The news is by your side.

Salvini së bashku me nacionalistët evropianë kërkojnë reformimin e BE

Zgjedhjet evropiane të 26 majit do i gjejnë partitë kryesore radikale dhe nacionaliste të Evropës në një grupim të vetëm politik. Zëvendëskryeministri dhe kryetari i partisë “Lidhja” në Itali, thotë se BE-ja aktualisht është kthyer në makth për të rinjtë dhe popujt e Evropës.

Objektivi i tyre mbetet reformimi, por jo shkatërrimi i Bashkimit dhe i Parlamentit Evropian. Partitë më të mëdha nacionaliste dhe anti-emigracion të Evropës kanë bashkuar forcat për të garuar në bllok në zgjedhjet evropiane të muajit maj.

Në konferencën ndërkombëtare me titull “Drejt Evropës së Ekuilibruar” që u mbajt të hënën në Milano, ministri i Brendshëm dhe zv.kryeministri italian, njëkohësisht kreu i partisë “Lidhja”, ftoi tre homologët e “Alternativës për Gjermaninë”, “Partinë Finlandeze” dhe atë të “Popullit Danez” që ta shpëtojnë projektin europian.

“Në këtë tavolinë sot nuk ka ekstremistë nostalgjikë, pasi nostalgjikët e vetëm ndodhen aktualisht në Bruksel. BE-ja e tanishme është kthyer në makth, dhe ne synojmë ëndrrën evropiane të shumë qytetarëve dhe popujve. Objektivi ynë është të jemi grupimi i parë politik në Evropë, që ta ndryshojmë atë” – tha Salvini.

Idenë e koalicionit euroskeptik e kanë përqafuar deri tani nacionalistët francezë të prirë nga Marin Lë Pen, partia austriake për Lirinë dhe ajo e kryeministrit hungarez, Viktor Orban. Shumica e partive ndajnë bindje të njëjta ideologjike kur bëhet fjalë për zhvendosjen e pushtetit nga Brukseli te qeveritë sovrane apo për uljen e emigracionit.

Por kritikët thonë se këto forca kanë qasje të ndryshme rreth politikave ekonomike dhe atyre sociale, ndaj edhe mund të jetë i vështirë krijimi i një aleance koherente në Parlamentin Europian.

Leave A Reply

Your email address will not be published.