The news is by your side.

Studimi i fundit: Vendi ku ke lindur përcakton qartë mundësitë që të presin dhe suksesin e së ardhmes

Për dekada të tëra, politikat sociale dhe ekonomike janë ndërtuar mbi premtimin për t’i ndihmuar njerëzit të jetojnë sesa gjeneratat para tyre. Por ende sot, në vitin 2020, mundësitë që kemi në jetë mbeten të diktuara kryesisht nga rrethanat socio-ekonomike në të cilat kemi lindur. Kjo është gjetja e një studimi të fundit, nga Forumi Ekonomik Botëror(WEF), i cili thotë se shumica e vendeve nuk po arrijnë të vulosin pabarazitë historike që i pengojnë njerëzit të realizojnë potencialin e tyre të plotë.

Në indeksin e saj lidhur me mobilitetin social, WEF zbuloi se vetëm një pjesë e vogël e qeverive, konkretisht ato në vendet skandinave, kanë arritur të hedhin themelet për një lëvizshmëri më të madhe sociale dhe të ardhme më të prosperuara për qytetarët e tyre. Lëvizshmëria sociale i referohet aftësisë së individët dhe familjeve për të lëvizur ndërmjet shtresave të ndryshme socio-ekonomike brenda një shoqërie.

Kuadri social është përdorur prej kohësh si masë e përparimit socio-ekonomik të një shoqërie, duke krahasuar rezultatet si fitimet e një personi kundrejt prindërve të tyre, një brez më herët. Sidoqoftë, raporti i ri i WEF, përveç të dhënave merr në konsideratë edhe politikat, praktikat dhe institucionet brenda një shoqërie.

Raporti është publikuar ndërsa liderët janë mblidhur për të diskutuar çështjet kryesore globale në 50 vjetorin e WEF në Davos, Zvicër. Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Suedia dhe Islanda, disa nga vendet më të lumtura në botë, renditen si pesë vendet me mobilitetin më të lartë shoqërore, falë politikave të tyre mbështetëse ndaj arsimit dhe punësimit. Ekonomi të tjera të mëdha si SHBA, Britania, Kina dhe India, nga ana tjetër, nuk arritën ndonjë rezultat të lartë, megjithëse ecuria ekonomike vlerësohet e lartë.

Për të kryer hulumtimin, WEF krahasoi 82 vende sipas 10 komponentëve që konsiderohen të nevojshëm për kultivimin e lëvizshmërisë sociale. Ato përfshijnë kujdesin shëndetësor, arsimin, qasjen në teknologji, mundësitë e punësimit, kushtet e punës, pagat, asistencën sociale dhe institucionet gjithëpërfshirëse. Në veçanti, studimi zbuloi se shumica e vendeve mbeten prapa në katër fusha kryesore: pagat, asistenca sociale, kushtet e punës dhe arsimimi.

Lëvizshmëria sociale ose mungesa e saj  ka implikime serioze jo vetëm për individët, por edhe për shoqëritë ku ata jetojnë. Ndërsa disa kombe kanë ndërmarrë hapa për të ndërtuar sisteme më gjithëpërfshirëse, mbetet shumë për të bërë tek të tjerat që janë akoma shumë prapa.

Kreu i WEF është shprehur lidhur me studimin: “Pasojat sociale dhe ekonomike të pabarazisë janë të thella dhe të gjera: një ndjenjë në rritje e padrejtësisë, humbjes së perceptuar të identitetit dhe dinjitetit, dobësimi i strukturës sociale, ulja e besimit ndaj institucioneve, zhgënjimi me proceset politike dhe një erozion i shoqërisë në tërësi. Ndaj përgjigja nga biznesi dhe qeveria duhet të përfshijë një përpjekje të bashkërenduar për të krijuar shtigje të reja drejt mobilitetit socio-ekonomik, duke siguruar që të gjithë kanë mundësi të njëjta për sukses.”

Leave A Reply

Your email address will not be published.