The news is by your side.

Zgjedhjet e Malos

Nga Rezart Prifti

Kur Konica shkruante për Zululandin nuk besoj që të ketë patur një ndjesi Orwelliane se do të parashikonte që edhe pas 100 vjetësh në po të njënjtin Zulluland do ish ky vend. Ndërkohë që njerëzia vazhdon punët dhe hallet e veta duke u munduar që t’ja dali, çunat vijnë vërdallë se a thua bota rrotullohet rreth tyre. Një çun blu e ka humbur fare i shkreti, se që kur ky çuni tjetër që është president mori flamurin e opozitës e fiku fare. Çupa nga krahu tjeteë, po bën durim duke lënë çunin e gjatë të nxjerrë një tufë koqe kanaresh të vetë-quajtuar aleatë në mejdan për të bërë içik shamatë. Mirëpo aleatët duke qenë se janë në fazën e “kap ça të kapësh” nuk mbajnë shumë në kronika lajmesh se janë në mos karta të djegura, djegërsira fare.
çuni i gjatë i kuq e ka një huq dhe si huqxhi i madh që është i prish punë vetes rregullisht. Mirëpo, çuni me huq i ka nja dy teknika që i mbyti çunin blu dhe çunin e vogël, se çupën po e po.
Çunat dhe çupa duke qenë nën presionin e teorisë së lojës, ose më shkoqur nën hyqmetin e dilemës së të burgosurit, janë në konkurrencë të madhe se kush do hajë çfarë dhe se sa nga çfari do hajë kush. Çunat në këto dekada kanë treguar se nuk janë mirë në poker por janë shumë tranzaksionalë. Çuni blu pas 50 vjetësh komunizëm dhe 30 të tjerash demokracie hemafrodite ndalon njerëzit të votojnë. Ore zotëri, kush je ti që do të më ndalosh mua të votoj? Të parët e mi u vranë, u pushkatuan, u syrgjynosën për atë votë. Prindërit e mi u degdisën nëpër shqipëri dhe u trajtuan përherë si renegadë për atë votë. Edhe unë sot që po flas për atë votë e për atë fjalë të lirë mu pre fjala, po censurohem e po bastisem nga modeli i shtetit që ke bashkëngritur ti!
Jo or trim jo, nuk ke mundësi ti të më ndalosh të votoj! Është tjetër punë se çfarë do bëj unë me votën. Por ti duhet të prezumosh që jo si në partitë tuaja njerëzit kanë një mendje dhe një proces mendimi që herë pas here e venë në punë. Në partitë e çunave dhe çupës thuhet mos mendo se e bën partia për ty. Por njerëzit si kundër mendoni ju, e dinë se ai votim është farsë. Farsë jo për faj të Malos që i fton në dasëm në datën 30 Qershor, por farsë se nuk ka alternativë. Ky është dhe huqi i çunit të kuq, që u tregua aq gryks sa paraardhësi i tij dhe i donte të gjitha. Duke i marrë të gjitha ktheu dhe veten në qesharak, sepse tashmë gjeneralit nuk ka më kush ti shkruaj. Çuni huqxhi e beri qesharak çunin blu, qesharake çupkën e vogël dhe qesharak çunin e vogël. Çuni huqxhi e ka gjithë median dhe nuk lë gjë pa censuruar, aq rëndë sa çuni blu duket si adoleshent kur çirret në studio duke kërkuar të mos mbyllin gojën opozitës. Çuni huqxhi duke i marrë të gjitha vetë ka mundësi të dërgojë selam me tatimorë, dërgojë taboret e lloje e soje inspektoriati edhe llagapet e bashkiakëve që nuk kanë fund. është koha e tyre dhe nuk dinë formë tjetër qeverisje…
Çuni blu e humbi busullën brenda partisë sepse ngeli vetëm me kamikazë dhe operativ misionesh, kështu që filloje dhe vendimmarrja të merrte tatëpjetën. Çuni blu nuk e parashikonte motra e rrugës së elbasanit të mos hante lojën e viktimës dhe pas rrugës së elbasanit filluan të gjithë çupat dhe çunat e huaj ta bënin rezil.
Aty hyri me nuhatje dhe me ndihmë nga çupa, çuni i vogël. Kish gati një vit e gjysëm që po i plaste shpirti tek institucioni i shpërndarjes së tapave për topat e vendit tonë. Me shumë respekt për nuhatjen e tij politike dhe me shumë admirim për vlerësimin e situatës që i bëri çuni i vogël ndodhi e papritura. U faktorizua, mori flamurin e opozitës, flamurin e paqëdashësit, flamurin atdhetarit, madje mori dhe flamurtarin dhe pishën flamur dhe si përfundim hyri në lojë si kurrë më parë.
Këtu fillon parodia! Në një muaj e ca media por shplan trurin e njerëzisë se kur do bëjë Malua dasmën. Cilin nga çunat do ftojë Malua në dasëm? Në Zulluland ka rënë çdo lloj standardi. Gjuzi nuk prodhon më lajm se u defaktorizua, opozita parlamentare është bërë si historia e “Pordhi kali, pordhi keci, portokalle Poradeci”, ambasadat na pyesin ne se si do i vejë halli ndërkohë që ne presim nga ata.
Vetëm se një botë paralele është në media. Ohhh sa bukur duket! Nga paneli i qoftes ku tirret leshi tridhjetë vjeçar që nuk u bë kurrë për tehzgja, paneli ekonomistit aktor dhe analistit emigrant, paneli i shoqes Lenka, apo paneli burrave gra dhe grave burra. Në Zulluland edhe Malo ka ikur nga mendja se jo vetëm dasmë që nuk bën dot por nuk përcakton se cili nga çunat do mbetet në këmbë për ta ftuar në dasëm.
Debati publik është orientuar drejt një nonsensi i cili e ka tulatur shoqërinë, por më keq akoma ka degjeneruar ekonominë. Çuni blu thotë kam të drejtë unë, çuni huqxhi thotë që ka ai të drejtë, çuni i vogël ka vetë të drejtë dhe së fundi edhe çupa ka të drejtë. Vetëm në një vend kanë të gjithë të drejtë… në çmendinë!

Leave A Reply

Your email address will not be published.