The news is by your side.

Sejko: Vonesa në rindërtimin pas tërmetit po dëmton ekonominë e vendit

Tërmeti i 26 nëntorit në Durrës i ka dhënë një goditje të fuqishme ekonomisë së dobët të vendit. Para disa ditësh organet zyrtare të shtetit në bashkëpunim me ekspertët ndërkombëtarë vlerësuan se fatura arrin në plot 985 milionë euro dhe kostoja është e papërballueshme nga buxheti i shtetit, i cili edhe para tërmetit nuk realizonte dot planin e të ardhurave. Me qëllim mbulimin e një pjese të kostove pritet të organizohet në 17 shkurt në Bruksel nga BE Konferneca e Donatorëve, ndaj mbetet për t’u parë se sa fonde do të mblidhen.

Megjithatë gjendja është delikate, pasi qeveria ka anuluar dhe pezulluar thuajse çdo projekt tjetër investimesh, me qëllim që fondet të përdoren për rindërtimin. Autoritetet zyrtare kanë theksuar se efektet e tërmetit nuk do të pengojnë zhvillimin afatgjatë të vendit dhe as rritjen ekonomike të tij, por kjo sigurisht që nuk ka si të ndodhë.

Nga ana tjetër, sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, vonesat në zbatimin e programit të rindërtimit si dhe mbështetja e tij në burime të brendshme financiare shihen si rreziqe të mundshme që mund të japin një impakt negativ në ekonomi. Sipas tij, adresimi i këtyre rreziqeve mbetet atribut i strukturave të qeverisjes qendrore dhe vendore, megjithatë, siç ka theksuar Sejko, materializimi i tyre do të kërkonte një rishikim në kahun lehtësues të qëndrimit të politikës monetare nga ana e Bankës Qendrore.

“Këshilli mbikëqyrës vlerëson se rreziqet potenciale janë një intensitet më i fortë i efekteve negative të tërmetit në ecurinë ekonomike përgjatë vitit 2020 e në vazhdim.  Ky skenar mund të materializohet nëse efektet psikologjike të tërmetit tejkalojnë ndikimin e tij material në ekonomi.” tha Sejko.

Leave A Reply

Your email address will not be published.