The news is by your side.

Zgjedhjet e Qershorit- buxheti me deficit, qeveria rriti shpenzimet e koncensioneve dhe pagave

Ministria e Financave ka publikuar të dhënat zyrtare referuar gjashtëmujorit të parë të vitit për  performancën e shpenzimeve buxhetore në vend dhe sipas atyre vihen re rezultate jo të kënaqshme. Gjatë periudhës në fjalë, shpenzimet për investime publike janë ulur dhe si pasojë e zgjedhjeve vendore, qeveria rriti shpenzimet për pushtetin lokal. Gjithashtu në rritje ishin edhe shpenzimet për paga. Megjithatë në përgjithësi performanca u përkeqësua gjatë periudhës Janar-Qershor 2019 dhe rritja më e shpejtë e shpenzimeve krahësuar me ritmin e të ardhurave solli deficit në buxhetin e shtetit.

Përgjatë 6 mujorit në fjalë, buxheti i shtetit shpenzoi plot 228,7 miliardë lekë, shifër kjo me një rritje prej 6.2% në raport me vitin 2018. Ato u orientuan krysisht si shpenzime operative apo të mirëmbajtjes, një pjesë e të cilave shkojnë për pagesat e koncesioneve në shëndetësi, shërbimi i skanimit etj.  Koncesione të tilla si Check-Up, shërbimi laboratorik, shërbimi i dializës, aktualisht paguhen me fonde buxhetore por në vlera shumë më të larta se kur ata ofroheshin nga shteti, ndaj fondet shtesë për këto shërbime akomodohen nga shpenzimet kapitale.

Kështu, si rrjedhim shpenzimet operative panë në këtë periudhë një rritje jo të zakontë. Të dhënat  e Ministrisë së Finacave theksojnë se gjatë gjashtëmujorit u shpenzuan në këtë kategori plot 21,6 miliardë lekë ose 13 % mbi planin e vitit 2019. Po ashtu, shepnzimet për paga u rritën me 4.1% dhe nga arka e shtetit për mbulimin e tyre dolën 830 milionë lekë më shumë sesa plani.

Votimet për pushtetin vendor gjithashtu sollën shpenzimet të shtuara që në planin e fillimit të vitit nuk ishin përfshirë. Kështu nga 28,5 miliardë lekë të parashikuara u shpenzuan sipas shifrave zyrtare 28,6 miliardë. Ndërkohë që edhe  shpenzimeve për interesat e borxhit me rreth 6.7% në krahasim me një vit më parë, sollën gjithashtu rritje dhe tejkalim prej 2,3% më shumë se plani i periudhës.

Gjendur përballë një situate të tillë, kur shpenzimet rezultuan më të larta se të ardhurat, për Qershorin buxheti i shtetit kaloi  në deficit. Më herët, që prej fillimit të vitit, buxheti ka rezultuar me suficit, ku shpenzimet kanë qenë më të ulëta sesa të ardhurat. Kjo tendencë u thye në Qershor, kur deficit arriti 3.3 miliardë lekë.

Sipas Ministrisë së Financave, të ardhurat mbledhur nga tatimet, doganat, sigurimet shoqërore e të tjerë kontribues, për 6 muajt e parë të vitit rezultuan 225.5 miliardë lekë, sipas statistikave fiskale të publikuara nga Ministria e Financave. Nga ana tjetër, në raport me planin, të ardhurat ishin 3.6 miliardë lekë, ose 30 milionë euro më pak se sa  planifikimi fillestar i buxhetit. Duket se tek të ardhurat, ndikimin kryesor në tendencën rënëse e ka sjellë TVSh-ja si zëri me rendimentin më negativ në buxhet për gjysmën e parë të këtij viti.

/ Përshtatur nga Revista Monitor

Leave A Reply

Your email address will not be published.