The news is by your side.

Shqipëria, e para në Europë për korrupsionin e bizneseve

Banka Botërore zhvillon me një interval kohe 6 vjeçar Anketën e Ndërmarrjeve në shtete të ndryshme të botës dhe publikon pastaj raportin me të dhënat dhe përfundimet e nxjerra. Kështu, së fundi institucioni në fjalë ka bërë publike rezultatet referuar sipërmarrjeve operuese në tregun shqiptar gjatë periudhës kohore 2016-2019.

Sipas përfundimeve ka rezultuar se në këndvështrimin e bizneseve, Shqipëria është një nga vendet më të korruptuara. Rreth 36.1% e bizneseve të anketuara kanë pohuar se gjatë proceseve të tyre operacionale janë ndeshur me praktika korrupsioni. Ky rezultat bëhet akoma më serioz në momentin që Shqipëria renditet në nivele të përafërta me vendet afrikane, shumica e të cilave kanë madje korrupsion më të ulët, parë nga këndvështrimi i bizneseve.

Krahësuar me anketën e mëparëshme nga i njëjti burim, mbajtur në vitin 2013 shihet se ka një përkeqësim të ndjeshëm. Asokohe, Banka Botërore theksonte se niveli i korrupsionit perceptuar nga bizneset vendase ishte rreth 20%, ndërkohë që tani është rritur me 16.1%.

Siç bën me dije Revista Monitor, një nivel i tillë korrupsioni e rendit Shqipërinë të tretën ndër shtetet ne nivelin më të lartë të korrupsionit perceptuar nga bizneset. Në krye të listës qëndrojnë Sierra Leone dhe Lao, ku përkatësisht 46.1 dhe 40.3 % e bizneseve pohuan të jenë përfshirë në procedura korruptive. Për pasojë Shqipëria rezulton si vendi më i korruptuar i Europës. Nga ana tjetër, dy shtetet me rezultatin më të mirë në kontinent referuar korrupsionit ishin Qiproja dhe Turqia me nivelet respektive 0.2 dhe 1.4%.

Leave A Reply

Your email address will not be published.