The news is by your side.

Shpjegim / C’do të thotë Indeksi i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Shqipëria është një vend i vogël që po përpiqet të përmirësojë klimën e biznesit, klimën ligjore dhe tatimore në mënyrë që të rrisë atraktivitetin për investitorët e huaj. Shqipëria vazhdon të zhvillohet si një destinacion tërheqës për investimet e huaja direkte në rajon, pavarësisht nga konkurrenca e fortë me vendet fqinje. Nisur nga kjo, ka një sërë indeksesh që synojnë të masin elemente që lidhen me klimën e biznesit në Shqipëri dhe ecurinë e saj ndër vite.

Indeksi i besimit i Dhomës Amerikane mat elemente të rëndësishëm si politikat e qeverisë, niveli i taksave, korrupsioni, informaliteti, zbatimi i ligjit, si dhe elemente të tjerë që lidhen me performancën e bizneseve dhe ekonominë shqiptare. Ky indeks lejon Dhomën Amerikane të identifikojë dhe të përcaktojë sasinë e problemeve që komuniteti i biznesit përballon dhe i mundëson Dhomës të punojë me qeverisë dhe aktorë të tjerë për të përmirësuar mjedisin e biznesit në Shqipëri. Indeksi i besimit të biznesit i Dhomës Amerikane (ABI) për vitin 2018 ka shënuar një përmirësim të lehtë prej 0.71 pikësh, në krahasim me vitin e mëparshëm, duke arritur në 43.16 pikë. Matja e këtij indeksi ka filluar në vitin 2012 në një total prej 100 pikësh dhe ka shënuar kulmin e tij në vitin 2016-n, me 43.78 pikë. Ndërkohë që viti 2015 shënoi vlerën më të ulët me vetëm 37.94 pikë.

Shqetësimi kryesor i Dhomës Amerikane të Tregtisë mbetet monopoli dhe konkurrenca e pandershme. Ndërkohë që probleme të tjera madhore mbeten klima e brendshme politike, burokracia e qeverisë, ekonomia informale, korrupsioni, etj.

Niveli i taksave të aplikuara ka shënuar një rritje prej 6.42 pikësh. Kjo sepse janë rritur taksat ekzistuese, por edhe janë shtuar taksa të reja. Treguesi më negativ është perceptimi i bizneseve se ecuria e ekonomisë nuk ka qenë pozitive. Shumica e bizneseve mendojnë se performanca e ekonomisë shqiptare është përkeqësuar, duke qenë treguesi që ka shënuar rënien më të madhe me gati 6 pikë, ndonëse mbetet i teti në radhën e problemeve, për shkak të perceptimit pozitiv vitet e mëparshme. Më pak problematike për bizneset është furnizimi

me energji dhe marrëdhëniet me autoritetet tatimore, lokale dhe doganore, si dhe me ministritë. Ndërkohë që kanë shënuar përmirësim krahasuar me vitin e mëparshëm treguesit për reformat dhe politikat ekonomike të qeverisë(+3.23), zbatimi i ligjeve dhe rregulloreve(+3.23).

Politika është shpeshherë ajo që dekurajon vetë bizneset dhe ul nxitjen e tyre për të investuar në Shqipëri. Qeveria duhet të japë stimuj për të mirë për kryerjen e biznesit. Për shkak të klimës jo të favorshme të biznesit, Shqipëria humbet shumë mundësi për investime të huaja direkte.

Sistemi ligjor shihet si një nga faktorët që ka penguar rritjen ekonomike afatgjatë në Shqipëri dhe zgjidhja e këtij problemi do ishte reforma në drejtësi. Reforma gjyqësore për tu zhvilluar kërkon një klimë biznesi të drejtë, pa korrupsion, që do të nxisë më shumë kompanitë amerikane të investojnë në Shqipëri, duke ndikuar në rritjen e indeksit në vitet në vijim. Një sistem ligjor më i mirë do ta orientonte vendin drejt një zhvillimi ekonomik më të qëndrueshëm.

Qeveria shqiptare duhet të zvogëlojë taksat në mënyrë që të jetë një konkurrent më i mirë në rajonin e Ballkanit, si për korporatat ashtu edhe për individët. Gjithashtu si prioritet shihet dhe eliminimi i ekonomisë informale dhe korrupsionit. Qeveria shqiptare duhet të zbatojë reformat strukturore që do të rrisin produktivitetin dhe konkurrencën në ekonomi, do të krijojnë më shumë vende pune. Shteti duhet të vendosë standarde dhe të zbatojë ligjet që rregullojnë marrëdhëniet dhe klimën e biznesit.

Ndërkohë që një indeks tjetër qe mat klimën e biznesit në vendin tonë është dhe Indeksi i Doing Business matur nga Banka Botërore. Në matjen e klimës së biznesit dhe investimeve, përfshihen mundësinë dhe inciativat për firmat që të investojnë në mënyrë produktive, të hapin vende pune dhe të zgjerohen. Klima e biznesit shërben në mënyrë të përgjithshme, si një kuadër që u mundëson kompanive të huaja dhe vendase që të bëjnë biznes dhe të kërkojnë fitime në një vend të caktuar.

Në rankimin nga 190 shtete, Shqipëria pozicionohet në vendin e 63 me një total prej 69.51 pikësh, duke mbetur pas shumë nga vendeve të rajonit. Ndërkohë që në vitin 2018 Shqipëria arriti të siguronte një total prej 69.01. Konstatojmë që ka pasur një rritje të lehtë prej vetëm 0.5 pikësh por që gjithsesi mbetet një shenjë pozitive e përmirësimit të klimës së biznesit.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, performanca e përgjithshme e Shqipërisë në këtë indeks mbetet më e mirë se e Bosnje-Hercegovinës(në vendin e 89-të). Ndërkohë Maqedonia siguroi pozicionin më të mirë(vendi i 10-të), ndjekur nga Kosova(vendi i 40), Serbia(vendi i 48) dhe Mali i Zi(vendi i 50-të).

Leave A Reply

Your email address will not be published.