The news is by your side.

Denaj fton investitorët amerikanë të rrisin prezencën e tyre në Shqipëri

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  mori pjesë në 20 Vjetorin e Asamblesë së Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, ku krahas sipërmarrësve, anëtarë të kësaj organizate biznesi ishte e pranishme edhe Ambasadorja e SHBA, në Tiranë, Yuri Kim.

Gjatë këtij takimi, Ministrja Denaj solli në vëmendje të përfaqësuesve të biznesit amerikan, nismat e Qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë sa më të  favorshme për çdo  sipërmarrës, që zhvillon aktivitetin e tij ekonomik në vendin tonë ose ata që duan të vijnë.

“Klima e biznesit në Shqipëri është dhe duhet të jetë në fokus të gjithë institucioneve. Duke qenë këtu si përfaqësuese e Qeverisë, dua të theksoj angazhimin që përpjekja dhe puna për të përmirësuar klimën e biznesit nuk do të mungojë.”, u shpreh  Ministrja. Denaj theksoi, se  reformat  e Derregulimit dhe e Digjitalizimit kanë  shkurtuar burokracitë, letrat e panevojshme, kostot për biznesin dhe mbi të gjitha kanë ulur prirjen drejt korrupsionit.

Ministrja nuk la pa përmendur edhe dialogun e pandërprerë me Dhomën Amerikane, si një partner në  shumë nisma, ndërkohë që theksoi, se potenciali bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk është shfrytëzuar plotësisht për disa arsye.

“Ne nuk do të reshtim së promovuari potencialet e vendit dhe bërjen e tij sa më tërheqëse për investitorët e huaj”, tha Ministrja.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë vlerësoi si një ngjarje historike firmosjen dy javë më parë të Memorandumit të  Bashkëpunimit Ekonomik Shqipëri-SHBA. Ministrja  ftoi  sipërmarrësit e Dhomës Amerikane të rrisin prezencën e tyre në vendin tonë, duke i orientuar ata  edhe në fushat  prioritare  si energjia, turizmi, përpunimi, teknologjia e informacionit, etj., si sektorë shumë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.

Gjithashtu Denaj ftoi bizneset, anëtare të Dhomës Amerikane, të jenë më shumë pjesëmarrës edhe në bordet e shkollave profesionale, si një shtysë për t’i orientuar ato drejt tregut të punës dhe nevojave konkrete të sipërmarrësve për punonjës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.