The news is by your side.

Sindikatat si shembull i korrupsionit masiv në Shqipëri

Nga Rezart Prifti

Në një raport të fundit të Bankës Botërore përsa i përket vendeve të Ballkanit ndër raportimet e zakonshme të indikatorëve kryesorë, ecurisë së deritanishme dhe së ardhmes probabilitare ishte vetëm një rresht që bënte përshtypje për një njohës të ekonomisë. Një fjali që shprehte një shqetësim se përpos zhvillimeve në këtë rajon, diskutimet, trendet dhe politikat zhvillimore janë në kah të kundërt me ato të vendeve të zhvilluara ose janë jashtë kontekstit global zhvillimor. Kjo mjafton për të ilustruar tollovitjen zhvillimore që fatkeqësisht ky vend dhe kjo ekonomi ka marrë.

Po si fillim sepse nuk ka politika zhvillimore të qënësishme, por jemi pre e disa konstrukteve të vjetëruara që kanë ngelur në koka që qarkullojnë bosh prej dekadash. Edhe kur ka politika zhvillimore ato vendosen dhe përcaktohen në forma të centralizuara në qarqe të shkurtra mes individeve që nuk janë njohës së fushës. E njëjta gjë ndodh dhe me idetë që hidhen në treg ose iniciativat që prekin sektorë të ndryshme të ekonomise qoftë kjo iniciativa e ligjit të mediave online, fiskalizimi, ligji i arsimit, ose dhe iniciativa sindikaliste që të ngjallin mallin e Antonio Gramshit.

Sindikata si koncept është një organizim që përfaqëson në formë kolektive interesat e punonjësve të një organizate dhe ndonjëherë edhe të një industrie. Zakonisht të tilla organizime ose unione sindikaliste ndihmonin punonjësit të negocionin kushtet e punes, oraret, benefitet dhe më së shumti pagën minimale.

Në akademi ka studime të cilat mbështesin eficencen ekonomike të këtyre organizimeve të cilat thonë se në shkallë makro ulin diferencën mes më të pasurve dhe më të varfërve, përmirësojnë kushtet e punës, etj. Në krahun tjetër ka po studime akademike të cilat thonë se ulin efiçencën, rrisin pagat në mënyrë fiktive, pengojnë zhvillimin organizativ dhe të biznesit, etj.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe për arsye se ekonomia është e tillë dhe në varësi të industrisë që analizon edhe efektet e faktorëve dalin të ndryshëm, mbi të gjitha në varësi të kontekstit ekonomik. Pikerisht tek konteksti mbetemi, duke i mëshuar se kjo është detyra e një ekonomisti profesionist. Pra jo të funksionojë si makinë shkrimi dhe të zgjedhë në varësi të interesit cilin studim të proklamojë, por të interpretojë sipas kontekstit.

Historikisht në botë sindikatat kanë qënë më shumë problem se sa zgjidhje e këtij të fundit, edhe pse nuk duhen mohuar iniciativa të sukseshme të grupimeve sindikale në momente të ndryshme historike. Në vitet e herëshme 1930 e më tej, sindikatat ishin kryesisht grupime që kontrolloheshin nga mafia simpatike italiane dhe kryesisht rezultatet njihen botërisht se sa efiçiente ishin. Në botën më moderne organizimi sindikal italian njihet në shumë studime si më problematiku për sa i përket zhvillimit të tregut të punës dhe atij ekonomik. Ai grek gjithashtu dhe në mos për habi të shumëve, edhe organizimi sindikal amerikan.

Në krizën e 2008-ës, që nisi në amerike dhe më pas pllakosi botën, një detaj që shumëkujt i ka shpëtuar është falimentimi i kompanisë legjendë amerikane “Chrysler”. Kjo kompani u ble më pas nga Fiat-i italian, që edhe pse e pabesueshme për shumëkë, u krye falë një skeme brilante të gjeniut të menaxhimit Sergio Marchione. Megjithatë, arsyeja që kjo kompani legjendare falimentoi, në rradhë të parë ishte pikërisht sindikata e punonjësve që nuk pranoi një ulje të përkohëshme rroge dhe aksionesh për fazën tranzitore të krizës dhe përfundoi ndërkohë duke pushuar nga puna mijëra punonjës.

Në historinë e Shqipërisë sindikata ka qënë shembulli i turpit, korrupsionit masiv, vjedhjes së paskrupullt dhe pandërshkueshmërisë. Nuk ka sens ekonomik dhe logjik të nisësh analizën me periudhën e komunizmit sepse do ishte profesionalisht e turpshme, por të paktën mund të flitet përsa iu përket tri dekadave në demokraci tranzicionale.

Historia e sindikatave shqiptare ka qënë një histori abuzivizmi masiv që, për të mos e treguar me shembuj dhe fakte gjithë këtë skemë mjafton të përmendësh vjedhjen e pronave dhe privatizimin e tyre në mënyrë korruptive; ish kampet e punëtorëve; paratë dhe fondet e tyre që avulluan dhe një shembull të fresket, atë që quhet Santa Quaranta (ose 40 shenjtorët) që dihet publikisht si përfundoi.

Sot falë prapambetjes ideologjike, defiçencës profesionale dhe mungesës së humilitetit të njeriut të përgjegjshëm riciklojmë po të njëjtat mekanizma për të adresuar të njëjtat probleme, që kanë një shekull që gëlojnë. Ka ndryshuar dinamika e tregut, ka ndryshuar konceptimi i marrëdhënies së punës dhe gjithashtu ka evoluar marrëdhënia e punëdhënësit me punëmarrësin. Ama si politikëbërje vendi ynë ka ngelur mbrapa dhe pre e atyre me një sy mes qorrave.

Sidoqoftë në një ekonomi si kjo e jona dhe në një treg si ky, mbrojtja e punonjësit është një element që sado paradoksal mund të duket forcon atë që i mungon ekonomisë sonë, qëndrueshmërinë. Trajtimi dinjitoz i punonjësve, kushtet e punës, siguria në punë dhe pagesat janë elementë që duhet të rregullohen jo nga një ligj i fortë, por nga një zbatueshmeri e fortë e ligjit. Një aspekt tjetër është dhe përgjegjësia e kompanive, e cila nuk vjen si rezultat i punës së sindikatave, por i presionit që vjen nga përgjegjësia sociale përpos asaj ligjore. Biznesi modern standardet e vendimmarrjes dhe politikës së biznesit i bazon më parë mbi parimet e politikave të pergjegjësive sociale. Në momentin që çështje të tilla arrijnë diskutimin e zbatueshmërisë së ligjit, atëherë ka arritur fundi i moralit, etikës dhe përgjegjësisë sociale.

Leave A Reply

Your email address will not be published.