The news is by your side.

Endri, nuk të gënjyen prindërit por politikanët

Nga Besart Kadia

Një shprehje e urtë indiane thotë se : “ në rast se nuk kontrollon mendjen, atëherë të tjerë do të kontrollojnë ty”. E mendja arrihet të kontrollohet vetëm në rast se ne lexojmë. Dhe unë mendoj se shqiptarët nuk lexojnë sa vendet e tjera të zhvilluara e ndaj përfaqësuesit tanë nuk janë nën nivelin mesatar por janë mesatarja e shoqërisë. Dhe politika synon të mbajë popullin sa më pak të lexuar sepse kështu i intereson të mbajë pushtetin e saj të korruptuar. Prindërit nuk të kanë gënjyer! Pse?

Të dhënat tregojnë se 57% e fëmijëve tanë nuk kuptojnë atë cfarë lexojnë. Teksa komunizmi i mësoi popullit “lexim e këndim” duke zhdukur analfabetizmin ajo e pasoi me bombardim ideologjik dhe indoktrinim të popullit, pasojat e së cilës po i vuajmë akoma sot; sidomos  në mënyrën sesi përdorim gjuhën dhe sesi më pas përshkruajmë realitetin. Sepse gjuha shndërrohet në mendim[. Janë studime të reja që thonë se gjuha që ne përdorim ndikon në perceptimin tonë për botën. Për shembull prindërit e tu kur të kanë thënë “mëso, se pa shkollë nuk gjen dot punë!, të kanë thënë shkurt se edukimi të mundëson një punë me dinjitet. Por ne dimë se dhe pa shkollë mund të bësh shumë punë të ndryshme… sanitare, larës pjatash, roje, etj. Të gjitha janë punë dhe s’kanë nevojë për edukim… dhe mijra njerëz sot paguhen për këtë punë. Por prindërit e tu e kanë përdorur fjalën lexim dhe punë si një shkrirje të pritshmërive të gjithë popullit shqiptar gjatë perandorisë otomane dhe nën komunizëm se shkolla të mundëson një vend të sigurt në administratën shtetërore dhe respekt në shoqëri.  

Por sot dija është përtej të punuarit në shtet! Liria që ne sot kemi për të studiuar jashtë, për të hapur biznes, për të krijuar “start-up” e ka tejkaluar funksionin bazë të dijes e leximit për një “vend të ngrohtë e të sigurt në shtet”. Sot dija e leximi shërben për të marr rrezik e për t’i ofruar shoqërisë shërbime që shteti e shumë qytetarë të tjerë nuk i ofrojnë dot. Kush lexoi e u kualifikua sot ofron shërbime që paguhen shumë mirë në sistemin bankar, në spitale private, menaxher korporatash apo firmash, inxhinier rrugësh, apo IT manager… profesionet e tregut janë të shumta dhe ata që lexuan sot po i marrin mbrapsht mundimin me shpërblim financiar dhe dinjitet në shoqëri.

Dhe për këtë arsye kjo konkurrencë në treg ka bërë që shumë prej nesh të mos kënaqen vetëm me aftësinë për të lexuar por të kualifikohemi në shkollat më të mira botërore e për t’u kualifikuar për bachelor, master, doktoraturë, për të vazhduar në konferenca ndërkombëtare e do vazhdojmë  deri sa të kemi frymë. Këtë dinjitet e marrim vetëm nga leximi që s’ta heq dot askush! As krimineli, as sharlatani as i korruptuari. Këtë liri shqiptari e merr vetëm nga edukimi. Gjë për të cilën dhe ti je dakort. Por fatkeqësisht shumë shqiptarë sot nuk janë dakort!

Të dy e dimë Endri që pavarsisht histerisë kolektive se “u hapën dyert e universiteteve e të gjithë po marrin diplomë” vetëm 23% e 30-34 vjecarëve sot kanë një shkollë të lartë ndërkohë që mesatarja e Europës është 40%. Të dy e dimë Endri që ky është një nivel më i ulët se Serbia, Maqedonia, Mali i Zi e Turqia… Studime nga Banka Botërore thonë se firma të shumta në Shqipëri kanë mungesë stafi të kualifikuar dhe 51% e tyre hasin vështirësi për të gjetur staf të kualifikuar. Dhe nga ana tjetër punëdhënësit tregojnë se edhe ata studentë me diplomë nuk kanë aftësi të përditësuara për tregun e punës pasi sistemi ynë i edukimit nuk është i lidhur me industrinë.[

