teknologjia të avancojë me ritme shumë të ngadalta. Zakonisht vendet me korrupsion të lartë janë vende që importojnë teknologjinë sepse nuk krijohet në vend. Edhe Shqipëria është një nga vendet importuese të tekonologjisë. Në vitin 2018, 22.19% e totalit të importeve përbëhej nga makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, ekonomia joformale është shumë e madhe gjithashtu. Bizneset nëpërmjet ryshfeteve arrijnë që të qëndrojnë në treg pa u regjistruar në mënyrë që të shmangin taksat. Në vitet 1991-2015, niveli i informalitetit në vend ka qenë mesatarisht 32.7% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).


Investimet e huaja janë të ulëta sepse niveli i korrupsionit nuk i jep siguri investitorëve të huaj. Gjithashtu, edukimi dhe shëndetësia kanë cilësi të ulët. Kjo për shkak se korrupsioni rrit kostot e edukimit dhe ryshfeti luan një rol të rëndësishëm në punësimin dhe promovimin e mësuesve. Korrupsioni ndikon edhe në punësimin e personelit të shëndetësisë dhe në furnizimin me ilaçe dhe pajisje mjekësore me cilësi të ulët duke ndikuar në cilësinë e sistemit të shëndetësisë në tërësi.

Pra, për shkak të korrupsionit ngadalësohet zhvillimi ekonomik. E gjithë shoqëria është e prekur prej ekzistencës së ekonomisë jo formale, shpërndarjes së pabarabartë të së ardhurave, cilësisë së ulët të edukimit dhe shëndetësisë. Këta faktorë ndikojnë në uljen e mirëqenies dhe standardit të jetesës të shumicës së popullsisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.