The news is by your side.

Sporti shqiptar vuan nga buxheti i ulët dhe mungesa e investimeve

Sporti në Shqipëri po njeh një periudhë krize, që lidhet me pakësimin e numrit të sportistëve dhe rezultatet e munguara në shumë disiplina. Natyrisht, janë disa komponentë që ndikojnë në këtë situatë të vështirë të sportit dhe pavarësisht investimeve, mbetet shumë e shumë për t’u bërë në lidhje me hartimin e rregulloreve të duhura për mirëfunksionimin e sportit, rritjen e domosdoshme të financimit të sporteve individuale dhe përgatitjen e kuadrove të afta për të udhëhequr disiplinat e ndryshme sportive drejt një progresi të qëndrueshëm.

Por ka mjaft mangësi që burojnë qoftë nga përplasja e vetë institucioneve, si dhe abuzimet e ndryshme të fondit që jepet për federatat tona sportive, fonde që janë shumë larg nevojave dhe pritshmërive. Ka mjaft specialistë që kanë lëshuar alarmin për atë që po ndodh në sport, sepse të rinjtë gjithnjë e më shumë po largohen nga sporti, duke e braktisur atë në mënyrë fatale. Fondet vidhen ose investohen në rrugë pa krye, ndërsa rezultatet maten me një kohë tjetër, siç është ajo e monizmit, që për hir të së vërtetës kishte sport masiv dhe të privilegjuar.

Sipas specialistëve të sportit, kjo veprimtari sot në Shqipëri rrezikon të zhduket. Faktorët janë shumë, por kryesorët lidhen me mungesën e vëmendjes nga instancat shtetërore, mungesë e patolerueshme investimi financiar, infrastrukturë e degraduar, drejtimi nga njerëz të gabuar dhe mungesë totale vëmendje ndaj brezit të ri.

Po ashtu, sipas specialistëve, në radhë të parë duhen plotësuar nevojat e sportistit, i cili ka nevojë për një grumbullim të paktën tremujor stërvitor, ku sportistit t’i sigurohet fjetja, ushqimi, baza materiale, kushtet stërvitore etj. Unë ju siguroj se shteti shqiptar sot nuk financon asgjë nga këto. Nuk jep as ndihmë ekonomike për sportistin. Shqipëria është vendi i fundit në botë për investime në sport.

Ndërkohë, për vitin 2019 buxheti i sportit është i njëjti me atë të vitit 2018 në vlerën e 500 milionë lekë, duke pësuar rritje në lidhje me vitin 2017. Ndërkohë që të 25 federatat sportive por edhe individët do të përfitojnë më pak fonde edhe me mbylljen e lojërave të fatit.

Buxheti i sportit për vitin 2017 ishte në vlerën e 18 milion lekë ose rreth 1.5 mln euro. Një shumë tejet e ulët po të konsiderohet numri i federatave të regjistruara në Ministrinë e arsimit dhe sporteve. Në vitin 2017, për sportin u caktua në buxhet shuma 186 milionë lekë në total, rreth 3,5 herë më pak se ai i vitit 2016, ku ky buxhet ishte mbi 650 mln lekë.

Këto shifra nëse i krahasojmë me Kosovën diferenca është e pallogaritshme duke qenë se qeveria e këtij vendi ofron rreth 17 mln euro në vit për sportin. Ndërsa për përkrahjen e sportit në Republikën e Maqedonisë qeveria ofron një buxhet prej 6 milionë euro.

Ligji për Sponsorizimet

Aktualisht, ligji parashikon se sponsorizuesve të veprimtarive kulturore, artistike e sportive u njihen si shpenzime të zbritshme deri në masën 5% të fitimit para tatimit. Dukshëm kjo, një “lehtësim” fiskal që nuk nxit sponsorizimet dhe nuk afron investitorë në sport.

Përqindja e njohur nga ligji si shpenzim i zbritshëm propozohet që të rritet në një masë më të madhe, në mënyrë që tregu i sponsorizimeve të pasurohet me subjekte, që përveçse kanë dëshirë të reklamojnë bizneset e tyre në aktivitete sportive, kanë edhe stimulime fiskale. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, që asnjë nga subjektet që sponsorizojnë sot, sportistë apo sporte të caktuara, nuk e bëjnë për qëllime fiskale, por thjesht me dëshirën e mirë për të ndihmuar sportin. Prandaj, le t’u japim atyre një lehtësi, e cila është me interes të përbashkët.

Nëse do t’u referohemi eksperiencave të vendeve e të tjera, duke filluar nga fqinjët e më larg, nuk gjen një shtet që të mos zbatojë ligjin për sponsorizimin e sportit. Kosova e ka të përcaktuar me ligj që çdo korporatë, individ apo grup individësh, të cilët sponsorizojnë aktivitete sportive, këto para që ata investojnë për sportin, iu njihen në masën 30% nga tatimi mbi fitimin.

Nga ana tjetër, shpenzimet për reklama sportive janë tërësisht të zbritshme për qëllime tatimore, në përputhje me ligjin për tatimin e të ardhurave. Fqinji tjetër, Maqedonia, e ka në nivelin 40% njohjen e tatimit mbi fitimin për paratë e shpenzuara për aktivitete sportive, për klubet sportive, për sportistë të veçantë etj.

Po të hedhim sytë pak më tutje, në Kroaci, ligji e parashikon që njohja e parave të shpenzuara për sportet nga bizneset t’u njihet në masën 50% për t’u zbritur nga tatimi mbi fitimin, Greqia e ka në masën 90%, Hungaria në masën 100% e kështu me radhë.

Kjo është dhe arsyeja se pse vendet e tjera kanë sport të zhvilluar, kanë talente dhe sport elitar sepse kanë ndërtuar incentivat e duhura ligjore që sporti të zhvillohet, biznesi të mos dëmtohet, por nga ana tjetër edhe shteti të përfitojë nga çdo kontribut që jepet në mënyrë të ligjshme dhe të legalizuar për sportin.

Leave A Reply

Your email address will not be published.