The news is by your side.

Sipas ekspertëve, ngadalësimi ekonomik vetëm po përkeqësohet me kohën

Ekonomia e SHBA pati një ecuri negative këtë muaj, me të dhënat që tregonin se ngadalësimi kishte filluar. Por tani ekonomistët thonë se pritshmëritë do të përkeqësohen edhe më tej. Shoqata Kombëtare e Ekonomisë së Biznesit, në një studim publikuar të hënën ka theksuar se rritja e GDP-së së SHBA-së vitin e ardhshëm do të bjerë nën 2% për herë të parë që nga viti 2016. Në anketën e mëparshme, pritshmëria për vitin e ardhshëm ishte 2.1% – ndërsa tani ajo ka rënë në 1.8%.

Edhe pse 54 ekonomistë të anketuar nuk presin akoma një recesion të afërt, parashikimi rreth  ngadalësimit nuk është më thjesht pritshmëri. Tani ai është realitet dhe ka të ngjarë të zgjasë gjatë.

Javën e kaluar, një raport i Institutit për Menaxhimin e Furnizimit theksoi se sektori i prodhimit u kontraktua për muajin e dytë rradhazi në shtator. Madje indeksi që mat rritjen mujore të industrisë  regjistroi nivelin më të ulët që prej qershorit 2009. Edhe sektori i shërbimeve u ngadalësua. Për pasojë, të dhënat e raportit, me ecuri kaq negative bënë investitorët të pyesin nëse Rezerva Federale do të rritë përsëri stimulin monetar me uljen e mëtejshme të normave të interesit.

Megjithatë, kur vihet në perspektivë, ekonomia nuk është në gjendje të keqe. Për shembull, vërtet në shtator u hapën më pak punë sesa pritej, ama Amerika është afër punësimit të plotë. Madje ka kuptim pse rritja e vendeve të punës po ngadalësohet: Me shkallën e papunësisë në 3.5%, më e ulta që nga dhjetori 1969, nuk ka mjaft njerëz në dispozicion për të mbushur pozicionet e hapura.

Edhe sipas kreut të Rezervës Federale Amerikane, Jerome Powell, ekonomia është ende relativisht mirë. Ky është zgjerimi më i gjatë i ekonomisë amerikane dhe po vazhdon ende – thjesht me një ritëm më të ngadaltë.

Rezerva Federale ka rritur normat e interesit dy herë deri tani, me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike. Por në vend ka ende shumë pritshmëri për politika monetare edhe më lehtësuese në pjesën e mbetur të vitit 2019. E gjitha kjo ka ndarë edhe ekonomistët në vend. 40% e tyre parashikojnë një ulje tjetër të normës këtë vit, ndërsa ¾ e tyre presin një ulje të normës deri në fund të vitit 2020. Nga ana tjetër, sipas pritshmërive të tregut, ka një shans prej 78% për një ulje tjetër me 25%  këtë muaj, dhe një mundësi gati 90% për në dhjetor. Këto të dhëna janë bërë publike nga CME FedWatch Tool.

Por ulet ose jo norma, lufta tregtare mbetet një rrezik real për ekonominë. “Rritja e proteksionizmit, pasiguria e politikave tregtare dhe rritja e ngadaltë globale konsiderohen rreziqe kryesore.” tha Gregory Daco, krye ekonomisti i Oxford Economyics.

Pasiguria që lufta tregtare SHBA-Kinë paraqet për rritjen e përgjithshme dhe sektorët individualë si prodhimi, i cili mbështetet në kërkesën globale dhe materialet nga jashtë, është e jashtëzakonshme. Tregjet financiare janë zvogëluar gjatë gjithë vitit, me aksione që rriten edhe nga shenja më të vogla të shpresës për një marrëveshje tregtare dhe më pas bien me përshkallëzimin e radhës. Nëse lufta tregtare do merrte fund, perspektiva për ekonominë do të dukej shumë më ndryshe.

/ Burimi: CNN Business

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.