The news is by your side.

Shqipëria më e korruptuara e Europës. Përkeqësim nga vitet e mëparshme

Transparency International ka publikuar indeksin e saj CPI të perceptimit të korrupsionit për vitin që sapo lamë pas. Indeksi CPI, është një tregues që përllogaritet çdo vit për të gjitha vendet e globit dhe rendit 180 shtetet bazuar në nivelet e tyre të perceptuara të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një shkallë nga 0 në 100, ku vlera 0 nënkupton që vendi është shumë i korruptuar dhe 100 shumë i pastër nga korrupsioni.

Studimi zbulon se dështimi i vazhdueshëm i shumicës së vendeve për të kontrolluar ndjeshëm korrupsionin po kontribuon në një krizë të demokracisë në të gjithë botën. Ndërsa ekzistojnë përjashtime, të dhënat tregojnë se megjithë disa përparime, shumica e vendeve nuk po arrijnë të gjejnë ende rrugëdalje serioze kundër korrupsionit.

Por, në rastin konkret, në publikimin e fundit, referuar vitit 2019, rezultatet tregojnë se Shqipëria u bë edhe më e korrupruar, duke shënuar gjithashtu një përkeqësim të gjendjes krahasuar me vitin e mëparëshëm 2018. Sipas Transparency International, Shqipëria u vlerësua për vitin 2019 me një nivel perceptimi korrupsionit në kuotën e vetëm 35 pikëve nga 100 të mundshme. Ky rezultat e rendit Shqipërinë në vendin e 106, nga 180 shtete të marra në shqyrtim nga studimi.

Krahasuar me vitin 2018, sipas rezultateve Shqipëria jo vetëm që nuk ka bërë ndonjë përmirësim në luftën kundër korrupsionit, por përkundrazi, ajo ka shënuar një rënie në renditje. Në 2018-ën Transparency International e kishte vlerësuar Shqipërinë me 36 pikë dhe e kishte renditur të 99-ën në listë. Me sa duket, në vetëm një vit, Shqipëria zbriti me 7 pozicione duke u bërë akoma më e korruptuar se më herët. 

Nga ana tjetër, duke u renditur në vendin e 106 në listë, bazuar tek niveli i perceptuar i korrupsionit në administratën publike, Shqipëria rezulton tashmë e fundit në Europë, si shteti më i korruptuar. Gjithashtu ajo renditet në nivele të njëjta pikësh me vende si Algjeria, Egjipti, Mongolia dhe Brazili, qartazi edhe ato njëlloj të korruptuara.

Por si ka ndryshuar perceptimi i korrupsionit në Shqipëri vitet e fundit? Duke krahsuar të dhënat e studimeve të mëparshme të indeksit CPI, nga Transparency International niveli i korrupsionit me sa duket ka ardhur duke u rritur dhe për pasojë edhe Shqipëria duke shënuar rënie në renditje. Në vitin 2016 Shqipëria renditej e 83-ta bazuar në indeksin CPI, për të brzitur pastaj në vendin e 91-të në studimin e vitit 2017. Tashmë për vitin e kaluar ajo u rendit përsëri më poshtë, nga e 99-ta në 2018 në pozicionin e 106-të në vitin 2019. Këto luhatje të thella tregojnë edhe njëherë qartazi realitetin e vështirë shqiptar, në një vend që bëhet gjithmonë e më i korruptuar pas çdo viti që kalon.

Leave A Reply

Your email address will not be published.