The news is by your side.

Shtrenjtohen me 30% qiratë në Tiranë- shkak studentët dhe taksat e reja

Pas gushtit, me fillimin e vitit të ri akademik dhe ardhjen e më shumë të rinjve si studentë në kryeqytet, vjeshta ka sjellë edhe rritjen e çmimit të qirasë për banesat dhe apartamentet. Sipas të dhënave nga agjencitë e pasurive të paluajtshme, pyetur nga Revista Monitor, është theksuar se, për shkak të rritjes së kërkesës, tregu ka reflektuar një rritje të çmimit të qirave.

Zakonisht qendra dhe lagjet rreth saj janë një nga zonat më të preferuara, për shkak të afërsisë me disa nga facilitetet më të kërkuara nga një student që vjen rishtaz në një qytet të madh. Kështu brenda Unazës së Vogël, çmimet janë rritur nga 30.000-35.000 në 40.000 lekë, shtrenjtim ky që varion nga 14 deri në 30%. Cmime ekonomikisht më të përballueshme për studentët ose ata me më pak të ardhura ofron pastaj periferia e qytetit. Zona të tilla si Fresku, Yzberishti ose Tirana e Re janë disa alternativa në këtë këndvështrim.

Por, megjithëse me kërkesë në rritje në fillimin e vjeshtës, tregu i banesave me qira për studentët ka problematikat e veta. Siç thekson Revista Monitor, jo të gjithë pronarët janë të gatshëm të japin apartamente me qira për studentët, pasi ata nuk janë klientë afatgjatë dhe e marrin banesën vetëm për një periudhë disa mujore. Shtuar këtu edhe faktin se sipas disa pronarëve të banesave, studentët zakonisht nuk janë të kujdesshëm me shtëpitë.

Gjithashtu vlen të theksohet se ardhja e studentëve nuk është arsyeja e vetme pse tregu i banesave me qira ka sot çmime më të larta. Përveç kërkesës së shtuar, çmimi ka pasur tendencë rritëse edhe sepse së fundi pronarët janë ngarkuar me taksa, si ajo e pronës apo tatimi në burim i të ardhurave nga qiraja.  Po ashtu, autoritetet kanë rritur dokumentacionin e kërkuar në lidhje me kontratat për lëshimin e banesave me qira dhe deklarimin e të ardhurave prej tyre, me qëllim formalizimin e tregut, kështu që të gjitha këto janë reflektuar edhe në çmim.

Ndërkohë që tregu i apartamenteve me qira nuk furnizohet vetëm nga studentet. Sipas agjencive të pasurive të paluajtshme, një tjetër kategori me kërkesë në rritje janë edhe të huajt që jetojnë dhe punojnë në Shqipëri. Ndryshe nga studentët, zakonisht kjo kategori qiramarrësish ofrohet që të paguajë edhe më shumë, me kusht që shtëpia të ketë mobilim shumë të plotë dhe godina të sigurojë edhe shërbime të tjera. Për të huajt, çmimi i banesave në zonat rreth qendrës varion rreth 400-550 euro.

Nga ana tjetër, tek të huajt vihet re edhe një tjetër tendencë. Megjithëse apartamentet kanë gjithmonë kërkesë dhe probabilitet më të lartë për tu lëshuar me qira, për shkak të komoditetit që ofrojnë, shpesh të huajt zgjedhin edhe vila jashtë Tirane, me hapësirë më të gjerë dhe ambjente më të shëndetshme periferike. Për banesa të kësaj kategorie, zona e preferuar është kompleksi i vilave në afërsi të qendrës tregtare TEG.

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.