The news is by your side.

Të ardhurat e buxhetit të shtetit, 30 mln euro më pak se plani fillestar

Ministria e Financave ka bërë publike statistikat fiskale të gjashtëmujorit të parë të vitit 2019 dhe sipas tyre rezulton se të ardhurat mbledhur nga tatimet, doganat, sigurimet shoqërore dhe kontribues të tjerë në arkën e shtetit kanë rezultuar 225.5 miliardë lekë për periudhën në fjalë. Krahësuar me me të njëtën periudhë të një viti më parë, këto të ardhura shënuan një rritje me 8.4 miliardë lekë ose 3.9% më shumë.

Duket se ndikimin kryesor në tendencën rritëse të të ardhurave e pati tatimi mbi të ardhurat personale, tatim fitimi, taksat vendore dhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Tatimit mbi të Ardhurat personale ishte kontribuesi kryesor i rritjes, pasi të ardhurat prej tij u rritën me 27% ose 2 miliardë lekë më shumë se plani. Kjo erdhi si pasojë e faktit që kompanitë e mëdha po filluan shpërndarjen e dividentëve të  prapambetur, i cili sipas ndryshimeve të fundit në legjislacion, duhet kryer deri në fund të Shtatorit, në mënyrë që të përfitohet ulja nga 15 në 8%.

Në rritje ishin dhe të ardhurat nga tatim fitimi, të cilat për periudhën në fjalë u zgjeruan me 14%, ose 2 miliardë lekë më shumë sesa plani paraprak. Nga ana tjetër, për 6 mujorin pushteti vendor mbledhi 31% më shumë të ardhura nga taksat lokale. Kryesisht kontribut pati  taksa e ndërtimit në infrastrukturë. Ndërkohë që të ardhurat nga fondet speciale si sigurimet shoqërore e shëndetësore u rritën me rreth 6% me bazë vjetore për Janar-Qershor, ndërsa ato jo tatimore ranë me 9.1%.

Nga ana tjetër TVSh është taksa që sjell më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, megjithatë për periudhën Janar-Qershor 2019, TVSh arriti të gjenerojë vetë 66 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 3% në raport me vitin e kaluar. Kështu kjo takes ishte zëri me rendimentin më negative në buxhet për gjysmën e parë të këtij viti dhe kontribuoi vetëm sa 29% e totalit të arkës të shtetit. Krahësuar me objektivat fillestare të vendosura rreth TVSh, prej të ardhurave rezulton se në raport me planin mungojnë 6.3 miliardë lekë, tregues i qartë ky për mosrealizimin e planit.

Si tregues direkt i qarkullimit në ekonomi, mosmbledhja e të ardhurave nga TVSh tregon një tkurrje të konsumit dhe Ministria e Financave ka deklaruar se arsyet e rënies së të ardhurave nga ky zë lidhen pikërisht me projektet e TAP apo Devollit që po shkojnë drejt përfundimit dhe kanë ulur aktivitetin. Gjithashtu ndikim ka pasur edhe ulja  e eksporteve të energjisë dhe ndalimi i aktiviteteve të lojërave të fatit.

Në tërësi, në raport me planin fillestar, të ardhurat e buxhetit kanë rezultuar 3.6 miliardë lekë, ose 30 milionë euro më pak për gjashtëmujorin në fjalë. Pikërisht ky mosrealizim i planit ka qërë edhe arsyeja kryesore për shkarkimin e kreut të tatimeve Enton Duro, që drejtoi këtë institucion për tre muaj dhe zëvendësimin e tij  me Delina Ibrahimin.

Leave A Reply

Your email address will not be published.