The news is by your side.

Trump: Europa nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të arrijë me ne një marrëveshje tregtare

“Bashkimi Evropian nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të negociojë një marrëveshje të re tregtare me SHBA-të.” ka thënë ditën e sotme nga Davos Presidenti Donald Trump. Ai gjithashtu ka takuar Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Forumin Ekonomik Botëror, me të cilën kanë biseduar rreth një marrëveshjeje tregtare me vendet e Bashkimit Europian.

Mes diskutimeve, Trump ka kërcënuar me rritjen e tarifave për makinat evropiane, si një përpjekje hakmarrëse ndaj drejtuesve të fortë të BE-së. Në takimin e djeshëm, ai pretendoi se i kishte thënë von der Leyen se në mungesë të një marrëveshjeje tregtare, ai do të duhet të “ndërmarrë veprime në formën e tarifave shumë të larta për makinat e tyre dhe të tjera produkte europiane”.

Trump tha se për të dhe administratën e tij ka qenë shumë e vështirë të merrej me Europën, pasi kjo e fundit vetëm kishte përfituar nga SHBA-ja, por sugjeroi se tashmë blloku nuk ka zgjidhje tjetër veçse të arrijë një marrëveshje.

“Kemi pasur një deficit të jashtëzakonshëm për shumë e shumë vite, mbi 150 miliardë dollarë me Evropën.” tha ai, duke shtuar se në të tilla kushte do të ishte shumë e drejtë të zbatonte pastaj tarifa dhe sanksione në kundërpërgjigje.

Më herët Trump kishte rënë dakord me paraardhësin e von der Leyen, Jean-Claude Juncker, në vitin 2018 për të filluar negociatat për një marrëveshje të re tregtare me qëllim shmangien e vendosjes së tarifave. BE-ja që atëherë ka rënë dakord për një mandat të ri negociues për bisedimet tregtare, por SHBA ende nuk ka sinjalizuar rreth gatishmërisë për të filluar ato takime.

“Doja të prisja derisa të mbaroja punë me Kinën. Nuk do të doja të merresha me Kinën dhe Evropën në të njëjtën kohë.”  tha presidenti. “ Jean-Claude ishte mik i imi, por ishte e pamundur të arrija një marrëveshje me të. Doja të bëja së pari paktet me Meksikën dhe Kanadanë. Tani që të tjerat u zgjidhën, le të negociojmë me Evropën. “ shtoi ai.

Trump konfirmoi gjithashtu se janë duke u zhvilluar negociata me kryeministrin e Britanisë, Boris Johnson lidhur me një marrëveshje të mundshme bilaterale tregtare me SHBA, pas largimit të vendit nga Bashkimi Europian në 31 janar të këtij viti. “Boris dhe unë jemi miq. Ai dëshiron të bëjë një marrëveshje me Amerikën dhe kjo është në rregull edhe për mua. Ata e dëshirojnë dhe kanë nevojë për një ujdi të tillë! ” shtoi Trump.

Leave A Reply

Your email address will not be published.