The news is by your side.

Shqipëria, më pak tërheqësja e rajonit për investitorët e huaj

Raporti Doing Business 2020 rezultoi me përfundime vërtet alarmante për ekonominë shqiptare, gjendja e së cilës është përkeqësuar edhe më tej muajt e fundit. Kështu gjatë këtij viti Shqipëria u rendit e 82-ta në klimën e biznesit dhe investimeve të huaja, duke humbur plot 19 poziocione nga raporti i mëparshëm. Ky përfundim nënkupton se tashmë klima e të bërit biznes në vend është përkeqësuar dhe Shqipëria është vendi më pak tërehqës në rajon lidhur me investimet e huaja.

Faktet tregojnë pikërisht këtë. Të gjitha vendet fqinje të rajonit renditen në Doing Business në pozicione shumë më të mira se sa Shqipëria, përveç Bosnje dhe Hercegovinës, si i vetmi vend i rajonit gjithashtu shumë pak tërheqës në investime të huaja. Grafiku i mëposhtëm jep edhe të dhënat e pozicionit të secilit shtet të Ballkanit Perëndimor në renditjen e Doing Business.

Përpunuar nga Atlasi.al

Siç shihet edhe nga vlerat e raportit, të gjitha vendet e rajonit kanë një klimë biznesi dhe tërheqje investimesh të huaja shumë herë më të mirë se sa Shqipëria. Rekordin në rajon e mban Maqedonia e Veriut, e cila renditet në vendin e 17, një ndër më konkurrueset në Europë, ndërkohë që edhe Kosova, në vendin e 57 qartazi ka rezultatet më pozitive.

Nga ana tjetër, situata lidhur me investimet e huaja është përkeqësuar edhe më shumë së fundi. Kkjo, jo vetëm për shkak të klimës së biznesit por edhe sepse aktualisht, dy nga investimet më të mëdha në ekonomi, gazsjellësi Trans-Adriatik TAP dhe hidrocentrali mbi Devolli kanë përfunduar dhe ende asnjë projekt i madh e konkret nuk është bërë me dije.

Nga ana tjetër, pas realizimit të dy projekteve të mësipërme, tashme investimet e huaja priret të mos jenë më të orientuara nga energjitika, por drejt sektorëve të tjerë me potencial të lartë si turizmi apo industria nxjerrëse. Megjithatë, gjendja aktuale e ekonomisë së vendit le shumë për të dëshiruar. Pas tërmetit të 26 nëntorit, kostot e rindërtimit të zonave të prekura nga lëkundja shkatërrimtare kanë arritur vlera masive dhe për t’i mbuluar ato qeveria ka anuluar thuajse çdo projekt infrastrukturor, në një kohë që edhe para tërmetit, buxheti me mos-realizimin e planit të të ardhurave ishte gjithshtu në krizë.

Sipas të dhënave të raportit, gjendja e tillë e mungesës së konkurrueshmërisë për të tërhequr investime të huaja vjen si pasojë e një sërë faktorësh madhorë si niveli shumë i lartë i korrupsionit, ndryshimet e shpeshta ligjore, të cilat nuk lajmërohen më herët, por aplikohen në mënyrë të papritur, si dhe problemet me çështjet e pronësisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.