The news is by your side.

168 milion euro nga qeveria gjermane

Në kuadër të 30-vjetorit të nisjes së partneritetit mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, qeveria gjermane do të akordojë një shumë prej 168 milion eurosh.

Palët firmosën dje një protokoll bashkëpunimi sipas të cilit, Shoqëria gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ) dhe Banka gjermane për zhvillim (KFW) do të realizojnë financime në projekte zhvillimi në sektorë të caktuar.

Kryesisht këto fonde do të shkojnë për mbështetjen e sektorit të energjisë, menaxhimin e ujrave dhe mbështetjen e biznesit të vogël e të mesëm.

Këto fusha, janë konsideruar më problematiket dhe ekspertiza gjermane do të ndihmonte në përmirësimin e tyre.

Sektori energjitik është një ndër potencialet prodhuese të vendit, por varësia e tij nga sistemet hidroenergjitike kanë bërë që prodhimi të luhatet sipas kushteve të motit. Diversifikimi i burimeve të energjisë shihet si zgjidhja për këtë sektor.

Menaxhimi i ujit është një tjetër fushë problematike, ku mbizotëron informaliteti, abuzimet e larta dhe kostot operative në rritje. Me reformën e ujit të shpallur një vit më parë qeveria aspironte të formalizonte të gjithë tregun brenda 300 ditëve por deri më sot pasi ka kaluar një vit, reforma ka arritur të formalizojë vetëm 13% të tregut. Uji pa të ardhura që shpërdorohet përbën akoma më shumë se 50% të ujit ndërsa kanalizimet në zonat bregdetare janë një tjetër objektiv që do t’i shërbente përmirësimit të turizmit në këto zona.

Në lidhje me biznesin e vogël e të mesëm, fokusi i gjermanëve ka qenë kryesisht tek agrobiznesi e zhvillimi e përmirësimi i infrastrukturës bujqësore. Kështu mbështetja do të konsistojë në ndihma ndaj fermerëve, dhe sipërmarrjeve me karakter bujqësor.

Angazhimi i fondeve gjermane në favor të zhvillimit të vendit tregon vullnetin e tyre për të ndihmuar Shqipërinë që të arrijë objektivën e integrimit në familjen europiane.

Leave A Reply

Your email address will not be published.