The news is by your side.

Thirrjet “çartiste” të Kryemadhit dhe ekonomia e lirë

Një thirrje a pakuptimtë e kryetarës së LSI, Monika Kryemadhi, për të bojktouar qëndrat tregtare bëri jehonë në median e vendit. Në kremtimin e 15 vjetorit të themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim kryetarja e saj vendosi të bënte një sulm të hapur ndaj sipërmarrjes në vend duke kërkuar “ që shqiptarët të mos blejnë më në qëndrat e mëdha tregtare por në dyqanet e lagjeve të tregtarëve të vegjël”.

Një parti politike ka për detyrë të bëjë politika zhvillimore dhe jo të orientojë blerësit në treg të lirë. Në fjalitë e mësipërme nuk ka asnjë sjellje prej politikani të përgjegjshëm. Le ta shqyrtojmë përse:

së pari konsumatori është racional. Në fund të ditës ai bën një llogari mes çmimit të mallit, shërbimit e dobisë personale (utilitetit në terma ekonomik) së të blerit të mallit. Qendra tregtare si një inovacion amerikan ka vërtetuar të jetë një qasje e mirë për të kënaqur konsumatorin në kërkesat e tij për blerje duke arrirë njëohësisht kënaqësinë, shërbimin dhe çmimin e duhur për të. Si një socialiste e vërtetë Kryemadhi kërkon që konsumatori të heq dorë nga kënaqësia e tij personale për “ideale” apo “interesa” të partisë. Pra LSI kërkon që konsumatori të vendos përfitimin e partisë mbi interesin dhe racionalitetin personal të individit duke na kujtuar kohërat e monizmit në vend. Ndërkohë që  politika duhet të jetë e kundërta.

Së dyti, Kryemadhi flet për “hallexhinjtë” e dyqaneve si një politikë kombëtare. Të ndihmojmë “hallexhinjtë” nuk është politikë zhvillimore. Krijimi i fondeve të mëdha investimi po. E para dyqanet e lagjeve shesin produkte të prodhuara nga shtete si Serbia, Italia, Greqia e Gjermania. Ata nuk jane artizanë që shesin produktet e tyre e po konkurrohen nga prodhues global. Ata janë Sipërmarrës, sikundër janë sipërmarrës dhe ata që kanë ndërtuar markete, supermarkete e qendra tregtare që kryesisht shesin produkte të huaja. Ata të gjithë janë njësoj i vetmi ndryshim që kanë është niveli i nuhatjes në biznes apo sukesesit në biznes. Janë shumë supermarkete të mëdha që janë hapur në lagje qytetesh që janë mbyllur shumë shpejt për shkak të shitjeve të ulta. Janë mbyllur e janë hapur diku tjetër. I tillë është tregu… por për ta nuk kujtohet kush për stresin që kanë patur, për kredinë që kanë marrë për kohën që kanë harxhuar. Në mendësinë socialiste po arrite të jesh  i madh je i keq. E kjo mendësi është shumë e gabuar. Po ashtu qendrat tregtare nuk janë garanci suksesi. Disa qendra tregtare në Tirane dhe jashtë Tiranës kanë dështuar dhe investimi nuk ka qënë i paktë. Ndaj suksesi në treg për qendrat tregtare ashtu si për supermarketet e lagjeve në vend e vendos konsumatori e jo LSI, PS apo PD. Ligjet e pashkruara të tregut janë sa të thjeshta aq dhe efikase.

Së treti, qendrat tregtare në vend punësojnë me mijra të rinj e të reja. Japin hapsira për shërbime të ndryshme që një dyqan lagjeje nuk i jep dot. Ofrojnë inovacion në shërbim dhe shtyn tregtarët të përmisojnë shërbimin e tyre për të qënë gjithnjë konkurrentë me kohën dhe me njëri tjetrin. Po ashtu ndërtimi i qendrave tregtare kërkon financim të madh. Në rast se ato dështojnë, siç është dhe dëshira e LSI, do të thotë që qindra milionë euro humbasin në ekonominë tonë. Kreditë e bankave nuk kthehen e për këtë arsye bankat ose nuk japin më kredi ose rrisin normën e interesit duke prekur menjëherë “hallexhinjtë” që synon të përkujdeset LSI.  Po ashtu me mijra njerëz mbeten pa punë!!! Kush fiton në këtë thirrje të Kryemadhit?

Së katërti, është regresive për një parti progresiste të merret me emra e jo me politika. Në rast se qendrat tregtare bëjnë diçka gabim duhet thënë cili është problemi i tyre. LSI ka për detyrë të merret me Autoritetin e Konokurrencës për ta fuqizuar atë për të sanksionuar cdo praktikë që prish konkurrencën në treg e po ashtu duhet të luftojë për një sistem gjyqësor që është në shërbim të sipërmarrjes e që kufizon sjelljen korruptive të shtetit e pushtetarëve. E LSI nuk mund të thuhet se ka qenë gjithnjë një forcë në krah të sipërmarrjes së lirë në këtë kuptim.

Ndaj thirrjet “çartiste” të Monika Kryemadhit për të patur përfitim politik nga varfëria e madhe që karekterizon Shqipërinë duket më tepër një dëshpërim intelektual dhe jo zgjidhje për një Shqipëri me ekonomi të lirë e për rrjedhojë qyetetarë të lirë

Leave A Reply

Your email address will not be published.