The news is by your side.

Xhepa: Nëse situata vazhdon gjatë, ekonomia shqiptare futet në recesion. Ndikimi në turizëm, i pakthyeshëm!

Nga cikli: “Ekspertët thonë:”

Nga një lidhje direkte për studion e emisionit “Ekopolitikë” në Ora News, me ekspertin e ekonomisë Besart Kadia, ka folur lidhur me situatën aktuale si pasojë e Coronavirusit dhe ndikimin e saj tek ekonomia e vendit edhe eksperti e profesori i Ekonomisë Selami Xhepa. Sipas tij, mbyllje e deritanishme qoftë për shkak të izolimit, ashtu edhe pezullimi i aktivitetit ekonomik në sektorë të ndryshëm do ketë pasoja shumë të ndjeshme në ekonomi dhe nëse shkohet drejt skenarit që të ndalohet gjithë jeta ekonomike e vendit, Xhepa thekson se do të ndodhemi në një lloj kolapsi ekonomik, që do të ketë pasoja të padiskutueshme. Ndaj si shprehet se nuk duhet lejuar që ekonomia të shkojë në recesion.

Profesor Xhepa ka theksuar:
“Nuk ka asnjë dyshim, që kjo që po ndodh përbën një ngjarje të paprecedentë, të pandeshur më përpara në histori. Shqipëria vazhdon fatkeqësisht, që nga muaji nëntor i viti të kaluar të përballet me sfida serioze dhe në veçanti sektori i turizmit është ndoshta sektori më i cënuar, spse duke menduar që ekonomia do të vazhdojë të futet në trajektoren e vet normale, mund të jenë kryer investime të rëndësishme, pra efektivisht duke gërryer edhe “dhjamin” e tyre. Në këtë mënyrë, të ndodhur sot përpara një situate , ku kjo industri në nivel global është padyshim industria më e prekur, që përfshin linjat ajrore, udhëtimin dhe transportin e kështu me rradhë është absolutisht ndër më të goditurat. Kjo është ndoshta vështirësia më serioze.


Mos harrojmë se në Shqipëri, turizmi siguron të ardhura që janë pothuajse të barabarta me eksportet totale të mallrave, kështu që nga kjo pikëpamje efekti i saj në ekonomi, do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm. Por nga ana tjetër, ky është një sektor me të cilin lidhet një pjesë e rëndësishme e punësimit dhe duke pasur parasysh që turizmi zhvillohet në zona disi të largëta nga metropoli, ose zona bregdetare ku edhe apsekti social i kontributit të këtij sektori është shumë i qënësishëm, efektet e tij në tërësinë e vet kanë për të qënë shumë serioze.”

Nga ana tjetër , pyetur nëse qeveria ka mjaftueshëm para për të përballuar këtë situatë, zoti Xhepa thekson:

“Sigurisht qeveritë nuk kanë para, por ato marrin nga paratë tona dhe i rishpërndajnë nëpërmjet politikave të financave publike dhe në kontekstin ku ndodhemi ne sot, duhet dhe është e nevojshme që qeveritë të veprojnë me një agresivitet shumë të fortë. Unë mendoj se, në qoftë se ekonomia, shoqëria në përgjithësi, do të vazhdojë të mbetet e paralizuar, jeta publike, sociale dhe ekonomike e vendit deri në muajin qershor, siç ka shumë gjasa të vazhdojë të jetë e tillë, atëherë jo vetëm që nuk mund të shpresojmë për të patur një rritje normale të ekonomisë, por ndoshta, gjasat që ekonomia mund të hyj në recesion janë shumë të larta.

Për një periudhë të shkurtër kohe ja vlen një sakrificë në emër të jetës. Por nëse mbetet një zhvillim afatgjatë do të jetë me pasoja serioze. Bizneset që kanë mundësi të ndërtojnë kushte komode pune të mbështetura dhe nga qeveria nuk kanë arsye pse njerëzit ti mbajnë në shtëpi me asistencë.”

Leave A Reply

Your email address will not be published.