The news is by your side.

Të rinjtë shqiptarë me sytë nga emigracioni- 70% kërkojnë largimin

Studime nga organizata të huaja dhe statistika nga institucione dhe burime vendase gjithmonë e më shumë po fokusohen tek rinia shqiptare dhe gjendja e tyre aktuale. Sipas tyre, të rinjtë shqiptarë sot janë të pa-trajnuar, jo mirë të arsimuar, të papunë e madje jo gati për tregun e punës.

Vetë Organizata Ndërkombëtare e Punës ILO bën me dije se të rinjtë shqiptarë, respektivisht grupmosha që përfshin individët 15-24 vjeç, mbajnë nivelin më të lartë në Europë si më pak të arsimuarit dhe më të papunët e të patrajnuarit. Sipas të dhënave publikuar për vitin 2018, Shqipëria ka normën më të lartë të të rinjve të papunësuar, por edhe që njëkohësisht nuk janë duke ndjekur shkollën apo ndonjë trajnim tjetër. Kjo normë arrin një vlerë prej 32.8% e totalit dhe kalon madje edhe Moldavinë, që cilësohet si vendi më i varfër i kontinenetit.

Nga ana tjetër, statitikat vendase theksojnë se në mesin e të rinjve të papunë,  rezulton se 51% kanë përfunduar arsimin e detyruar, 40% atë të mesëm dhe 8.9% arsimin e lartë, pra janë diplomuar në universitet. Megjithatë, pavarësisht se mund të mendohet se me rritjen e nivelit të arsimit edhe papunësia e secilës kategori shënon rënie, përsëri ka një tjetër faktor që ha debat. Cfarë po bëhet për integrimin në tregun e punës, të kategorisë së cilës i mungojnë kualifikimet akademike, pasi nga shifrat rezulton thellësisht e lartë?

Krahësuar me individët që kanë përfunduar gjimazin e përgjithshëm, ata të diplomuar nga shkolla të mesme profesionale, kanë më pak gjasa të mbeten të papunë, pasi Shqipëria po përballet rishtazi me mungesën e forcës punëtore në punët e zanatit, që jo detyrimisht kanë nevojë për studime shumë të zgjatura. Megjithatë, pavarësisht se përbëjnë shumicën, të pakualifikuarit nga ana akademike janë qartazi të patrajnuar dhe jo të aftë të përmbushin detyrat që do të duhet të kryenin në një vend pune!

Në tilla kushte, ky fakt përveç se një tregues tepër shqetësues, bëhet pikërisht shkaku i largimit në masë të të rinjve, për të kërkuar jashtë kufijve, mundësitë që atdheu nuk iua siguron dot! Të dhënat më të fundit nga Eurostat tregojnë se shqiptarët vijojnë të qëndrojnë në listën e 10 vendeve me kërkesat më të mëdha për t’u larguar nga vendet e tyre. Renditja tregon se ata lenë pas vetëm Turqinë dhe vazhdojnë të mbeten në kuadrin e të larguarve më të mëdhenj në Bashkimin Europian. Kështu sipas raporteve nga organizatat ndërkombëtare, të dhënat theksojnë gjithashtu se peshën më të madhe tek ata që synojnë largimin e mbajnë të rinjtë.  Ato vendosin në dukje faktin se rreth 70% e të rinjve në Shqipëri kërkojnë të emigrojnë në një vend të BE.

Leave A Reply

Your email address will not be published.