The news is by your side.

Si “mbahen” familjet shqiptare?


Banka e Shqipërisë ka publikuar së fundi vrojtimin rreth të ardhurave mujore të familjeve shqiptare dhe pavarësisht se deri diku të ditura, rezultatet nuk mund të ishin më pak shqetësuese! Sipas tyre, 28% e familjeve kanë të ardhura mujore nga 50 mijë deri në 100,000 lekë, 8% e familjeve të anketuara kanë të ardhura nga 100,000-200,000 lekë në muaj dhe vetëm 1% e tyre kanë raportuar të ardhura mbi 200,000 lekë në muaj.

Por cili është burimi kryesor se si sigurohen këto të ardhura? Pensioni dhe vetëpunësimi janë dy mënyrat me më tepër peshë në financimin e familjeve, ndërkohë që emigracioni dhe paratë prej tij janë një burim i tretë me një peshë relativisht të rëndësishme. Kështu, të përkthyera në vlera konkrete, 26% e familjeve deklarojnë se të ardhurat e tyre sigurohen prej vetëpunësimit ose aktiviteteve modeste në biznese familjare. Sektori privat angazhon në punë 24% të popullsisë që gjithashtu mbahen nga pagesa që merr prej tij, ndërsa në shtet kjo vlerë arrin vetëm në 11%.

Nga ana tjetër, 30% e familjeve shqiptare mbahen me anë të kontributeve të tyre të rinisë dhe pagesave nga pensioni. Nga ana tjetër, për gjashtëmujorin e dytë të 2018, remitancat në vend shënuan një rritje deri në vlerën 6% nga 5% që rezultonin për gjashtë muajt paraardhës të po të njëjtit vit.

Eshtë pastaj vetëm ai 1 përqindëshi i popullsisë, që rezulton me të ardhura relativisht shumë herë më të larta se sa pjesa tjetër. Përfundimet e vrojtimeve thonë se të ardhurat në këto raste sigurohen nga investimet, mbledhja e interesave apo qiratë.

Por çfarë po ndodh me ekonominë shqiptare?

Kjo është shqetësuese. Nuk ka nevojë të jesh ekspert ekonomie, apo të marrësh vesh nga fusha për ta kuptuar!

Së pari, një vlerë prej 30% e familjeve që mbahen me pension duket shqetësuese, jo tek shifra më tepër se sa nga pikëpamja sociale! Të gjithë e dimë sa variojnë pensionet shqiptare. Edhe ai më i larti, i regjistruar në rastet e pensioneve shtetërore është i pamjaftueshëm për vetë pensionistin, jo të mbash me të familjen! Po ç’mund të thuhet për pensionet e fshatit? Ato kuptueshëm janë më të ulta.

Por, kjo shifër mu bë më goditëse kur mendohet nga një tjetër prizëm! Nuk mund të mos godasë një situatë e tillë ku një i ri pa perspektivë për jetën, thjesht të ulet e të presë fundin e muajit kur gëzueshëm ndahet pensioni!

Po i njëjti institucion nënvizonin se bizneset familjare punësojnë rreth 28% gra( krahësuar me 11% burra) dhe madje pa pagesë. Me sa duket, më tepër se sa nga pikëpamja e treguesve demografikë gjinorë, kjo tregon se problemi është serioz pasi bizneset nuk ka mjaftueshëm xhiro sa të mbulojë me të edhe pagesat e veta. Gjendur përballë një situate të tillë, është e vështirë të gjesh shkakun apo arsyen! Palët politike në lojërat e tyre të pushtetit, evidentojnë vetëm fajtorët, thjesht duke kthyer gishtin e akuzës ndaj kundështarit politik, që në sytë e mendësinë e tyre është armiku. Ama, asgjë nuk ndryshon! Për njerëzit që prej vitesh presin, mundësitë, puna, jetesa normale, të ardhurat gjithmonë mungojnë. E me sa duket, më tepër se sa tek politika, e gjitha fillon tek mendësia!

/Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.