The news is by your side.

Kadia: Projektbuxheti duhej të ishte lajm kryesor, por Ministria nuk ka sqaruar asgjë. Mungon debati publik.

I ftuar në studion e ABC News, eksperti i ekonomisë Besart Kadia ka folur për Projektbuxhetin e vitit të ardhshëm dhe ecurinë e ekonomisë shqiptare pas krizës që shkaktoi së fundi tek arka e shtetit humbja dhe mosrealizimi i planit tek zërat kryesore të të ardhurave.

Vitin e ardhshëm, sipas shifrave zyrtare të bëra publike nga Ministria e Financave, buxheti pritet të jetë më i rrudhur, madje duke mos pasur një shumë dedikuar rritjes së pagave. Referuar kësaj situate eksperti Kadia është shprehur  se edhe më herët në 2017, rritja e pagave mund të shihet si një blerje votash në mënyrë zyrtare.

 “Pra u rrit një pagë në mënyrë të përkohëshme, duke u quajtur rritja më e madhe historike dhe filloi propaganda, por ndërkohë të gjithë ekonomistët e dinin që kjo ishte e përkohëshme. Kështu për tre vitet në vazhdim e deri tani në pritje të 2020-ës pagat janë të ngrira, ashtu siç ishin në 2014, 2015 dhe 2016-tën. Unë them që në 2021-shin, kur të bëhen zgjedhjet e ardhshme parlamentare do rriten sërish pagat për të blerë përsëri në mënyrë zyrtare votat dhe kjo gjë po i ndodh gjatë gjithë kohës ekonomisë shqiptare. Kjo është jo produktive, ç’orientuese, jo vizionare dhe një mënyrë qesharake se si të menaxhosh administratën shtetërore pa performancë, pa indikatorë, pa parë asgjë por thjesht në një mënyrë populiste e të përgjithshme.” është shprehur Kadia.

Ai ka shtuar më tej: “Sot shohim një përqasje që kjo bëhet në mënyrë që të gjithë të përfitojnë njëlloj. Jo, s’ka pse të përfitojnë të gjithë njëlloj! Disa kanë punuar më shumë, disa kanë më shumë merita, disa kanë sjellë diçka shtesë e duhen paguar më shumë. Praktikisht në Shqiëri kjo nuk ndodh dhe bëhet vetëm një kategorizim vjetërsie. Për këtë arsye paguhen të gjithë njëlloj e në mënyrë të barabartë. Pra ngrirja e pagave në 2020-tën nuk është lajm, është e parashikueshme në kohë.”

Ndërsa lidhur me situatën e fundit të persormancës së buxhetit, kriza e të cilit ka detyruar qeverinë të rishikojë kategoritë kryesore dhe treguesin e rritjes ekonomike, eksperti Kadia ka thënë: Mos harrojmë edhe mbylljen e lojërave të fatit që ishte një vendim i njëanëshëm, i shpejtë, i pastudiuar i cili i sjell pastaj buxhetit të shtetit -100 milionë euro, që janë praktikisht ato që ne po shohim sot si mungesë. Sërish lojërat e fatit luhen por shteti nuk po merr paratë e veta. Pra e gjitha ishte e nxituar dhe ja ku shihen rezultatet ekonomike. Nga ana sociale, mbetet gjithashtu për t’u studiuar pasi nuk ka ende një studim nëse diçka është përmirësuar. Këtu merren vendime të pastudiuara të cilat akumulohen dhe sjellin pastaj rezultate negative në performancën financiare”.

Nga ana tjetër nuk mund të mungonte as një reagim lidhur me aktin e fundit normativ që Ministrja e Financave Denaj parashtroi në parlament dhe ndryshimet e reja të tij. Lidhur me rishpërndarjen e zërave të buxhetit aktual dhe rishikimet e fundit në të, Kadia është shprehur: “Ministrja ka kohë që nuk bën një debat publik. Aktualisht nga ana politike kemi Ministren më të fuqishme ndonjëherë, që ka përgjegjësinë e të dyjave bashkë, edhe Financat dhe Ekonominë, ama ajo nuk po shpjegon as projektbuxhetin e vitit 2020, i cili duhej të ishte lajmi kryesor në Republikën  e Shqipërisë.

Ai do kalojë në parlament, do miratohet pa zhurrmë, bizneset do ankohen, do rishikohet ndonjë gjë në dhjetor ose janar, do bëhet zhurrmë 6 muaj dhe do jemi po vendnumëro. Projektbuxheti duhet të ishte lajmi kryesor i qeverisë, pasi tregon çfarë do të bëhet me ekonimnë shqiptare. Duhej të ishte lajmi kryesor për bizneset, pasi duhet t’iu shpjegonte atyre se çfarë masash fiskale do merren, ama bizneset nuk kanë aspak informacion çfarë po ndodh dhe çfarë masash po merr Ministria. Atyre nuk iu është qartësuar dhe komunikuar asgjë, pasi thjesht për të dytin vit po merren vendime të shpejta.” ka thënë ai.

Leave A Reply

Your email address will not be published.