The news is by your side.

Bamirësi në vend të taksimit

Mbase nëse qeveritë kërkojnë më pak detyrimisht, njerëzit do të jepnin më shumë vullnetarisht.

Kujdes shëndetësor. Edukim. Mes të tjerash, këto shërbime janë konsideruar aq të rëndësishme saqë shumica e qeverive aktuale bëjnë një përpjekje të stërmadhe për t’ua siguruar njerëzve me të ardhura të pamjaftueshme. Sigurisht, që do të ishte një çmenduri të mohosh se sa të rëndësishme janë këto shërbime.

Në vitin 2016, një sondazh i zhvilluar nga Universiteti i Indianapolis, i quajtur “Studimi i Filantropisë me Vlero Neto të Lartë në ShBA”, u kërkoi individëve që të zgjedhin çështjet më të rëndësishme për ta në lidhje me politikat publike. Dy çështjet kryesore ishin pikërisht kujdesi shëndetësor (29 %) dhe arsimimi (28 %).

Megjithatë, a është shtetëzimi i atyre shërbimeve mënyra e vetme apo mënyra më e mirë për t’ua siguruar këto shërbime të varfërve? A kemi alternativa? Po bamirësia? A nuk mundet që bamirësia të zëvendësojë taksat? Mundet, madje me avantazhe të qëndrueshme. Ka katër arsye pse bamirësia mund të zëvendësojë taksat: morale, politike, financiare dhe psikologjike.

Fillojmë me aspektin moral.

A janë taksat të ndryshme nga bamirësia? Epo, të nxjerrim kuletën për të dhuruar para për një organizatë joqeveritare (përgjegjëse për të ofruar kujdes shëndetësor apo arsimim) është ndryshe në krahasim me nxjerren e kuletës për hetuesin e të ardhurave, që na kërcënon: “Nëse nuk paguan taksat, do të përfundosh në burg!” Këtu kemi një dallim të fortë moral mes një veprimi të detyruar dhe një gjesti vullnetar: taksimi është detyrim, ndërsa bamirësia është dashamirësi.

Në fakt, vendet e pasura që i përmbahen modelit të shtetit të mirëqënies dhe taksimit të lartë sigurisht, nuk janë më bujarët. Sipas vlerësimeve nga Organizata për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (OECD), Franca ka taksimin më të lartë në botë në raport me GDP-në (46.2 %), pasuar nga Danimarka (46 %) dhe Belgjika (44.6 %).

Kur i hedhim një sy Indeksit Botëror të Fondacionit të Ndihmës për Bamirësi (CAF), Franca renditet e 72-ta në listën e bamirësisë, Danimarka është e 24-ta dhe Belgjika e 39-ta. Nga ana tjetër raporti i taksimit ndaj GDP-së në Irlandë është 22.8 % dhe në ShBA është 27.1 %. Irlanda është e pesta në Indeksin për Bamirësinë në Botë dhe ShBA është e katërta. Interesante apo jo?

Më pas, mund të shfrytëzojmë aspektin politik.

Lejimi i zgjerimit të fuqisë së shtetit paraqet rrezikshmëri të madhe, edhe kur bëhet fjalë për fusha aq të rëndësishme sa kujdesi shëndetësor dhe arsimimi. Arsimimi publik hap një autostradë për imponimin e hegjemonisë kulturore përmes indoktrinimit. Nëse arsimimi sigurohet nga disa subjekte të pavarura (të sponsorizuara me donacione), është më e vështirë për ta kontrolluar.

Por kur arsimimi është i përqendruar në duart e shtetit (i financuar nga taksat), bëhet shumë kollaj një aparaturë ideologjike, duke realizuar ëndrrat e Antonio Gramsci dhe Louis Althusser.

Sapo forcat publike marrin përgjegjësinë për të siguruar kujdesin shëndetësor, jeta bëhet subjekt i llogaritjeve të qarta të fuqisë së shtetit, duke marrë tiparet e asaj që Michel Foucault dhe Giorgio Agamben e quajtën biopushteti apo biopolitika. Vetë jeta bëhet objekt i shqetësimit për pushtet. Si rezultat, shohin rrënimin e çdo kufiri kundër ndërhyrjes publike në jetët e tyre. Qeveria fiton pushtetin që të na thotë se çfarë të hamë dhe të pimë, si të ngasim makinën, çfarë mund të bëjmë dhe çfarë nuk mundemi, madje dhe më shumë.

Së treti, kemi aspektin financiar.

Do të paraqesim një premisë të guximshme. Subjektet private që sponsorizohen nga bamirësia janë normalisht më efektive (janë më të lira ose kanë një raport më të mirë kosto-përfitim) se sa subjektet publike. Ato mund të bëjnë të njëjtën gjë me më pak burime.

