The news is by your side.

Ja kush është gruaja e parë në SHBA që do të drejtojë Shërbimin e Inteligjencës

Joe Biden ka filluar të plotësojë ekipin e tij “të besuar” gradualisht, e ndërsa e bën këtë, të hënën ka njoftuar drejtoreshën e Shërbimit të Inteligjencës. Por, cili është profili i gruas së zgjedhur, e cila do të jetë për më tepër gruaja e parë që do të shërbejë në këtë rol?!

Avril Haines është fëmijë i vetëm. Ka lindur në vitin 1969. Prindërit, njëri shkencëtar ndërsa tjetri piktor. Në moshën 12 vjeçare, Haines u desh të kujdesej për nënë e saj të sëmurë, e cila vdiq katër vjet më vonë. Pas shkollës së mesme, Haines udhëtoi në Japoni, përpara se të shkonte në Universitetin e Çikagos për të mbyllur një cikël studimesh në fizikë. Më vonë, ajo u diplomua në Qendrën Juridike në Universitetin Georgetown.

Pasi mbaroi studimet për drejtësi, Avril Haines ishte nëpunëse për një gjyqtar federal të apelit, ndërsa më tej, në 2003 filloi si avokate në zyrën e këshilltarit ligjor të Departamentit të Shtetit.

Haines ka punuar më parë me Biden, duke shërbyer në role të ndryshme për më shumë se një dekadë. Gjatë drejtimit të Barack Obamës, Haines shërbeu si asistente e presidentit dhe nënkryetarit kryesor të Këshilltarit të Sigurimit Kombëtar në periudhën 2015 – 2017. Po ashtu, Haines punoi si zëvendës drejtoreshë e CIA-s nga viti 2013 – 2015; gruaja e parë që mbajti të dy këto poste.

Karriera e saj përfshin gjithashtu shërbimin si këshilltare ligjore të Këshillit të Sigurimit Kombëtar në vitin 2010 dhe shërbimin e saj si nënkryetare e Këshillit Kryesor të Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit për periudhën 2007 – 2008.

Sipas deklaratës së Biden, Haines ka udhëhequr ekipin e tij të sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme të tranzicionit që nga qershori i 2020 – ës.

Haines ndër të tjera ka edhe një karrierë akademike, duke u përfshirë si studiuese e lartë kërkimore në Universitetin Columbia.

Avril Haines do të zëvendësojë Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare të Presidentit Donald Trump, John Ratcliffe.

Ajo do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e Programit Kombëtar të Inteligjencës, si dhe do të jetë një këshilltare kryesore  presidentit Biden. Programi është një koalicion prej 17 agjencish dhe organizatash që mbledh dhe analizon inteligjencën për të kryer marrëdhënie të jashtme dhe aktivitete të sigurisë kombëtare.

Biden dhe Haines tashmë ndodhen përpara një sfide të re. Trump nuk ka bashkëpunuar me ekipin e Biden për transferimin paqësor të pushtetit. Sipas Associated Press, Biden është shprehur se nuk ka marrë ndonjë informim të inteligjencës.

Burimi: Scan.tv

Leave A Reply

Your email address will not be published.