The news is by your side.

Forcat e Sigurisë së Kosovës nisen për të ndihmuar në zonat e prekura nga tërmetet

Pas tërmeteve shkatërrimtare që kanë prekur vendin ditën e sotme, të cilat kanë shkaktuar 13 viktima dhe mbi 600 të plagosur, Durrësi dhe Thumana vazhdojë të mbeten dy nga zonat me dëmtimet më të mëdha. Qindra banesa janë shkatërruar dhe godinat e shembura kanë bllokuar njerëzit nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit nga i gjithë vendi kanë shkuar drejt zonave të prekura për të asistuar në shpëtimin e njerëzve, në një kohë që ndër të parat ndihma erdhi ajo nga Kosova.

Që në orët e para të mëngjesit Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës kanë mobilizuar njësitet e tyre policore, të cilat janë nisur në drejtim të Shqipërisë. Lidhur me gjendjen e vështirë në vend kanë folur gjithashtu edhe Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj. Ata janë shprehur të gatshëm për ndihma të mëtejshme duke theksuar mbështetjen e Kosovës pas fatkeqësive natyrore në Shqipëri.

Presidenti Hashim Thaçi është shprehur: “Sapo fola me kryeministrin Edi Rama, ku u informova për gjendjen pas tërmetit që goditi Shqipërinë. Kryeministrit Rama, në emër të qytetarëve të Kosovës i shpreha ngushëllimet më të sinqerta për viktimat që pësuan nga tërmeti dhe e sigurova se Kosova do të jetë në mbështetje dhe përkrah Shqipërisë. Tashmë njësitë përkatëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë nisur drejt zonave të dëmtuara nga tërmeti.”

Nga ana tjetër, lidhur me ngjarjen ka folur edhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë: “Me shqetësim po i përcjell lajmet për tërmetet e njëpasnjëshme që goditën Shqipërinë dhe një pjesë të Kosovës gjatë natës. Mendimet dhe lutjet e mia janë me të gjithë qytetarët që pësuan dhe ata që presin me padurim lajme për familjarët e tyre. Kosova është e gatshme t’i ofrojë ndihmën e saj të pakursyer popullit dhe shtetit të Shqipërisë për të tejkaluar këtë situatë të rëndë. Të gjithë të lënduarve shërim sa më të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.