The news is by your side.

Anulohet Panairi i Librit 2020, ja si do të funksionojë

Fatkeqësisht këtë vit nuk do të ketë Panair të Librit. Panairi i përvitshëm i Librit i cili mbahet në Tiranë në ambientet e Pallatit të Kongreseve është anuluar.

Zhvillimi i eventit është cilësuar nga Ministria e Shëndetësisë si një aktivitet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e COVID-19. Lajmin e ka bërë të ditur Shoqata e Botuesve Shqiptarë, ndërsa panairi i Librit këtë vit po planifikohej të mbahej në datat 12-15 nëntor.

Në një intervistë për Euronews Albania, Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve tha se e mirëkuptonte vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ai sqaroi se kryesia e Shoqatës së Botuesve do të marrë shembull nga vendet e tjera Europiane dhe do të bëjnë një organizim online.

Një pjesë e aktiviteteve të menduara që do të zhvilloheshin në ambientet e Pallatit të Kongreseve gjatë kohës së panairit, do të zhvillohen nëpër qytete të ndryshme të vendit duke respektuar masat anti- COVID.

“Së pari Panairi i Librit si aktivitet kryesor ka shitjen. Ne shitjen e librit do ta bëjmë online. Nëpërmjet platformave të ndryshme do bëhet shitja e librit online, sigurisht duke nxitur botuesit të bëjnë uljet përkatëse”,- u shpreh Ymeri teksa sqaroi se si do të zhvillohet Panairi i Librit në mënyrë virtuale.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve tha se komunikimi me median dhe pasqyrimi i këtij panairi në çdo platformë mediatike do të jetë më i mirë se vitet e kaluara. Së fundmi ai sqaroi se kjo ngjarje e madhe nuk do të kalojë pa u vënë re, thjesht do të zhvillohet në një mënyrë ndryshe nga herët e tjera.

Leave A Reply

Your email address will not be published.