The news is by your side.

Shqiptarët dhe vjedhja

Qeni endacak, ai që endet rrugëve nga një kazan plehrash në tjetrin, nuk ka vlera morale apo bindje ideologjike. Qeni është i gatshëm të lëpijë duart e kujtdo që i hedh ushqim, pavarësisht se kush është ai. Besnikëria e tij i takon dorës që e ushqen: dorës së një dashamirësi të kafshëve, dorës së një profesori universiteti, dorës së një krimineli që sapo ka vrarë, dorës së një hajduti që sapo ka vjedhur, apo edhe dorës së nëpunësit që dje i ka vrarë vëllezërit apo po përgatitet ta tredhë.

Ekziston një paradoks i madh në marrëdhënien që shqiptarët kanë me shtetin. Nga njëra anë të gjithë bien dakord që shteti vjedh qytetarët, ndërkohë që nga ana tjetër shumica kërkojnë prej shtetit gjithmonë e më shumë ndërhyrje. Duket sikur kemi një gen të lindur marksizmi që na shtyn të kërkojmë të jetojmë në kurrizin e të tjerëve. Ka vetëm një mënyrë për ta shpjeguar këtë kundërshti në dukje dhe kjo kalon nga shpjegimi i marrëdhënies së shqiptarëve me moralin politik. Ndryshe nga sa presupozohet shqiptarët nuk e kanë problem vjedhjen, korrupsionin e as plaçkitjen e një shtrese nga shteti. Problemin e kanë kur shteti i vjedh ata vetë. Prandaj korrupsioni e vjedhja janë gjithmonë problem vetëm kur vjedh tjetri, por jo problem në parim. Kjo është arsyeja përse vazhdojmë e votojmë prej shumë vitesh të njëjtët hajdutë në cikle vjedhjeje.

Kësaj mund t’i shtojmë respektin që kemi për të fortin, përfshi edhe banditin, hajdutin dhe kriminelin e fortë. Ky përdhunim pseudoniçean i shkallës së vlerësimit të individit bën që të shajmë gjithë kohës pikërisht ata persona të cilëve më pas u puthim duart kur kalojnë në rrugë për fushata zgjedhore, ose kur postojmë fotot e bëra me ta sikur të kishim bërë foto me ndonjë hyjni Olimpi.

Shqiptarët nuk janë shkëputur ende nga mesjeta e tyre, ajo kohë e errët kur popujt e konsideronin shtetin si pronë private e më të fortit. Teksa në Perëndim shteti shihet prej shekujsh si instrument i garantimit të jetës së përbashkët, ne vazhdojmë ta shohim shtetin si garantues të plaçkitjes së shumicës nga një pakicë. Pikërisht për shkak të këtij vizioni shteti hajdut pranohet, kuptohet dhe kur është e mundur edhe përdoret. Ai nuk shihet kurrë si shteti i shqiptarëve, por si shteti i socialistëve, i demokratëve apo kujtdo tjetri që ia del të kapë parlamentin, kolltuqet apo timonin.

Një shtet i tillë mundëson në rastin më të mirë shfrytëzimin e shumicës nga një pakicë klienteliste. Në rastin më të keq, ai mundëson thjesht rrjepjen arrogante të pothuajse gjithë popullit nga një grusht njerëzish. Rrëzimi nga pushteti nuk vjen kur një qeveri vjedh, por atëherë kur vjedh vetëm për vete duke lënë jashtë vjedhjes edhe mbështetësit e saj të zhgënjyer.

Kjo është arsyeja pse në studiot televizive nuk ka debat për vjedhjet, por për strategjitë e hajdutëve. Analistët dhe opinioni rreken të kuptojnë arsyet e fitores së një hajduti mbi një tjetër, përtej gjykimit moral. Kjo politikë është sport, film aksioni me vjedhje kaubojsish fisnikë, por jo përpjekje e përbashkët për zhvillimin e vendit.

Natyrisht ka një pakicë njerëzish që revoltohen nga shteti hajdut sepse nuk pranojnë parimin e vjedhjes pavarësisht se nga vjen ai. Por është një pakicë. Shqipëria nuk do të ndryshojë ndonjëherë nga kjo pakicë, sepse pakicat mund ta imponojnë vullnetin e tyre vetëm në një diktaturë. Kjo pakicë shpesh preferon të emigrojë. Nëse duam të kërkojmë në të ardhmen ndonjë shpresë për një shtet që nuk vjedh atëherë duhet ta kërkojmë te mospranimi i konceptit të vjedhjes, jo tek ndërrimi i një partie me një tjetër. Partitë i përgjigjen kërkesës së tregut të votës dhe kjo kërkesë sot për sot është masivisht një kërkesë për vjedhje të organizuar të një kategorie mbi një tjetër ose gjithë të tjerat. Është kërkesa banale e demokratit/socialistit që synon të heqë nga puna në shtet socialistin/demokratin hajdut për t’i zënë vendin e për të vjedhur po aq sa ai.

Nëse do të ishim vërtet të arsyeshëm në kërkesën për një Shqipëri normale nuk do të kërkonim një shtet më të fortë, por një shtet që të na lerë të punojmë. Më pak taksa që do të vidhen, më pak licenca që kërkojnë ryshfet, më pak nëpunës civilë që mbahen me taksat tona, më pak koncesione që do të paguhen nga ne dhe fëmijët tanë pa dhënë asgjë në këmbim, më pak para për llogaritë bankare të shtetarëve hajdutë nëpër parajsat fiskale.

Shqipëria do të bëhet vetëm kur të bëhen shqiptarët. Deri atëherë meritojmë të jetojmë si qentë endacakë të Evropës. Jo sepse nuk e kuptojmë të keqen, por sepse e pranojmë dhe bëhemi pjesë e ushtrisë së saj.

Leave A Reply

Your email address will not be published.