Përshembull në Brazil kemi universitete publike dhe private. Studimet tregojnë se një student në një universitet privat në Brazil ka 60 % më pak kosto se sa në një universitet publik. Mbase vendet e varfëra mund të bëjnë më shumë me më pak para, nëse ata investojnë në sektorin privat dhe mendojnë se si të promovojnë bamirësinë në vend që të mbështeten vetëm në sektorin publik dhe në taksa. Mbase, nëse qeveritë kërkojnë më pak detyrimisht, njerëzit do të japin më shumë vullnetarisht.

Sondazhi i Universitetit të Indianapolisit, pyeti njerëzit e pasur se çfarë do të bënin nëse taksat do të eleminoheshin. Cila mendoni se ishte përgjigjia? Rreth 17 % e tyre thanë se do të rrisnin sasisë e parave që japin për bamirësi dhe 6 % thanë se do ta rrisnin shumën që japin për bamirësi në mënyrë drastike (72 % thanë se do mbeteshin njësoj dhe vetëm 5 % thanë se do ta reduktonin kontributin). Në vitin 2013, shifrat ishin edhe më shumë në favor të bamirësisë: 47 % do të mbeteshin njësoj, 31 % do të rrisnin sasinë që japin për bamirësi dhe 18 % do e rrisnin shumën në mënyrë drastike.

Duke marrë në konsideratë këto fakte, njerëzit e pasur do të jepnin më shumë para dhe ne do të mund të bënim më shumë me më pak burime (duke investuar paratë e dhuruara në sektorin privat), pse nuk mundemi që të besojmë se bamirësia është një alternativë e mundshme financiare?

I fundit, por jo më pak i rëndësishëm, aspekti psikologjik.

Një sërë psikologësh socialë, mes tyre edhe Elizabeth Dunn, argumentojnë se njerëzit të cilët japin para për bamirësi janë më të lumtur se ata që nuk japin. Dhe ne mund të shohim përfitimet e të dhënurit që të rriten kur njerëzit kanë një ndjesi lidhjeje me ata që po ndihmojnë dhe mund të vërejnë më lehtësi diferencën që po bëjnë në jetën e atyre individëve.

Përshembull, UNICEF është një organizatë e madhe bamirësie (e cila i përngjan shtetit), saqë mund të jetë e vështirë të kuptohet se si dhurimi ynë i vogël mund të bëjë diferencën. Si shpjegohet kjo? Kompensimi emocional në investim eleminohet kur njerëzit japin para për UNICEF (imagjinoni çfarë ndodh kur ne i “japim” para shtetit). Kjo sugjeron se thjesht të dhurosh para për një organizatë bamirëse nuk mjafton. Ne duhet të jemi në gjendje të dallojmë se si paratë tona po bëjnë diferencën.

Sondazhi i Universitetit të Indianapolisit e konfirmon këtë deklaratë. Duke diskutuar mbi motivet e bamirësisë, dhuruesit jepnin tre arsye kryesore: Së pari ata besonin në misionin e organizatës (54 %), së dyti ata besonin se dhurimi i tyre mund të bënte diferencën (44 %), së treti për kënaqësi personale apo në ndjesi plotësimi (38 %).

Dikush mund të thotë se ne kemi nevojë të gjejmë një mënyrë për të treguar rezultatin e mbledhjes së taksave dhe ta përmirësojmë shtetin në sigurimin e shërbimeve publike (përmes një analize kosto-përfitim). Epo, edhe me këto përmirësime, po për aspektin moral? Do të vazhdojmë të veprojmë me detyrim? Dhe nëse dikush mendon se njerëzit i paguajnë taksat vullnetarisht, po për aspektin politik? Do të vazhdojmë të lëmë hapësira për ndërhyrjen e shtetit? Megjithëse mbrojtësit e taksimit refuzojnë që ta pranojnë, këto pyetje mbeten pa përgjigjie të kënaqshme.

Në fund të ditës…

Ne mendonim se të ndihmosh të tjerët është diçka që të gjithë duhet ta bëjnë. Dhe në të vërtetë ashtu është. Por teksa ne e mendojmë këtë gjë si një detyrim ligjor (i mishëruar në taksa), në do të mbetemi të paaftë për të përballuar sfidat që sot duken të jenë mbizotëruese, siç është si të sigurojmë kujdes shëndetësor dhe arsimim në vendet e varfëra.

Nëse duam që të bëjmë më shumë dhe më mirë, ne duhet të ndalojmë së shikuari shtetin (dhe taksimin) si mjetet e vetme me të cilat mund të bëhet diçka për shoqërinë.

/ Burimi: Foundation for Economic Education

Shaqir Sulaj

Leave A Reply

Your email address will not be published.