The news is by your side.

Sektori bankar në krizë-HSBC mbyll plot 10’000 vende pune

HSBC Holdings, një ndër bankat më të mëdha ndërkombëtare po planifikon të shkurtojë deri në 10,000 vende pune, pasi Shefi Ekzekutiv i përkohshëm Noel Quinn kërkon të ulë kostot e gjithë grupit bankar. Lajmi është bërë i ditur të dielën nga Financial Times.

HSBC, si një nga organizatat më të mëdha të shërbimeve financiare dhe bankare, aktualisht vepron në 65 shtete, duke pasur plot 40 milionë klientë në të gjithë botën. Por duket se me ngadalësimin ekonomik duke u thelluar dhe krizën globale në rritje, edhe HSBC po ndjen pasojat. Kështu për të kufizuar sa më tepër ndikimin negativ, shkurtimi i vendeve të punës është parë si një nga masat më me efekt.

Sipas Financial Times, plani paraqet përpjekjen më ambicioze të huadhënësit për të ulur kostot, duke theksuar se shkurtimet do të përqendrohen kryesisht në role me pagë të lartë. HSBC mund të njoftojë fillimin e lëvizjes për uljen e kostove dhe shkurtimet e vendeve të punës që pas llogaritjes së rezultateve të tremujorit të tretë, më vonë këtë muaj.

Quinn u bë CEO i përkohshëm në gusht pasi banka njoftoi largimin e befasishëm të John Flint, duke thënë se kishte nevojë për një ndryshim në krye, për të adresuar “një mjedis global shumë sfidues”. Largimi i Flint erdhi edhe si rezultat i linjave të ndryshme të mendimit me kryetarin Mark Tucker për tema të tilla si shkurtimi i shpenzimeve.

Shkurtimet  vijnë në një kohë kur huadhënësi më herët kishte deklaruar  se do të pushonte rreth 4,000 njerëz në vit, një perspektivë më e zymtë biznesi, pas përshkallëzimit të luftës tregtare midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, ciklit të vazhdueshëm të politikave monetare lehtësuese, trazirave në Hong Kong dhe Brexit.

/ Burimi: CNBC

Gliqeri Riza

Leave A Reply

Your email address will not be published.