The news is by your side.

Arsimi, shëndetësia dhe bujqësia prioritet në 2020-ën, por sa do investohet tek secila?

Projektbuxheti i vitit të ardhshëm ka shkaktuar së fundi jo pak diskutime. Të ardhurat me humbje dhe mosrealizim plani, si dhe shpenzimet e shtuara bënë që qeveria të rishikojë shpërndarjen e fondeve në zërat e ndryshëm të buxhetit të vitit aktual dhe madje edhe rritjen ekonomike. Ama sipas ekspertëve situata pritet të vazhdojë e vështirë edhe vitin e ardhshëm, në një kohë kur detyrimet e prapambetura dhe borxhi publik kanë arritur nivele shumë të larta.

Për pasojë, në buxhetin e 2020-tës nuk kishte një shumë dedikuar rritjes së pagave dhe në shumë prej zërave të tjerë fondet në dispozicion ishin ulur. Nga të gjitha kategoritë, arsimi, shëndetësia dhe bujqësia janë tre sektorët në të cilët pritet që qeveria të investojë më shumë gjatë vitit të ardhshëm, duke i konsideruar si prioritarë.

Sipas buxhetit theksohet se për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka planifiukuar  rreth 4.1 miliardë lekë. Kjo shumë është rreth 300 milionë lekë më e lartë se sa akti normativ i vitit aktual, në të cilin theksohet se deri në përfundim të 2019-ës, shuma e investuar për arsimin do të arrijë në 3.8 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, për sa i takon shëndetësisë, totali i shpenzimeve kapitale të planifikuara për sektorin gjatë vitit 2020 është rreth 3.11 miliardë lekë. Madje këtu qëndron edhe ironia, pasi pavarësisht se i cilësuar si sektor prioritar, financimet e vitit të ardhshëm janë me rënie krahësuar me ato të vitit aktual, kur përllogariten rreth 3.13 miliardë.

Lidhur me sektorin e tretë prioritar, bujqësinë, sipas qeverisë janë dedikuar në buxhetin e 2020-tës rreth 1.6 miliardë lekë. Kjo shumë është menduar të ndahet si investime në infrasrtukturën e ujitjes dhe kullimit, peshkimit dhe sigurisë ushqimore. Ndërkohë që tek zhvillimi rural qeveria ka shkurtuar investimet dhe fondet e planifikuara.

Leave A Reply

Your email address will not be published.