Për më tepër të dy e dimë që Shqipëria ka numrin më të lartë në Europë të 15-29 vjecarëve që nuk janë në shkollë e janë inaktivë në tregun e punës. 34% e kësaj grupmoshe janë pa edukim e pa punë, më e larta ne Europë mesastarja e së cilës është 15%. Po ashtu produktiviteti i punëtorit shqiptar, e cila mat cilësine dhe efikastietit e burimeve njerëzore ne ekonomi, është shumë i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe Europës[. Produktiviteti i punës në Shqipëri llogaritet sa një e treta e mesatares së rajonit dhe një e pesta e vendeve më të zhvilluara të BE. Produktiviteti i ulët vjen si pasojë e mungesës së inovacionit dhe aftësive.

Dhe ketu… ndalemi dhe biem dakort që dështimi vjen prej politikave të gabuara kur jemi vendi që shpenzon më pak në “kërkim dhe zhvillim” në Europë. Ku nuk shpenzojmë e për rrjedhojë nuk kemi prioritet shtetëror inovacionin e zhvillimin industrial të vendit. Ku kryeministri krenohet që nuk kupton nga ekonomia por ndërkohë jep koncensione e leje ndërtimi si të mos kishte të nesërme… Sepse politika shqiptare ka për synim një shoqëri që kënaqet me pak, me qytetarë që kënaqen me cfarë politika i jep, e që synon ti heq dinjitetin njerëzor e ta kompromentojë duke e inkurajuar që të mos lexojë. Në diskutim që pata me Kim Mehmetin dhe ai ndante të njëjtin mendim që politika shqiptare inkurajon që populli shqiptar mos lexojë e mos edukohet sepse në këtë mënyrë ata e kontrollojnë më lehtë.

Ndaj dhe ne nuk lexojmë! Prindërit nuk të kanë gënjyer kur të premtuan se të lexosh të jep vetëm të mira sikundër ti dhe unë jemi dëshmitarë të kualifikimit që kemi marrë e po marrim në Mbretërinë e Bashkuar…

Ti me të drejtë thua se në Shqipëri uji është i kontaminuar, se kriminelët janë në krye, se politikanët gënjejnë e se ata vjedhin… Por të gjitha këto nuk ndodhin pavarsisht faktit se shqiptarët janë të lexuar por e kundërta se politika nuk i do të lexuar. Këto ndodhin se nuk ka patur shumë si prindërit e tu për t’iu imponuar fëmijëve të tyre që të lexojnë që të kenë dinjitet, liri e mundësi që ti kërkojnë llogari kryetarit të bashkisë e kryeministrit e kujdo tjetër.

Duhet të dish se leximi nuk synon meritokraci. Leximi synon dinjitet, liri e pavarsi. Me këtë lexim ti sot, sikundër dhe une dhe shumë njerëz të lexuar, kuptojmë se shumë gjëra në Shqipëri nuk shkojnë e se duhet e duhen ndryshuar. Shqipëria është në krizë të thellë kulturore. Por t’i thuash Shqiptarëve se leximi yt nuk është shpërblyer  e ndaj gjithcka shkon keq është përdorimi jo i drejtë i gjuhës i cili shndërrohet në mendim e për këtë arsye inkurajon pikërsisht mendësinë se me korrupsion, vjedhje e mendjelehtësi mund dhe do të bësh përpara në Shqipëri.

Endri të dy e dimë se  57% e njerëzve që do të marrin mundimin të lexojnë këtë shkrim e debat miqsor mes nesh nuk do e kuptojnë se cfarë po lexojnë! Dhe për këtë politika gëzon! Politika ofron rrugën e shkrutër të korrupsionit e të dallaveres… kurse prindërit na thanë të vërtetën….leximi të jep liri e dinjitet. E këto armë do përdorim ndaj ndryshkjes së qeverisë e politikës sonë!




1 Comment
  1. […] njerëzore ne ekonomi, është shumë i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit dhe Europës[. Produktiviteti i punës në Shqipëri llogaritet sa një e treta e mesatares së rajonit dhe një […]

Leave A Reply

Your email address will not be published.